Mustafi: Gjykata serbe legalizoi termin fyes “Siptari”, refuzoi padinë ndaj Vulinit
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafi, ka njoftuar se Gjykata e Apelit në Beograd ka refuzuar si të pabazuar ankesën në padinë ndaj ministrit të Brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vulin, për qasje diskriminuese dhe përdorim të gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve.
Përmes një postimi në Facebook, Mustafi u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të reagojnë ndaj Beogradit dhe ta parandalojnë gjuhën e urrejtjes kundër minoriteteve në Serbi.
“Aleksandar Vulin, i cili atëherë ishte ministër i Mbrojtjes i Republikës së Serbisë, është jo vetëm nxitësi institucional i diskursit ksenofob, por para së gjithash dhe mbi të gjitha sinonim i shqiptarofobisë. Kujtoj se të gjitha raportet relevante ndërkombëtare nënvizuan gjuhën e tij ksenofobe dhe raciste. U bëj thirrje BE-së, OSBE-së dhe SHBA-së të reagojnë ndaj Beogradit zyrtar dhe ta parandalojnë gjuhën e urrejtjes kundër minoriteteve në Serbi, sepse lirimi i ministrit Vulin nga akuzat e gjuhës së urrejtjes, intolerancës dhe diskriminimit ‘legalizon’ diskriminimin, ksenofobinë dhe racizmin ndaj shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Serbisë e gjetkë”, ka shkruar ai.
Por Mustafi thotë se nuk do të dorëzohen.
“Nuk do të dorëzohemi. Pritja nuk na lodh e tejzgjatja nuk na demoralizon. Gjykata e Apelit në Beograd, përkundër të gjitha argumenteve, vendosi në favorin e tij. Tashmë dorëzojmë lëndën para Gjykatës Kushtetuese, si hallka e fundit e gjyqësorit në Serbi. Presim. Tashmë kemi ndjekur këtë proces në të gjitha instancat e gjyqësorit, e më pas dërgojmë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Për drejtësi. Deri në fitoren përfundimtare”, tha Mustafi.