Konjufca: Populli ynë në Preshevë Medvegjë e Bujanoc, pakica më e diskriminuar në Evropë
Gjykata e Apelit në Serbia ka refuzuar ankesën e Kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi ndaj ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë në Beograd, në padinë ndaj Ministrit të Brendshëm, Aeksandar Vulin për gjuhë të urrejtjes dhe përdorimin e termit fyes për shqiptarët.
Për këtë ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i cili ka përmendur se Serbia udhëhiqet nga figura politike të cilat i mohojnë masakrat që Serbia i ka kryer në Kosovë.
Reagimi i plotë i Konjufcës:
Sot Gjykata e Apelit në Beograd e ka quajtur të ligjshëm përdorimin e termit shovinist e ofendues për shqiptarët, duke e rrëzuar padinë e ngritur ndaj ministrit të brendshëm Vulin nga Këshilli Kombëtar Shqiptar. Serbia udhëhiqet nga figura politike të cilat i mohojnë masakrat që Serbia i ka kryer në Kosovë.
Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë ende u ndalohet përdorimi institucional i flamurit kombëtar edhe pse jetojnë në trojet e veta. Populli ynë atje është pakica kombëtare më e diskriminuar në Evropë.
Në anën tjetër sot është intervistuar gazetari Adriatik Kelmendi nga shërbimi sekret i Serbisë. Gjatë kohës së Milosheviqit këto i quanin 'biseda informative'. Vërtet e trishtë dhe e papranueshme.
Hiç më larg se dje Vuçiq edhe një herë na bëri ftesë për pjesëmarrje në Open Ballkan, duke shtuar se Serbia do të jetë 'shtëpi e dytë' për shqiptarët.
Ky është Open Ballkan i 24 orëve të fundit që po tentohet të na shitet si 'fqinjësi e mirë'.