Lokale
Musliu: Shqiptarët nuk gëzojnë mbrojtje të xhandarmërisë
Kryetari i Kuvendit të Komunës së Bujanocit dhe i partisë Lëvizjes së Progresit Demokratik, Jonuz Musliu thotë se xhandarmëria nuk është si KFOR-i për t’i besuar popullata shqiptare.
[caption id="attachment_48375" align="alignleft" width="276"] Jonuz Musliu[/caption]
Duke komentuar vizitën e drejtorit të policisë Milorad Veloviq që i bëri gjatë kësaj fundjave Luginës, në zonën tokësore të sigurisë, në kufi me Kosovën, Musliu thotë se nuk i ka lënë ndonjë përshtypje.
“Kjo për ne nuk lë ndonjë përshtypje ngase jemi mësuar me vizita të tilla, të cilat vijnë pa dashjen e dëshirën tonë. Kjo vlen edhe për vizitën e drejtorit të policisë Milorad Veloviq, i cili dje ia bëri Luginës së Preshevës. Ne nuk kemi dëshirë fort tu përgjigjemi deklaratave të këtyre zyrtarëve për Luginën, ngase kursi i tyre politiko-ushtarak nuk ka ndryshuar, që nga përfundimi i luftës së armatosur në Luginë”, tha gjatë një interviste për Titullin, kryetari i Kuvendit, Jonuz Musliu.
Deklaratën e Veloviqit, se interesi i njësisë së tij është mbrojtja e çdo shqiptari, serbi dhe të tjerëve, Musliu e ka quajtur demagogji.
“Popullata shqiptare e Luginës së Preshevës, nuk gëzon mbrojte e siguri nga prezenca e forcave të shtuara të policisë dhe xhandarmërisë serbe në këto hapësira. Jemi dëshmitarë të bastisjeve, arrestimeve dhe burgosjeve të shumta të ish ushtarëve të UÇPMB-së, të cilat janë bërë në prezencën edhe të xhandarmërisë. Këtë e di mirë drejtori i policisë Veloviq dhe të tjerët përkrahës të tij”, u shpreh Musliu.
Sipas tij, xhandarmëria serbe nuk është sikur KFOR-i në Kosovë të ngris ura dhe të rregulloj rrugë për të siguruar qarkullimin e lirë të njerëzve.
“E dimë se sa xhandarmëria e ndihmon popullatën shqiptare e cila në Malësi të Bujanocit, Karadak të Preshevës dhe fshatrat e Medvegjës nuk kthehet për shkak prezencës së tyre të shtuar”, ka thënë kryetari i Kuvendit.
Paralajmërimin për shtimin e forcave të xhandarmërisë në brezin kufitar me Kosovën, nëse do të jetë e nevojshme, për Musliun është e papranueshme.
“Jo, nuk është e pranueshme e as e dëshirueshme. Shqiptarët kanë kërkuar që mbrojtjen ta sigurojnë nga policia multietnike me kompetenca të shtuara e të monitoruara nga OSBE-ja dhe pushtetet lokale edhe pse nuk janë nën kompetencë të tyre”.
“Drejtori i policisë Veloviq, duhet të angazhohet për ta ndryshuar strukturën e përbërjes së policisë në Bujanoc dhe zinxhirin komandues të saj. Askund në botë nuk ka që një polici të ketë komandant të stacionit policor një përfaqësues të komunitetit që nuk e ka shumicën”, është shprehur Musliu, sipas të cilët shqiptarët me romët përbëjnë 70 për qind të popullatës në komunë të Bujanocit.
Ai këtë intervistë e përmbyllë duke e porositur drejtorin e Policisë Veloviq “që të shikoj këto probleme e jo të na shes mend për siguri, paqe e stabilitet, të cilat nuk i kemi prej kohësh”./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!