Lokale
Medvegja kërkon nga Thaçi zbatimin e plotë të IBM-së
Zyrtarët e komunës së Medvegjës sot i kanë dërguar një kërkesë kryeministrit Thaçi që të zbatohet plotësisht marrëveshja mbi Menaxhim të Integruar të Kufirit (IBM) në Mutivodë
Në letrën e ndihmëskryetarit të komunës së Medvegjës, Ismet Zeqiri, kërkohet nga kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe koordinatorit të bisedimeve për Prishtinën, Blerim Shala, që në bisedimet e ardhshme inicohet zbatimi i plotë i kësaj marrëveshje.
“Menaxhimi i integruar i kufijve është në përputhje me parimet e BE-së dhe shënon një hap të madh në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve. Me këtë rast, ne ju lusim që në bisedimet tuaja të ardhshme me përfaqësuesit e Serbisë të shfrytëzoni autoritetin tuaj që IBM të hyjë në zbatim të tërësishëm edhe në vendkalimin Mutivodë, sepse për banorët e Medvegjës kjo do të ketë domethënie të madhe”, shkruan ndihmëskryetari Zeqiri, transmeton Titulli.
Vlen theksuar se zbatimi i IBM-së në Mutivodë - Medvegjë ka filluar më 28 shkurt të këtij viti, mirëpo në këtë pikë kufitare si edhe në atë Muçibabë-Preshevë, nuk lejohet kalimi me dokumente të Kosovës.
Për momentin këto pika kufitare mund të shfrytëzohen vetëm nga qytetarët e pajisur me dokumente identifikimi të lëshuara nga Serbia./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!