Lugina e Preshevës në migrimet e jashtme, rezultate hulumtimi të Dr. Hivzi Islami dhe Arsim Ejupi
Lokale

Lugina e Preshevës në migrimet e jashtme, rezultate hulumtimi të Dr. Hivzi Islami dhe Arsim Ejupi

16.Feb.2015 15:05
0
Në këta muajt e fundit "migrimi ilegal" i shqiptarëve të Kosovës në drejtim të disa vendeve të BE-së ka marrë përmasa dramatike.

Shkruan: Dr. Hivzi Sulejmani & Dr. Arsim Ejupi (nga Lugina e Preshevës)

Për këtë temë po zhvillohet një debat i gjerë në të gjitha nivelet politike dhe të shoqërisë civile në Kosovë dhe në Evropë në shpjegimin e shkaqeve dhe të konsekuencave të lëvizjes mekanike të shqiptarëve, që për nga masiviteti dhe dendësia kohore bën përjashtim nga supozimet teorike të migrimeve dhe të determinanteve të përgjithshme të këtij fenomeni.

Lidhur me migrimet e jashtme, në kuadër të një projekti të madh për Luginën, po i prezantojmë rezultatet e një hulumtimi anketues në shembullin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Një hulumtim i tillë, edhe më i thellë dhe më i gjithanshëm, duhet të bëhet për migrantët e jashtëm nga Kosova në mënyrë që të ndriçohen determinantet e vërteta dhe të nxirren shpjegime konkrete shkencore pse ndodhi procesi i fundit i shpërnguljes së shqiptarëve në dimensione sa masive aq edhe  të dhimbshme.

Nga të dhënat që disponohet nga regjistrimet e popullsisë dhe dokumentacioni i komunave të Luginës, vlerësohet se një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve (rreth 25.000 veta) punon dhe jeton në botën e jashtme. Në verën e vitit 2014 të nënshkruarit kanë bërë një hulumtim anketues për migrantët e jashtëm me qëllim që të shihej rrjedha dhe veçoritë kryesore të migrimeve të jashtme nga Lugina, çfarë janë shkaqet e emigrimit, statusi i migrantit, adaptimi dhe asimilimi, lidhja me familjen dhe vendlindjen, investimet, çështja e kthimit, pasojat e emigrimit për familjen, bashkësinë rajonale e lokale dhe shoqërinë etj. Anketimi është zhvilluar në periudhën njëmujore, më saktësisht prej 17 korrik deri 17 gusht të vitit 2014, gjatë së cilës shumica dërmuese e migrantëve të jashtëm janë për pushime në vendlindje. Anketimi është realizuar përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me të anketuarit, duke marrë informata të besueshme dhe në një mënyrë të pritshme për pasqyrimin e drejtë të shumë aspekteve mbi migrimet e jashtme nga Lugina.

Për realizimin e suksesshëm të anketës është përcaktuar madhësia e mostrës, e cila përfshinë 10% të ekonomive familjare që ndodhen në botën e jashtme. Shumica e të anketuarve kanë qenë kryefamiljarë, por nevoja për të ndriçuar aspekte të ndryshme të migrimimeve të jashtme, që kryesisht kanë të bëjnë me nivelin e shkollimit, integrimit, asimilimit dhe të ngjashme, kanë kushtëzuar që në anketim të përfshiheshin edhe migrantë, të cilët, sipas moshës që kanë dhe periudhës kur kanë migruar, i takojnë brezit të mesëm. Pyetësori përmban gjithsej 32 pyetje hulumtuese (indikatorë) dhe është i ndarë në 6 pjesë. Pjesa e parë e pyetësorit përmban pyetje të karakterit të përgjithshëm, çfarë janë viti dhe vendi i lindjes, mosha e migrantëve, niveli i shkollimit dhe statusi martesor. Pjesa e dytë përmban pyetjet që kanë të bëjnë me vitin dhe vendin e migrimit, ndërrimin e vendit emigrues, mënyrën e migrimit, numrin e anëtarëve të familjes, mënyrën e komunikimit me pjesën e mbetur të familjeve në vendin e lindjes etj. Pjesa e tretë e pyetësorit është e fokusuar në shkaqet e migrimeve, pjesa e katërt ka të bëjë me statusin e migrantëve; pjesa e pestë lidhet me adaptimin, integrimin dhe asimilimin në rrethin e ri shoqëror; pjesa e gjashtë përqendrohet të marrë përgjigje mbi kontaktet dhe lidhjet që i mbajnë migrantët me vendlindjen dhe përgjigjen mbi kthimin ose jo të migrantëve në vendlindje.

 

Drejtimet e migrimeve

Pas Luftës II Botërore ish-Jugosllavia ndjek rrugën e një socializmi pak më ndryshe, gjithsesi më liberal në raport me shtetet e tjera socialiste të lindjes, gjë që mundësoi lëvizjen më të lirë të mallrave dhe njerëzve me vendet e Evropës Perëndimore. Në anën tjetër, në shumë vende të kontinentit plak rriten nevojat për fuqi punëtore për të realizuar projektet në infrastrukturë, në industri, në ndërtimtari etj. Kjo bën që kah fundi i viteve të 60-ta dhe fillimi i viteve të 70-ta popullsia aktive e moshës së re, ekskluzivisht e gjinisë mashkullore, nga vendet e pazhvilluara të Ballkanit etj. të migrojë si fuqi punëtore në shumë vende të Evropës së zhvilluar.

Nga përpunimi i të dhënave të anketimit, në pyetjen mbi vendin e migrimit del që 60% e popullsisë shqiptare të Luginës kanë emigruar në Zvicër, prandaj edhe sot e gjithë ditën në këtë shtet ndodhet pjesa më e madhe e popullsisë migruese nga Lugina. Vendi i dytë me numrin më të madh të migrantëve të jashtëm është Gjermania me 17% të popullsisë së migruar. Pastaj vijnë me radhë Austria me 8%, Suedia me 4%, Norvegjia me 2%, Franca dhe SHBA me nga 1% dhe vendet e tjera me 1%.

Duke analizuar vendin e migrimeve me periudhën e migrimeve rezulton që në shtetet si Zvicra, Gjermania dhe Austria migrimet janë më të hershme dhe përkojnë me periudhën e fundit të viteve të 60-ta dhe fillimit të viteve të 70-ta për të vazhduar edhe më vonë. Ndërsa në shtetet skandinave, Belgjikë, Francë dhe shtetet e tjera, me ndonjë përjashtim eventual, migrimet janë të periudhës pas viteve të 90-ta të shekullit të kaluar dhe dekadës së parë të këtij shekulli.

 

Koha e migrimeve

Në pamundësi të vjeljes së të dhënave për migrimet e mëhershme nga Lugina dhe duke pasur si objektiv parësor studimin dhe ndriçimin e rrjedhave bashkëkohore të popullsisë dhe vendbanimeve të territorit, në hulumtimin e realizuar përmes anketimit është vënë theksi vetëm në migrimet e zhvilluara pas Luftës II Botërore në drejtim të vendeve të zhvilluara të Evropës Perëndimore. Nga përpunimi i të dhënave, të mbledhura përmes anketimit, shihet që brenda periudhës 1965-1970, në botën e jashtme kanë emigruar 2% e popullsisë. Kjo, njëherësh paraqet periudhën iniciale të migrimeve kur për herë të parë entet e punësimit, si ndërmejtësuese, ofronin mundësinë e shkuarjes dhe gjetjen e punës në botën e jashtme.

Punësimi i shpejtë, çmimi i lartë i punës dhe benefitet e tjera sociale dhe shëndetësore nga të cilat përfitojnë migrantët e parë, shpejtë joshin shumë të rinj të cilët fillojnë më intensivisht të migrojnë në shtetet e Evropës Perëndimore. Prandaj gjatë periudhës 1971-1981, migrojnë rreth 14% e migrantëve nga Lugina, ndërsa, periudha 1981-1990 shënon numrin më të madh të atyre që emigrojnë nga rajoni (39%). Gjatë periudhës së parë dhe të dytë, migrojnë vetëm kryefamiljarët, ndërsa në fund të viteve të 80-ta, dukuria e migrimeve merr dimension tjetër, kur fillon migrimi i familjeve të tëra ose formave të ndryshme të bashkimit familjar. Në periudhën deri në fund të viteve të 70-ta të shekullit të kaluar shkaqet e migrimeve kanë qenë kryesisht ekonomike, ndërsa nga viti 1981 e këndej, përveç shkaqeve ekonomike, migrimet nxiten edhe për arsye politike, andaj kjo rezulton në përqindjen më të lartë të popullsisë që migron në botën e jashtme. Kjo është periudha e fillimit të krizës dhe rrjedhimisht të shthurjes së ish-Jugosllavisë që nisë pikërisht në Kosovë.

Me intensitet të ngjashëm dhe për shkaqe të njëjta, si në periudhën paraprake, emigrimi i popullsisë vazhdon edhe gjatë periudhës 1991-2000, kur nga Lugina në drejtim të shteteve të Evropës Perëndimore emigrojnë 33% e migrantëve. Procesi i shkatërrimit të ish-Jugosllavisë sjell deri tek konfliktet dhe luftërat e përgjakshme në Kroaci, BeH dhe në Kosovë. Shumë të rinj shqiptarë migrojnë, kryesisht në formë ilegale, duke dezertuar nga ushtria jugosllave, ku pa vullnetin e tyre ishin detyruar të angazhoheshin në luftë kundër kroatëve dhe boshnjakëve, sikundër edhe shumë të tjerë, të cilët, të frikësuar nga propaganda nacionaliste serbe dhe thirrjet për kryerjen e shërbimit ushtarak deri në mobilizimin e dhunshëm të të rinjve gjatë luftës së Kosovës, përmes formave të ndryshme ilegale emigrojnë në shtetet e evropiane. Një moment i rëndësishëm i kësaj periudhe është lufta e vitit 1999 në Kosovë, kur shumë të rinj, së bashku me familjet e tyre, nga kampet e refugjatëve në Maqedoni shkojnë në disa shtete të Evropës industrialist të zhvilluar dhe në vendet përtej oqeanit.

Emigrimi i popullsisë nga Lugina në botën e jashtme vazhdon edhe pas vitit 2000. Kështu në periudhën prej 2001-2010 nga ajo kanë emigruar 12% e numrit të përgjithshëm të migrantëve. Gjatë kësaj periudhe migrimit i kontribuon edhe liberalizimi i regjimit të vizave që Serbia arrin të realizojë me shumicën e vendeve të BE-së. Gjatë kësaj periudhe kemi emigrimin e familjeve të tëra nga komuna e Preshevës dhe Bujanocit, kryesisht për në Belgjikë, Suedi, Francë, Holandë etj. Shumica dërmuese e popullsisë që ka migruar (92%) ndodhet në të njëjtin vend ku ka emigruar për herë të parë, ndërsa vetëm 8% e kanë ndërruar vendin e migrimit. Pjesa më e madhe e migrantëve kanë shkuar si fuqi punëtore (61%), ndërsa të tjerët për arsye të tjera. Kategoria e parë e migrantëve i takon periudhave të mëhershme të migrimit deri në fund të viteve të 80-ta të shekullit të kaluar, kurse më pas dominon numri i atyre që kanë shkuar për t’u bashkuar me bashkëshortët dhe prindërit e tyre që kanë emigruar më herët. Ndërkaq në periudhën më të re vjen shumë në shprehje migrimi si formë e bashkimit familjar përmes martesave në mes të rinjve që ndodhen në botën e jashtme dhe atyre që janë në vendlindje.

Deri në vitin 1991, popullsia e ish-Jugosllavisë, ku bënte pjesë edhe Lugina e Preshevës, ka pasur mundësinë e qarkullimit të lirë, pa pasur nevojë për viza dhe dokumente shtesë për udhëtim në shumë vende. Kjo ka bërë që pjesa dërmuese e popullsisë të shkojë në mënyrë legale. Nga viti 1991 e më vonë, sanksionet ekonomike dhe politike të vendosura nga bashkësia ndërkombëtare ndaj ish-Jugosllavisë së mbetur (Serbia dhe Mali i Zi) prekin edhe sferën e lëvizjes së lirë të njerëzve. Prandaj shumica e shteteve evropiane vendosin regjimin e vizave për qytetarët e ish-Jugosllavisë. Në rastin e shqiptarëve të Luginës, nuk ka ndërpritje të procesit, por vetëm ndryshon mënyra e migrimit. Prandaj pas të 90-tave e këtej, fillon të rritet numri i atyre që emigrojnë ilegalisht. Këtë e dëshmojnë edhe rezultatet e anketimit nga të cilat del se 74% e popullsisë ka emigruar në mënyrë legale, ndërsa 26% e saj në mënyrë ilegale.

 

Shkaqet e migrimeve

Konteksti historiko-politik i Luginës është i ndërlikuar, sikundër që janë komplekse lëvizjet migruese nga Lugina. Kjo Luginë edhe pse me bazë të volitshme gjeografike-natyrore dhe pozitë të volitshme gjeokomunikative, ngeci në zhvillimin ekonomik, që ishte  faktori kryesor shtytës i emigrimit drejt vendeve evropiane. Nga përpunimi i të dhënave të anketimit për migrimet e realizuara pas viteve të 60-ta, në pyetjen mbi shkaqet e migrimeve rezulton që 52% e popullsisë kanë emigruar për të siguruar kushte më të mira për jetesë. Punësimi dhe pagat e larta u kanë mundësuar migrantëve që të sigurojnë ekzistencën dhe mirëqenien sociale dhe ekonomike të familjeve në vendlindje.

Nga numri i përgjithshëm i të anketuarve, 8% janë përgjigjur se qëllimi i emigrimit ka qenë ndërtimi i shtëpisë së re në vendlindje. Lufta dhe pasojat kanë qenë shkaku kryesor për emigrimin e 16% të migrantëve nga Lugina. Duke analizuar dhe krahasuar shkaqet e migrimeve me periudhën e migrimeve del që kjo kategori e migrantëve i përket periudhës prej vitit 1991-2000, kur procesi i dezintegrimit të ish-Jugosllavisë vazhdonte me dhunë dhe gjakderdhje. Kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe indirekte kishte për pasojë emigrimin e popullsisë shqiptare, kryesisht të moshës së re dhe të gjinisë mashkullore. Pasojat e drejtpërdrejta nga lufta i hasim gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës, kur të rinjtë shqiptarë, por edhe familje të tëra shqiptare gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet policore dhe ushtarake serbe, kalojnë ilegalisht kufirin me Maqedoninë dhe instalohen në vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë.

Nga rezultatet e anketimit del që 22% e migrantëve nga Lugina kanë migruar për shkaqe të bashkimit familjar. Kjo kategori e të anketuarve në aspektin e moshës përfshinë kryesisht migrantë të brezit të mesëm të cilët kanë migruar për t’u bashkuar me prindërit (babai ka tërhequr gruan dhe fëmijët), ndërsa kohën e fundit bashkimi familjar më së shumti bëhet përmes martesave në mes të rinjve që jetojnë në botën e jashtme dhe atyre që jetojnë në vendlindje. Ky migrim selektiv le pasoja kryesisht te kontingjentet e reja të popullsisë të cilat mbajnë barrën kryesore të riprodhimit biologjik të popullsisë. Vetëm 1% e migrantëve si shkak për migrimin e tyre kanë deklaruar shkollimin. Sa i përket moshës këta migrantë janë të brezit të mesëm dhe të ri.

 

Niveli i shkollimit të migrantëve

Niveli i shkollimit është një ndër faktorët kryesorë që përcakton mobilitetin social dhe hapësinor të popullsisë. Sipas rregullit, popullsia me nivel të ulët të arsimimit është më shumë e lidhur për shtëpi, suaza të familjare dhe bashkësi lokale dhe anasjelltas: niveli i lartë i shkollimit rritë vëllimin dhe distancën e migrimeve, meqenëse popullsia e arsimuar, me mirëqenie më të mirë ekonomike, është më mobile në hapësirë dhe në shkallën shoqërore.

Lugina e Preshevës me nivel të ulët të përgatitjes shkollore dhe e lënë pas dore në pikëpamje ekonomike, me dominim të bujqësisë ekstensive në strukturën e aktivitetit ekonomik, me nivel të ulët të përgatitjes shkollore, është hapësirë tradicionalisht emigruese. Në migrimet e jashtme janë përfshirë popullsia me nivel të ulët të përgatitjes shkollore, e cila si fuqi punëtore e pakualifikuar, ka migruar në botën e jashtme duke, bërë punë të rënda fizike me qëllim të sigurimit të ekzistencës së familjes. Rezultatet e anketimit tregojnë se pjesa më e madhe e migrantëve kanë të mbaruar vetëm shkollimin fillor (40%) dhe atë të mesëm (44%) dhe 3% e tyre nuk e kanë përfunduar as shkollën fillore. Vetëm 8% e migrantëve kanë të mbaruar shkollimin e lartë dhe 5% kanë nivel superior të shkollimit. Në këtë kategori bëjnë pjesë migrantët të cilët pasi kanë përfunduar shkollimin nuk kanë arritur të gjejnë punë e disa prej tyre janë të përjashtuar nga puna për shkaqe politike në periudhën e diferencimeve ideopolitike në fund të viteve të 80-ta dhe në fillim të viteve të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar.

 

Punësimi i emigrantëve dhe lartësia e të ardhurave   

Siç u pa, përqindja më e madhe e migrantëve ka emigruar me qëllim të sigurimit dhe përmirësimit të kushteve jetësore. U punësuan kryesisht në ndërtimtari e cila në atë kohë ka pasur nevojë për fuqi jo të kualifikuar punëtore, pastaj në industrinë e rëndë, në metalurgjinë e zezë, në hotelieri, në komunalie etj. Në pyetjen mbi punësimin e migrantëve, 91% e tyre janë deklaruar që punojnë, ndërsa 9% e tyre janë deklaruar si të papunë. Kategoria e fundit e të anketuarve përfshinë kryesisht personat e moshuar që janë pensionuar, meqenëse në pyetjen mbi vështirësitë me të cilat ballafaqohen migrantët në botën e jashtme, vetëm 4% e tyre thonë se ballafaqohen me mungesë të punësimit.

Struktura e veprimtarive që ushtrojnë migrantët në botën e jashtme është ngushtë e lidhur me nivelin e shkollimit të tyre dhe shkathtësitë e tjera organizative, komunikuese e menaxhuese. Dominimi i migrantëve me shkollim fillor dhe të mesëm për të cilët u bë fjalë më lartë, lë të kuptohet se pjesa dërmuese e tyre është e angazhuar në veprimtaritë që absorbojnë fuqi punëtore të pakualifikuar dhe me kualifikim të mesëm. Nga përpunimi i të dhënave të anketimit, në pyetjen mbi veprimtarinë që ushtrojnë migrantët 38% e tyre deklarohen që punojnë në industri, 34% në ndërtimtari, 6% në trafik, 5% në hoteleri, 4% në tregti, 2% në shëndetësi, 1% ndjekin studimet universitare dhe 1% ushtrojnë profesione të tjera.

Derisa në vitet e para të migrimit pjesa dërmuese e migrantëve ka qenë e punësuar në ndërtimtari, me kalimin e kohës rritet edhe numri i atyre që fillojnë të punojnë në industri. Pjesëmarrja e lartë e të punësuarve në industri është rezultat i kualifikimeve dhe rikualifikimeve të të rinjve përmes kryerjes së shkollave profesionale, duke ndjekur mësimet teorike të kombinuara me punë praktike. Por duhet përmendur faktin që me përjashtime të rralla, numri më i madh i të punësuarve është në ato degë të industrisë që nuk kërkojnë përgatitje të lartë profesionale.

Të ardhurat që i fitojnë migrantët nga puna që bëjnë, u mundësojnë që përveç mirëqenies së mirë sociale dhe ekonomike për vete në vendin imigrues, arrijnë të përmirësojnë edhe kushtet e përgjithshme të jetesës në vendlindje përmes dërgimit të remitancave për anëtarët e mbetur të familjes.

Nga të dhënat e anketimit del që 51% e migrantëve kanë të ardhura mujore mbi 3.000 euro, 22% fitojnë mesatarisht mbi 2.000 euro, 26% kanë të ardhura mesatare mujore prej 1.000 deri 2.000 euro dhe 1% kanë të ardhura mujore më pak se 1.000 euro. Lartësia e të ardhurave që marrin migrantët varet nga vendi i emigrimit të tyre. Përqindja e lartë e migrantëve që kanë të ardhura mesatare mbi 3.000 euro është për shkak se pjesa dërmuese (mbi 60%) e popullsisë kanë emigruar në Zvicër, ku çmimi i punës është më i lartë se në shumicën e vendeve evropiane.

Papunësia, kushtet e rënda jetësore, vështirësitë për të siguruar mbijetesën dhe plotësimin e nevojave elementare, në një bashkësi tradicionale dhe autarkike agrare, me ekonomi familjare shumëanëtarëshe, ishin shkaktarët kryesorë të migrimeve. Pjesa dërmuese e migrantëve para emigrimit ka qenë të angazhuar në bujqësi (49%). Pjesëmarrja e lartë e bujqësisë në veprimtari ekonomike dhe bujqësia ekstensive ishin dhe mbetën forma dominante e aktivitetit njerëzor në Luginë. Mungesa e investimeve në industri dhe në sektorët e tjerë të veprimtarive si një synim i qëllimshëm i politikës së Serbisë vazhdon ta karakterizoj territorin e Luginës.

Dominimi i bujqësisë në mesin e veprimtarive që kanë ushtruar migrantët para emigrimit është në lidhje të ngushtë me nivelin e shkollimit të tyre, ku, siç u vu në pah te përgatitja shkollore e migrantëve, 40% e tyre kanë të mbaruar vetëm shkollimin fillor, ndërsa 44% shkollimin e mesëm.

Në industri kanë qenë të angazhuar vetëm 6% e migrantëve. Këta migrantë kanë qenë të punësuar në ato pak ndërmarrje industriale në vend të cilat për shkak të përkeqësimit të situatës së përgjithshme politike dhe ekonomike, ose mbyllen ose zvogëlojnë maksimalisht kapacitetet e veta prodhuese. 8% e migrantëve të anketuar, para emigrimit kanë ushtruar zeje të ndryshme, ndërsa 7% të tjerë janë marrë me tregti. Nga përpunimi i të dhënave të anketimit vërehet pjesëmarrja e konsiderueshme e atyre që para migrimit kanë ndjekur shkollimin, nga ai fillor deri shkollimi universitar. Kjo kategori përfshinë kryesisht migrantët pas viteve të 90-ta të shekullit të kaluar, kur përkeqësimi dhe destabilizimi i situatës politike dhe ekonomike drejtpërsëdrejt prekë të gjitha nivelet e arsimimit. Vështirësitë për gjetjen e punës pas përfundimit të studimeve në një mjedis të pazhvilluar dhe gjithnjë e më jostabil dhe të pasigurt, i detyrojnë plotë studentë të ndërpresin studimet dhe të emigrojnë jashtë. Madje shkaqet e migrimit të disave prej tyre janë edhe të natyrës ideologjike dhe politike, meqenëse kanë qenë të përfshirë në iniciativat dhe organizimet që bëheshin në vitet e 80-ta dhe 90-ta për të shprehur revoltën mbi gjendjen e vështirë të popullit shqiptar në Kosovë dhe trojet e tjera etnike shqiptar në ish-Jugosllavi. Përqindja e lartë e kësaj kategorie të migrantëve vjen për shkak të intensifikimit të dukurisë së bashkimit familjar, ku prindërit që ndodhen në botën e jashtme fillojnë të tërheqin familjet e veta. Pjesa dërmuese e migrantëve të punës që shkojnë për t’u bashkuar me prindërit e tyre detyrohen të ndërpresin shkollimin fillor dhe të mesëm.

Një numër i vogël i migrantëve (6%) para emigrimit kanë qenë të punësuar në arsim. Zvogëlimi i pagave dhe normat e larta të inflacionit të cilat zhvlerësojnë valutën e dinarit e përkeqësojnë tejmase mirëqenien ekonomike dhe sociale të punëtorëve të arsimit. Disa prej tyre që nuk kanë pasur burime të tjera të të ardhurave dhe të ndihmave, nuk arrijnë që me pagën e tyre të plotësojnë kushtet minimale jetësore për familjet e tyre, prandaj detyrohen të marrin rrugën e kurbetit.

Pjesa dërmuese e anëtarëve të familjeve të migrantëve (59%) janë të angazhuar në punë. Prej tyre në industri janë të punësuar 44,1%, në tregti 22%, në ndërtimtari 8,5%, në hotelieri 8,5%, në komunalie 6,8%, në shëndetësi 2,4% dhe të tjera 1%. Anëtarët e familjeve të migrantëve janë në të shumtën e rasteve fëmijët e tyre, të cilët me të shkuar i janë nënshtruar procesit të kualifikimeve dhe rikualifikimeve profesionale, andaj numri më i madh i tyre punon në industri dhe tregti, ndërsa më pak në ndërtimtari, që ishte veprimtaria kryesore me të cilën janë marrë migrantët e periudhave të para të migrimit.

Përveç punësimit, një numër i madh i anëtarëve të familjeve të migrantëve (fëmijët e tyre) ndjekin edhe shkollimin (30%), ndërsa 11% e fëmijëve të migrantëve, për shkak të moshës së vogël, nuk ndjekin ende shkollimin.

 

Adaptimi dhe asimilimi

Në kuadër të kompleksit të normave sociale, dallimet evidente në mes vendlindjes dhe vendit imigrues sjellin probleme dhe vështirësi të mëdha në procesin e adaptimit në mjedisin e ri shoqëror. Mosnjohja e gjuhës dhe shkathtësive të tjera komunikuese, dallimet kulturore, fetare etj., paraqiten si pengesë serioze në adaptimin dhe integrimin më të shpejtë të migrantëve në rrethin e ri sociokulturor. Me këto vështirësi janë ballafaquar sidomos migrantët e periudhave të para të migrimit, por që kjo dukuri vazhdon të jetë e pranishme edhe në ditët e sotme.

Në pyetjen mbi kohën e nevojshme për adaptim në vendin emigrues, 48% e migrantëve thonë se për t’u adaptuar iu është dashur të kalojnë 2 deri 4 vjet: 33% e tyre janë adaptuar vetëm pasi kanë bërë 2 vjet në vendin emigrues, ndërsa 19% e migrantëve u është dashur 4 e më tepër vjet për t’u adaptuar në vendin imigrues. Tempoja e adaptimit është e kushtëzuar nga mosha e migrantëve, andaj migrantët të cilëve iu është dashur një kohë më e gjatë për t’u adaptuar janë kryesisht migrantë me të shtyrë në moshë.

Në pyetjen mbi integrimin ose jo të tyre në mjedisin e ri shoqëror, 52% e migrantëve thonë se janë integruar plotësisht, ndërsa 48% e tyre thonë se nuk janë integruar ende. Pjesëmarrja e lartë e migrantëve që janë integruar është për shkak të faktit se një numër i konsiderueshëm i të anketuarve i takojnë brezit të mesëm dhe të ri të migrantëve të cilët më shpejt kanë pranuar modelet dhe normat e reja kulturore e sociale të vendeve imigruese. Shumë prej migrantëve të brezit të mesëm dhe të ri kanë emigruar në fëmijërinë e hershme (me prindërit e tyre), ndërsa plot prej tyre kanë lindur atje, andaj ata janë rritur dhe edukuar në frymën e mentalitetit shoqëror të vendit imigrues. Kjo shpeshëhere ka për pasojë edhe paraqitjen e kundërshtive në interpretimin dhe mënyrën e përceptimit të problemeve dhe normave kulturore e sociale midis prindërve dhe fëmijëve të tyre. Pavarësimi i hershëm ekonomik nga prindërit, nevoja për një jetë të ndarë dhe individuale, udhëtimet e shpeshta, shkurorëzimiet, shtyrja e moshës së martesës janë disa segmente të jetës sociale që bien ndesh me normat tradicionale të cilat ende përpiqen t’i praktikojnë prindërit e tyre në vendin imigrues.

Nga numri i përgjithshëm i migrantëve që janë deklaruar se kanë vështirësi për t’u integruar, 77,1% e tyre si shkak të mosintegrimit e kanë deklaruar kulturën, 14,1% e migrantëve problemin e gjuhës, 4,3% shkollimin e fëmijëve, 2,1% mënyrën e ushqimit dhe 2% përballen me vështirësi të tjera në procesin e integrimit në mjedisin e ri.

Gjetja e shpejtë e vendit të punës, pagat e larta, kushtet e mira të banimit dhe mbrojtja e mirë shëndetësore e sociale, mirëqenia ekonomike etj., bëjnë që shumica e migrantëve të mos ballafaqohen me vështirësi në jetën e përditshme, andaj 74% e tyre deklarohen se nuk ballafaqohen me asnjë problem në jetën e përditshme. Një numër i caktuar i migrantëve (12%) ballafaqohen me probleme shëndetësore. Puna e rëndë fizike, oraret e gjata të punës, madje edhe mbajtja e dy vendeve të punës, lëndimet në punë etj., janë shkaktarë kryesorë për paraqitjen e problemeve shëndetësore, veçanërisht tek migrantët e brezit të vjetër të cilët kanë edhe karrierë më të gjatë të të punës.

Problemet shëndetësore të migrantëve në plot raste sjellin edhe deri te vështirësitë për realizimin e të drejtave sociale, siç janë pensionimi i parakohshëm, përgjysmimi i orarit të punës, nevoja për pagë (pension) të mjaftueshme për të plotësuar kërkesat në mjediset me mirëqenie të lartë sociale e shëndetësore, pastaj sigurimet fizike, shëndetësore, pronësore etj. Me këto probleme sociale dhe plot të tjera, që nuk u zunë në gojë, thonë se ballafaqohen 6% e migrantëve.

 

Lidhja me familjen dhe vendlindjen

Lidhjet e shpeshta me familjen dhe vendlindjen ngadalësojnë procesin e asimilimit të migrantëve, ndërsa kanë efekt pozitiv ekonomik për vendin emigrues. Vajtje-ardhjet më të shpeshta të migrantëve, komunikimi dhe kontaktet me anëtarët e tjerë të familjes dhe rrethit më të gjerë shoqëror kontribuojnë në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, normave kulturore, ndjenjave farefisnore e kombëtare të cilat gjithnjë e më tepër po bëhen të cenueshme në vendet imigruese.

Në pyetjen se sa shpesh e vizitojnë vendlindjen, të gjithë të anketuarit deklarojnë se e vizitojnë rregullisht atë, ndërsa në pyetjen se sa herë e vizitojnë vendlindjen, pjesa më e madhe (57%), thonë se brenda vitit e vizitojnë vendlindjen 2-3 herë, 13% e migrantëve e vizitojnë mesatarisht një herë vendlindjen, 24% e tyre 3-4 herë dhe 6% më shumë se 4 herë në vit.

Vizitat realizohen kryesisht gjatë periudhave kohore korrik-gusht gjatë verës dhe dhjetor-janar gjatë dimrit kur migrantët i shfrytëzojnë pushimet e tyre vjetore. Vizitat ndërmjet këtyre periudhave janë më të rralla dhe bëhen kryesisht për festa fetare, pastaj vizita të sëmurëve ose me rastin e vdekjeve të anëtarëve të familjes në vendlindje. Përmirësimi i kushteve dhe kostoja më e lirë e transportit, pastaj situata më stabile politike në Luginë dhe rreth saj kanë bërë që në vitet e fundit migrantët të vizitojnë më shpesh vendlindjen.

Derisa në deceniet e para të migrimit mbajtja e kontakteve me vendlindjen realizohej kryesisht përmes postës (dërgimit të letrave) dhe telefonisë fikse, sot zhvillimi i teknologjisë informative ka sjellë risi në mënyrat e komunikimit. Programet dhe rrjetet e ndryshme sociale në internet si skype, viber, facebook, tëitter, messenger, tango, instagram etj., mundësojnë komunikimin audiovizuel mes njerëzve. Kjo formë e komunikimit është mjaft e pranishme edhe tek migrantët e Luginës së Preshevës, prandaj 45% e migrantëve janë deklaruar se e shfrytëzojnë internetin për të mbajtur kontakte me vendlindjen.

Shumica e rrjeteve sociale që shërbejnë për komunikim sot mund të shfrytëzohen nga aparatet telefonike moderne të njohur si “telefona të mençur” (ang. smartphone), të cilët janë bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë së shumicës së njerëzve. Telefoninë, më pak fikse, e gjithnjë e më shumë mobile, për të mbajtur kontaktet e përdorin 51% e migrantëve të Luginës.

Të gjithë të anketuarit janë deklaruar se posedojnë pasuri të patundshme në vendlindje. Mirëpo të dhënat e përpunuara mbi gjendjen dhe mënyrën e shfrytëzimit të pasurisë në vendlindje nxjerrin në shesh efektet negative të shkaktuara nga migrimi i popullsisë në botën e jashtme.

Në fund viteve të 80-ta dhe në fillim të viteve 90-ta të shekullit të kaluar fillon të masivizohet dukuria e bashkimit familjar, me ç’rast prindërit (etërit) që kanë migruar më herët fillojnë të marrin familjet e tyre për shkaqet të cilat u përmendën më lartë. Kjo sjell mbylljen e shumë shtëpive dhe rritjen e sipërfaqeve të tokave të papunuara (ugari social). Dukuria e pronave të pashfrytëzuara konstatohet edhe nga rezultatet e dala prej anketimit, me ç’rast 38,4% e migrantëve thonë se prona e tyre ka mbetur e pashfrytëzuar. Në çdo vendbanim shqiptar të Luginës ka disa dhjetëra shtëpi të migrtantëve që janë të mbyllura dhe hapen vetëm gjatë vizitave, të cilat këta të fundit i bëjnë vendlindjes, kryesisht gjatë pushimeve verore dhe dimërore. Në anën tjetër, si rrjedhojë pason zvogëlimi i numrit të nxënësve dhe i paraleleve në klasët e ulëta të shkollës fillore si indikator kryesor i procesit intensiv emigrues dhe i regresit të përgjithshëm demografik.

Një pjesë e konsiderueshme e migrantëve (57,5%) kanë anëtarë të familjes së ngushtë, qoftë vëllain, nipin a kushëririn, të cilët shfrytëzojnë pronën bujqësore, ndërsa pastrojnë dhe mirëmbajnë shtëpitë e banimit. Pasurinë e patundshme të migrantëve e shfrytëzojnë 4,1% e bashkëatdhetarëve, kryesisht përmes shfrytëzimit të pronave bujqësore.

 

Ndihmat për vendlindjen dhe kthyerja e migrantëve

Remitancat që i sjellin migrantët nga bota e jashtme kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten një burim i rëndësishëm i të ardhurave për ekonomitë familjare të Luginës. Në pamundësi të realizimit të suksesshëm të pjesës së hulumtimit mbi vlerën mesatare të mjeteve financiare të cilat migrantët brenda vitit i sjellin në vendlindje, kemi vënë theksin për të parë destinimin e të hollave që sjellin migrantët dhe mënyrën se si shfrytëzohen ato nga familjarët në vendlindje. Pjesa dërmuese e migrantëve i ndihmojnë anëtarët e familjes në vendlindje. Prej tyre 47% i ndihmojnë rregullisht, 48% i ndihmojnë në rast nevoje, ndërsa 5% nuk i ndihmojnë familjet e tyre në vendlindje.

Më se gjysma e migrantëve (58%) thonë se ndihmat financiare që u dërgojnë familjarëve, shfrytëzohen për plotësimin e nevojave elementare jetësore. Edhe sot e gjithë ditën shumë familje të Luginës arrijnë të mbijetojnë dhe të sigurojnë kushtet elementare për jetesë vetëm falë këtyre ndihmave. Të hollat që i sjellin migrantët shfrytëzohen edhe për shpenzimet shëndetësore, zakonisht për të sëmurët, shërimi i të cilëve kërkon trajtim të posaçëm mjekësor dhe bëhet në qendrat e mëdha si Prishtina, Tirana, Shkupi e Beogradi. Për këtë qëllim ndihmat i dërgojnë gjithsej 12% e migrantëve. Për martesa e funerale shpenzohen 8% e dërgesave, për ndërtimin e shtëpisë 9% e të hollave, për shkollim 9%, për investime në amvisëri 2% dhe investime në bujqësi 2%.

Përveç ndihmave që sjellin, një pjesë e migrantëve kanë investuar kapitalin e tyre në vendlindje për hapjen e biznesit, pastaj në ndërtimtari, infrastrukturë ose duke dhënë kontribute të ndryshme kombëtare. Nga të anketuarit gjatë hulumtimit u pa se 62% e tyre kanë investuar në vendlindje, ndërsa 38% nuk e kanë bërë këtë. Mënyra më e shpeshtë e investimit të kapitalit është dhënia e kontributeve të ndryshme kombëtare, të cilat si në Kosovë, ashtu edhe në trojet e tjera etnike shqiptare në ish-Jugosllavi, kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm për sensibilizimin e pozitës së rëndë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe për përballimin e kushteve ekstreme të varfërisë.

Migrantët janë anëtarësuar nëpër shoqatat dhe fondet e ndryshme, të themeluara nëpër shumë vende të Evropës, duke ndarë një shumë të caktuar nga të ardhurat mujore për të ndihmuar popullsinë shqiptare në vendlindje. Këto ndihma në të shumtën e rasteve janë destinuar për ndihmë familjeve me varfëri të skajshme, për ndërtimin e shtëpive dhe realizimin e projekteve infrastrukturore, ndërsa me shpërthimin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës, nga migrantët fillojnë të mblidhen shuma të mëdha të të hollave të cilat dërgohen për të ndihmuar në forma të ndryshme luftën në Kosovë dhe në Luginë. Për këtë qëllim e kanë investuar kapitalin e tyre 71,1% të migrantëve. Ndërkaq numri i migrantëve të cilët kanë investuar kapitalin në hapjen e ndonjë biznesi është shumë më i vogël (12,8%), ndërsa në ndërtimtari (shtëpitë) kanë investuar 16,1% e migrantëve.

Nga vështrimi mbi format e investimit të kapitalit në vendlindje mund të vërejmë se deri tani potenciali ekonomik i mërgatës së Luginës nuk ka arritur as për së afërmi të valorizohet. Kontributet e ndryshme kombëtare si forma më e shpeshtë e investimit të kapitalit kanë pasur për qëllim të ndihmojnë përballimin e gjendjes së vështirë ekonomike, por nuk kanë arritur të krijojnë vende pune dhe të gjenerojnë zhvillim ekonomik.

Në mesin e migrantëve që ndodhen në botën e jashtme sot ka pronarë të ndërmarrjeve ndërtimore dhe bizneseve të vogla të cilët dëshirojnë të investojnë kapitalin e tyre. Por mungesa e stabilitetit politik dhe ekonomik, burokracia e skajshme në administratë dhe barrierat e tjera që paraqiten për hapjen e ndonjë biznesi ose mini-reparti industrial e kanë shndërruar rajonin në një mjedis të pasigurtë për investime. Për një situatë të tillë përgjegjësinë duhet kërkuar edhe te organet e pushteteve lokale në Preshevë dhe Bujanoc, të cilat, përveç afisheve me të cilat u urojnë mirëseardhje bashkatdhetarëve, nuk ndërmarrin asnjë iniciativë, së paku për të takuar migrantët dhe për t’u ofruar informacione elementare mbi mundësitë dhe përparësitë e investimit të kapitalit të tyre në vendlindje.

Përkundër të gjitha vështirësive të cilat u përmendën, megjithatë te shumica e migrantëve ekziston vullneti dhe dëshira për të investuar në të ardhmen në vendlindje. Kështu janë deklaruar 82% e migrantëve, ndërsa 18% e tyre thonë se nuk planifikojnë në të ardhmen të investojnë në vendlindje. Koha e gjatë e kaluar jashtë familjes, adaptimi dhe integrimi në mjediset sociokulturore ku jetojnë, bëjnë që dalëngadalë tek një numër i caktuar i migrantëve të venitet ndjenja dhe dëshira për t’u kthyer në vendlindje. Se nuk planifikojnë të kthehen në të ardhmen janë deklaruar 37% e të anketuarve, ndërsa 63% e tyre mendojnë që në ardhmen do të kthehen në vendlindje.

Duke analizuar moshën e të anketuarve, në pyetjen mbi kthimin ose jo në vendlindje të migrantëve, vërejmë se ata që deklarohen se nuk do të kthehen janë migrantë që i takojnë brezit të mesëm dhe të ri. Në anën tjetër, shumica e migrantëve të cilët mendojnë se do të kthehen në vendlindje këtë e arsyetojnë me lidhshmërinë emotive për vendlindjen dhe familjen.

"Faleminderit Presheva! Kombi bëhet një në ditën e nevojës" (Video)
Myftiu Saqipi vizitoi Ambasadën e Arabisë Saudite në Tiranë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration