Lokale
LPD - UDSH-së: Merreni më akuza të pabaza dhe shpifëse
Lëvizja e Progresit Demokratik (LPD), zgjerimin e koalicionit qeverisës në Bujanoc e vlerëson një hap pozitiv drejt konsolidimit të institucioneve komunale, të dala nga zgjedhjet e vitit të kaluar për pushtet lokal.
LPD, reagimin e Unionit Demokratik Shqiptar (UDSH) për kinse shkelje të “Marrëveshjes së përbashkët të 6 qershorit e konsideron tendencioze dhe ndjellakeqe.
LPD ia përkujton UDSH-së se nuk kemi të bëjmë me ndonjë marrëveshje por për një Kumtesë, të përbashkët e cila kishte për synim “bashkëveprim politik brenda përbërjes së Kuvendit komunal në Bujanoc, me qëllim të mbrojtjes të interesave jetësore të shqiptarëve në komunën e Bujanocit”.
“Është e drejtë e çdo subjekti politik të vendos për të hyrë në pushtet ose për të qëndruar në opozitë”, thotë LPD duke theksuar se zgjerimi i koalicionit qeverisës është një proces i dyerve të hapura për të gjithë ata që dëshirojnë të jenë pjesë e qeverisjes efikase e të përgjegjshme.
“UDSH në Bujanoc, s’ka nevojë të merret më akuza të tilla të pabaza dhe shpifëse. Participimi në pushtet për avancimin dhe afirmimin e institucioneve të dala nga vota e popullit, nuk do të thotë “shkelje mbi gjakun e dëshmorëve”, siç reagon UDSH-ja shkruan në reagimin e Lëvizjes së Progresit Demokratik.
Mëtej subjekti i Jonuz Musliut thotë se “LPD është një subjekt i dëshmuar për realizimin e kërkesave të shqiptarëve për më shumë të drejta në fushën e të drejtave individuale dhe kolektive, prandaj do krahasim për kinse servilizëm, paterica e interesa personale, i qofshin me nder UDSH-së”.
Pavarësisht nga reagimet e UDSH-së, Lëvizja e Progresit Demokratik, kërkon nga spektri politik shqiptar i Luginës së Preshevës, për një unitet rreth manifestimeve të përvjetorëve të UÇPMB-së dhe unifikimit të qëndrimeve konform Referendumit të 1 dhe 2 marsit 1991, pastaj në pajtim me Marrëveshjen e Konçulit dhe Platformën e këshilltarëve shqiptarë të tre kuvendeve të vitit 2006, për ta jetësuar vullnetin e popullit të shprehur me referendum për bashkim me Kosovën, thuhet në kumtesën e nënshkruar nga lideri i LPD-së, Jonuz Musliu./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!