Lokale
Komunalia: “At home” pa orë matëse dhe me borxhe
Punëtorët e ndërmarrjes “Komunalia” në Bujanoc gjatë aksionit për regjistrim dhe verifikim të funksionalizimit të orëve matëse të ujit të pijshëm kanë hasur edhe në kyçje të cilat nuk regjistrojnë harxhimet.
Në një njoftim të lëshuar sot nga drejtori i kësaj ndërmarrje publike Ragmi Ramizi, në mesin e shfrytëzuesve që akuzohen për shfrytëzim dhe mospagesë të ujit është edhe kafiteria “At home” në Bujanoc.
Gjatë vëzhgimit të punëtorëve të “Komunalisë” është parë se objekti në fjalë ka të instaluar dhe shfrytëzon ujësjellësin, ndërsa sipas zyrtarëve të kësaj ndërmarrje, harxhimet e ujit nuk janë paguar.
Në këtë njoftim drejtuesi i “Komunalisë” i drejtohet shefit të këshilltarëve të PVD-së Ragmi Mustafës, udhëheqës i kafiterisë në fjalë, i cili ishte ndër kritikuesit më të mëdhenj të mungesës së ujit, derisa Ramizi thotë se pikërisht Mustafa del si keqpërdoruesi më i madh i këtij burimi.
“Keqpërdorues më i madhe po na del se tash janë pikërisht ata që nëpër fejsbukat e tyre shkruajnë për „Apotheoza të ujit“, “Rrena si hurma“, “Fajtorë nxemja globale“, shkruan Ramizi.
Ai matej ka shtuar se “shfrytëzuesi i vërtet i këtij lokali Shkëlzen Ademi nga Tërnoci që nga data 30.07.2009 e deri më 26.08.2010 nuk ka pagu asnjë të vetmin dinarë për të gjitha shërbimet e “Komunalisë” që kapin shumën diku afër 15.393,00 din, ndërsa shfrytëzuesi i dytë i këtij lokali nga data 26.08.2010 deri më 01.09.2011 në emër të bartjes së mbeturinave për 22 m2 ?! ka pagu nga 620 din në muaj. Prej kësaj date e deri në ditën e sotme për të gjitha shërbimet e “Komunalisë” si : uji, mbeturinat dhe kanalizimi nuk ka pagu asnjë dinarë të vetëm edhe pse borxh i përgjithshëm për shërbimet tona arrin shumën rreth 475.833,12 din”.
Në regjistrimin që ka bërë ekipi i kësaj ndërmarrje ka arritur të konfirmojë lidhjen në ujësjellës ndërsa pala në këtë rast nuk ka mohuar shfrytëzimin e ujit, duke thënë se “që nga momenti që ka filluar të punojë e ka gjetur objektin pa orë matëse, ujin e shfrytëzon dhe se deri më sot nuk ka marrë faturë për pagesë të ujit”.
Mirëpo në njoftimin e drejtorit Ragmi Ramizi thuhet se ekipet e “Komunalisë” katër herë ishin në lokalin “At home” për të kërkuar përmbushjen e obligimeve, por me këtë rast punëtorët janë pritur keq, siç thuhet, “sikurse të merren në bisedë informative: Kush ju ka çu, pse keni ardh, e dimë ne se kjo është për shkaqe politike, do të ia tregojmë qefin atyre etj.”
Nga ana tjetër Mustafa mohon akuzat për keqpërdorim dhe borxhe. Ai në një postim të tij në faqen zyrtare në facebook thotë se “as fifty cent borxh nuk ia kam”.
Drejtori i “Komunalisë” ka bërë edhe njëherë ftesë që “shfrytëzuesit të ndërgjegjësohen, pasi vetëm atëherë do të kemi një gjendje më të mirë dhe favorshme, kur nuk do të kemi nevojë që njëri tjetrin ta njollosim në mënyra të flliqta”./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!