Komuna e Bujanocit aprovon buxhetin në rritje për vitin 2022
Në faqen zyrtare të komunës së Bujanocit në Facebook është publikuar aprovimi i propozim buxhetit për vitin 2022.
Teksti i plotë i pubikuar në Facebook:
Me 22 vota PËR, 2 KUNDËR dhe asnjë ABSTENIM, këshilltarët e Kuvendit komunal të Bujanocit kanë aprovuar buxhetin për vitin 2022, i cili kap vlerën prej 2.011.000.000 dinarëve.
Ky buxhet parasheh rritje në pozicionin e zhvillimit ekonomik për 100%, gjegjësisht nga 12 milionë në vitin 2021 në 24 milionë për vitin 2022.
Do të ketë rritje edhe në fushën e bujqësisë, ku mjetet e parapara kapin vlerën prej 18.500.000 dinarëve.
Për aftësim profesional do të jenë 15 milionë dinarë në dispozicion.
Për 50% rritje do të ketë edhe pozicioni i bursave studentore, respektivisht nga 10 milionë në vitin 2021 në 15 milionë për vitin 2022.
Rritje do të ketë edhe në fushën e sportit, medias, zyrës për të rinj.
Pjesa më e madhe e buxhetit do të shpërndahet në funksionimin e sistemit arsimor, si dhe përmirësimin e kushteve në arsim. Disa nga shkollat do të renovohen, e disa të tjera do të përfitojnë terene sportive moderne.
Risia e këtij e buxhetit është futja e pozicionit për pagesën e shujtave të nxënësve të shkollave fillore për vitin akademik 2022/2023, si dhe sigurimi i transportit për nxënësit e shkollave të mesme.
Për herë të parë pas shumë viteve, ka ulje në investimet e infrastrukturës rrugore, përkundër kërkesave shumë milionëshe nga bashkësitë lokale.
Përpilimi i buxhetit ka filluar të përgatitet nga muaji nëntor, në diskutim me të gjitha bashkësitë lokale, drejtorat e ndërmarrjeve publike dhe institucioneve arsimore, si dhe me qytetarë tjerë.