Këshilltari i presidentes së Kosovës: Jemi të angazhuar t’u dalë në ndihmë banorëve të Luginës
Këshilltari i presidentes Vjosa Osmani, Artan Murati, deklaroi se institucionet e vendit janë angazhuar në dy vjetët e fundit që ta ndërkombëtarizojnë problemin e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Serbi.
Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ai tha se nga tetori i vitit të kaluar, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara këtë çështje e ka ngritur Vjosa Osmani dhe, sipas tij, kjo ishte hera e parë që diskutohet kjo temë në nivel kaq të lartë dhe se asnjëherë në OKB nuk ka arritur të dëgjohet kjo nga liderët institucionalë.
“Është ngritur në vazhdimësi pasivizimi i adresave për qytetarët e Medvegjës, Preshevës e Bujanocit dhe kjo duke u vënë theksi te shkeljet dhe aplikimi selektiv i ligjit për vendbanime. Qytetarët shqiptarë nuk janë pakica e vetme shqiptare që jetojnë në Serbi, por nëse shihet se ndaj kujt zbatohet me përpikëri ai ligj, vërehet se targeti janë pikërisht shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës”.
“Ka qenë një proces zgjedhor i vitit 2015, ku riinteresimi i shqiptarëve për të votuar ishte shumë i lartë dhe pothuajse të gjithë votuesit ishin ndaluar në kufi me pretekstin se nuk po funksionojnë sistemet që e bënin regjistrimin e personave që kalonin kufirin. Kjo cilësohet si pikënisje e pasivizimit të adresave të shqiptarëve atje, pra ka qenë një nga shkëndijat e para dhe ka vazhduar në mënyrë aktive që nga ajo kohë”.
“Që nga viti 2020 e tutje kanë filluar të merren edhe veprimet konkrete dhe hapa që do të ofrojnë zgjidhje në dy fusha. Qasja e parë ka qenë politike, pra duke e tentuar ndërkombëtarizimin e këtij problemi dhe duke kërkuar që të merren masa ndaj Serbisë, dhe hapi i dytë janë me masa ligjore e teknike, d.m.th. në Republikën e Kosovës, sidomos për të parandaluar qytetaret për t’i lënë pa asnjë shtetësi, meqë një numër i madh i tyre janë pasivizuar nga Serbia dhe nga ana tjetër s’kanë arritur ta fitojnë shtetësinë e Kosovës”.
Murati në fund theksoi se për ta luftuar këtë çështje nga ana e institucioneve tona, është i rëndësishëm faktimi i gjithë këtyre shkeljeve që po i bën Serbia dhe se këtu rol të madh luajnë aktivistët dhe banorët e Luginës në ofrimin e fakteve dhe dëshmive, që kjo do të ndihmojë në përpilimin e fakteve dhe rrethanave.