Kadriu: Shqiptarëve të Luginës “pa adresë” po u konfiskohen edhe pasaportat (VIDEO)
Kryetari i Lëvizjes Vatra, Kushtrim Kadriu, foli për dukurinë e pasivizimit të banorëve shqiptarë në Luginën e Preshevës, duke treguar se vetëm në vitet e fundit në Gjilan janë pasivizuar 455 banorë.
“Ky proces më së shumti ka prekur banorët nga Kosova Lindore, të cilët jetojnë në Republikë të Kosovës, pasi kanë qenë target i lehtë i organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, për të mos i gjetur në shtëpitë e tyre, pasi që janë dëbuar në vitin 1999”, tha Kadriu në Rubikon të Klan Kosovës.
“Në Gjilan, vetëm në dy vitet e fundit kemi 455 banorë, të cilëve u janë pasivizuar adresat, nga të cilët 217 janë meshkuj dhe 238 femra”.
Kadriu tha se Serbia po e ushtron këtë veprimtari me arsyetimin se këta qytetarë nuk jetojnë në vendbanimet që i kanë pasur para vitit 1999.
“Numri madh i këtyre banorëve janë zhvendosur me dhunë për në Kosovë në vitet 1999-2002. Shtëpitë e tyre janë demoluar dhe mungesa e sigurisë ka bërë që të mos kthehen”, u shpreh Kadriu.
Kryetari i Lëvizjes Vatra tha se kanë bërë përpjekje të mëdha për ndërkombëtarizim të kësaj çështjeje, por se nuk është arritur rezultat konkret.
“E gjithë Malësia e Bujanovcit, Karadaku i Preshevës dhe Medvegja në tërësi gati se u janë pasivizuar dokumentet e identifikimit, e me këtë rast për këta banorë është bërë gati i pamundur kthimi në shtëpitë e tyre”, tha Kadriu.
“Qytetarët jo që nuk njoftohen përmes postës, por shumë të dëbuar që i kanë pasaportat, kur kalojnë kufirin serb, ua marrin pasaportat. I kemi edhe disa raste në Maqedoni dhe Shqipëri, ku edhe aty u është marrë pasaporta”.