Lokale
Kamberi: Asgjë s’është e pamundur... E kam zgjedhur rrugën e opozitës
Nënkryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) Shaip Kamberi gjatë një intervistë për portalin informativ Titulli.com ka folur për situatën në Luginë
Gjatë intervistës Kamberi ka deklaruar se popullata shqiptare e Luginës së Preshevës (LP) në mënyrë sistematike është duke u përjetuar diskriminimin shtetëror, duke ia shkelur të drejtat fundamentale individuale, ato kolektive politike dhe deri te rrezikimi i mirëqenies ekonomike.
Kamberi thotë se gjendja ekonomike është katastrofave në rajon mirëpo ai nuk pajtohet me tendencat e fundit që problemi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës të cilësohet vetëm si problem ekonomik, pasi para së gjithash ai është politik.
“Asgjë s’është e pamundur”, shprehet Kamberi kur është fjala për bashkimin e spektrit politik shqiptar drejt qëllimeve të përbashkëta kombëtare.
“Nëse partitë politike shqiptarë i mbesin besnik asaj që në formën e shkruar e kanë si Program politik dhe në praktikë e respektojnë programet e veta, ndërkohë që ato nuk ia nënshtrojnë interesave të thjeshta individuale, grupore apo klanore, hapësira për bashkëpunim është e madhe”, thotë ish kryetari i Komunës së Bujanocit.
Duke folur për Kuvendin e këshilltarëve shqiptar të LP i cili tashmë ka marrë një dimension të ri, sipas bashkëbiseduesit, ai do të jetë më efikas dhe do të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e shqiptarëve në këtë rajon.
Kamberi dhe subjekti i tij politik do të përkrahin edhe çdo projekt që realizohet nga pushtetit lokal në Bujanoc dhe i cili ka për qëllim përmirësimin e kushteve të qytetarëve.
“Përkrahim projektet që realizohen në mënyrë transparente dhe nga procesi i realizimit të të cilëve çrrënjoset korrupsioni. Nuk mund të përkrahim vetëm ato projekte që i shërbejnë politikës ditore, respektivisht, që realizohen me të vetmin motiv që partnerit politik t’i jepet diçka në shkëmbim të përkrahjes politike”, thotë kryetari i degës së PVD-së në Bujanoc.
“Mjerisht, nuk mund të përkrahim projektet e fundit të cilat ka nisur të realizojë Direkcioni për ndërtim. Arsyeja është e thjeshtë mjetet për investime kapitale nuk mund të përdoren për renovimin e kishave apo rrugëve të varrezave, ato mjete duhet të përdoren për projektet të cilat janë definuar si kapitale”, thotë Kamberi.
Në pyetjen se çka e shqetëson më së tepërmi Shaip Kamberin, ai përgjigjet: “Nuk ka asnjë shqetësim që ka të bëjë me personalen. Unë me vetëdije e kam zgjedhur rrugën e opozitës. Mund të them se shqetësimet e mia janë shqetësime që duhet ta ngacmojnë ndërgjegjen e çdo individi, prej krizës ekonomike, pabarazisë politike, diskriminimit sistematik shtetëror dhe gjithçkaje që ka të bëjë me mbajtjen e shqiptarëve në pozitë inferiore politike, apo pozitë diskriminuese”.
Në këtë intervistë Kamberi flet edhe për largimin e punëtorëve shqiptar nga puna si dhe arsyen e mos hapjes së shkollës fillore në lagjen e strukarëve në Tërnoc./Titulli.com/
Intervistën e plotë mund ta lexoni duke klikuar KËTU
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!