Lokale
Siç shkuan edhe kthehen!
Shkuan të ndarë në makina ashtu edhe u kthyen nga takimi me ministrin Ditmir Bushati, katër liderët politik të Luginës së Preshevës.
As Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati nuk arriti që sonte të përafrojë qëndrimet diametralisht të kundërta sa i përket daljes së përbashkët në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 16 mars në Serbi.
Siç dihet Partia për Veprim Demokratik është partia e vetme politike që ka marrë vendim për të marrë pjesë në zgjedhje, përderisa pjesa tjetër e spektrit politik të Luginës është shprehur pro bojkotimit të zgjedhjeve parlamentare.
Në takimin e sotëm në të cilën morën pjesë deputeti Riza Halimi, kryetarët e komunave Bujanoc dhe Preshevë, Nagip Arifi dhe Ragmi Mustafa si dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Galip Beqiri, nuk u arrit marrëveshje sa i përket daljes së përbashkët në këto zgjedhje.
As ndërmjetësimi dhe sugjerimet e ministrit Bushati nuk arritën të zbusin qëndrimet e palëve, përderisa, siç ka mësuar Titulli, në tavolinë mes tjerash ishte propozimi që palët të ndajnë mandatin e deputetit në bazë të forcës që kanë në Kuvendet Komunale të Luginës, të dala nga zgjedhjet lokale të vitit 2012-të.
Ky ishte takimi i dytë brenda dy javësh i liderëve shqiptarë të Luginës me ministrin shqiptar Ditmir Bushati, që për qëllim kishte unifikimin e subjekteve shqiptare që veprojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, për të marrë pjesë në zgjedhjet Parlamentare që do të zhvillohen më 16 mars në Serbi./Titulli.com./
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!