Sa vlen një shqiptar?!
Lokale

Sa vlen një shqiptar?!

04.Jun.2018 11:33
0
Nëse nuk do të ishin kriteret rreptësisht matematike përdorur nga institucione të ndryshme ekonomike ndërkombëtare me anë të të cilave përcaktohen matrica rritje dhe mirëqenie, vlera e jetës së një shqiptari nuk do të kuptohej me gjuhën e shifrave.

Nga Ben Andoni

Në fakt, nuk është se kushton aq shumë, në praktikë. Kujdes, nuk është se këtu po bëjnë përjashtim qytetarët e tjerë të vendeve në zhvillim ose të varfra, porse neve na vlen në këtë argument vetëm ajo që flitet për ne.

Në një vlerësim të Bankës Botërore, që i është referuar të dhënave të vitit 2014, Shqipëria duke përfshirë njerëzit, pasuritë natyrore dhe prodhimin kombëtar është çmuar me vlerën e 153,6 miliardë dollarëve. Vlera më e madhe i shkon kapitalit human (njerëzit) me rreth 66 miliardë lekë, duke zënë kështu 42 për qind të totalit të vlerës së pasurisë së Shqipërisë. Në gjuhën e shifrave kjo nuk do të thotë asgjë ose do të thotë shumë për burokratët, por kjo është e palexueshme në atë vërtetësi sesa vlen realisht një shqiptar.

 

Për këtë duhet të kishte një kriter rreptësisht matematik me një atribut moral-etik. P.sh. në këtë të fundit mund të konsiderojmë pagesën që një shqiptari të thjeshtë i takon pas daljes në pension dhe për të ardhur keq është se ajo është e barazvlefshme me 1/4 ose 1/5 e rrogës që ai ka përftuar në moshën aktive të punës.
Jo fare çuditërisht, me gjithë kushtet e këqija ekonomike të vendit por edhe paradoksin e një modeli ekonomik që rezultoi dështim, Shqipëria socialiste i paguante një qytetari shqiptar 3/4 e rrogës që ai meritonte kur ishte i punësuar. Për vit flitet për matrica, skema pensionesh, por një gjë është fakt: shqiptari i moshës së tretë është një person krejt i zvetënuar dhe me rrogën që merr është një barrë për të afërmit, por edhe i jetës së vet të mjerë, ku atij i humbet veç statusi shoqëror çdo gjë e cila lidhet me një lloj kamje. Ky ishte gjykimi për njeriun që nuk kontribuon dot më për përmirësimin e statistikave që vlejnë për GDP e vendit.
E, nëse do t’i referohemi atij që kontribuon gjendja është më e keqe. Shqipëria ka ende një shifër të frikshme të papunësisë, shpërndarje jo të rregullt të të mirave materiale dhe një shtet a-social që ndihmon të pasurit kundër të varfërve. Të mjafton të shikosh ligjet dhe interpretimet që u bëhen atyre, të kuptosh batakun ku e kanë futur monopolet ekonominë e vendit dhe urrejtjen që administrata e shtetit ka ndaj shqiptarit të thjeshtë, e kupton argumentin e vërtetë sesa vlen në fakt jeta e shqiptarëve.

Shqipëria është makth për shqiptarët lidhur me mungesën e rregullave të lojës, respektin ndaj shtresave në nevojë dhe politikën e atillë që pengon qytetarin e thjeshtë të kontribuojë si duhet dhe të marrë ato që i takon. Le të marrim për bazë, dy shërbime bazike, për të cilën kontribuon e gjithë shoqëria: shërbimi mjekësor dhe ai arsimor. Shërbimi mjekësor, tashmë është i munguar në rajone të tëra të vendit, kurse shpërndarja e mjekimeve dhe ndihma që i vjen pacientëve direkt në spitale apo ata që trajtohen në shtëpi është skandaloze. Pa përmendur listat e ilaçeve dhe spekulimet e monopoleve dhe politikanëve me ilaçet e fatkeqëve ankesat e të cilave kryeministri i ka marrë live.
Sistemi arsimor tashmë është i degraduar por edhe një barrë tjetër, që i takon si përfitim gjithnjë e më shumë pinjollëve të të pasurve dhe pak atyre për të cilat sakrifikojnë familjet e që mund të ndjekin shkollën jashtë. E themi këtë sepse vetëm ata kanë mundësi pastaj të punësohen lehtë, falë dhe ndihmës së pakursyer që jep ajo pjesë e shoqërisë shqiptare, e cila mendon thjesht të shpërndajë të mirat materiale vetëm te shtresa e tyre. Arsimi ka rënë në kuotat më të ulëta dhe niveli i të paditurve funksional është frikshmërisht i madh.

Në këtë hulli jetojnë dhe punojnë shqiptarët e thjeshtë, të cilët u duhet t’u mbijetojnë situatave të ndryshme. Fillimisht, të mposhtin informalitetin për të cilin kontribuojnë të gjithë dhe pamundësinë që u jep shpërndarja jo e drejtë e gjërave në vend.

Në Shqipëri është e vërtetë që kapitali human, referuar BB, është më i vlerësuar sepse burimet e tjera janë pjesë e përvetësimit nga pakica që ka në dorë fatet e vendit. Duhet shtuar këtu edhe makutëria e shumicës së pronarëve të rinj që ka ende në kokë urrejtjen e komunistëve për pronat, duke përvetësuar pronat reale dhe duke i kthyer pronarët realë në skamnorë dhe lypës të pronës së tyre.

Dhe ndodh, që falë këtij realiteti, 1 milionë shqiptar, referuar Bankës Botërore jetojnë me më pak se 500 Lek në Ditë (E Euro), ndërsa një masë e madhe dëshiron të ikë nga vendi. Po a ka vallë ndonjë parametër të faktit sesa kushton një shqiptar? Për patetikët nuk ka, por në realitet jeta e shqiptarit vlen gjithnjë e më pak…Ndaj shqiptarët lindin gjithnjë e më pak dhe Shqipëria po bjerret nga shqiptarët.
Për këtë duhen pyetur më mirë politikanët që duan të amnistojnë pasuritë e tyre apo gjyqtarët që u kanë marrë drejtësinë njerëzve apo ata që kanë përvetësuar pronën publike…

Ky është paradoksi shqiptar i kohëve moderne të Demokracisë së shekullit XXI. Në ndihmë dalin matricat matematike të ekonomistëve që i japin një vlerë jetës së shqiptarit, e cila në fakt nuk i përgjigjet asfare realitetit ku jetojmë. Sa vlen realisht një shqiptar?

Familja Rexhepi në Bujanoc vuan për bukë të gojës gjatë Ramazanit
Përfundon festivali "Gëzimi Ynë" në Preshevë, ndahen 13 çmime
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration