PVD shpreh shqetësimin për bisedat informative në Bujanoc
Partia për Veprim Demokratik ka shprehur shqetësimin lidhur me ftesat për biseda informative të qytetarëve shqiptarë të komunës së Bujanocit që po marrin nga inspektorët e MPB-së.
PVD thotë se shërbimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë ftojnë qytetarët në biseda informative përmes telefonit dhe nëpër ambiente private, që sipas kësaj partie paraqet jo vetëm shkelje të dispozitave të kodit të procedurës penale, por edhe fushatë të frikësimit me metoda të mirënjohura të policisë politike ndaj shqiptarëve, transmeton Titulli kumtesën e këtij subjekti politik shqiptar.
Partia për Veprim Demokratik vlerëson se për këtë fushatë të "bisedave informative" për pasojë ka frikësimin e qytetarëve shqiptarë në Bujanoc, dhe që do të njoftojë veç autoriteteve vendore edhe institucionet ndërkombëtare./Titulli.com/
************************************************************************************************************************************
PARTIA PËR VEPRIM DEMOKRATIK
DEGA BUJANOC
17. 06. 2014
Partia për Veprim Demokratik me shqetësimin më të madh është duke përcjellur fushatën e bisedave informative të cilat, kohën e fundit, me qytetarët shqiptarë të komunës së Bujanocit, po i zhvillojnë shërbimet e Ministrisë së punëve të brendshme të Serbisë.
Shqetësimi është më i madh veçanërisht për shkak se ato po zhvillohen duke u ftuar qytetarët në "biseda informative" me shkelje të rregullave ligjore. Keqpërdorimet që po i bëjnë inspektorët e MPB-së, duke i ftuar qetarët në "biseda informative" përmes telefonit dhe në takime që duhet të mbahen nëpër hotele apo ambiente private paraqet jo vetëm shkelje të dispozitave të Kodit të procedurës penale, por, edhe fushatë të frikësimit me metoda të mirënjohura të policisë politike ndaj shqiptarëve.
Mënyra e thirrjes së qytetarëve në "biseda informative" është rregulluar me nenin 288 të Kodit të Procedurës Penale, dhe çfarëdo thirrje në formë tjetër jashtë kësaj dispozite paraqet shkelje flagrante nga ana e inspektorëve të MPB-së.
Partia për Veprim Demokratik, fton qytetarët që për çfarëdo ftese që marrin për "bisedë informative" nga ana e inspektorëve të MPB-së, dhe e cila është në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, rastin ta paraqesin në zyrat e Partisë për Veprim Demokratik dhe Këshillit për të Drejtat e Njeriut.
Për këtë fushatë të "bisedave informative" kundërligjore, që për pasojë ka frikësimin e qytetarëve shqiptarë në Bujanoc, Partia për Veprim Demokratik, do të njoftojë veç autoriteteve vendore edhe institucionet ndërkombëtare.
Bujanoc, 17 qershor, 2014
Partia për Veprim Demokratik
Riza Halimi - kryetar