Gordana Jankoviq nga OSBE, viziton redaksinë e Portalit Informativ Titulli
Drejtoresha e Departamentit të Mediave pranë misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) në Serbi, Gordana Jankoviq ka vizituar redaksinë e Portalit Informativ-TITULLI në Bujanoc.
Menaxhmenti i mediumit të vetëm online me redaksi në Luginë, e ka njoftuar drejtoreshën për problematikën e promovimit të fjalës së lirë në këtë rajon.
Gordana Jankoviq, tha se OSBE ka ndihmuar dhe do të vazhdojë të përkrahë profesionalizmin e mediave.
“Unë kam dëgjuar për punën e mediumit tuaj, mirëpo pas vizitës së sotme do të përcjell më seriozisht zhvillimin dhe avancimin e gazetarisë në portalin Titulli. Unë ju këshillojë që të zgjeroni rrjetin e bashkëpunimit me mediat tjera në vend dhe rajon”, tha Jankoviq.
Skender Saqipi, drejtor i Portalit Informativ-TITULLI gjatë takimit me përfaqësuesit e departamentit të mediave pranë OSBE-së theksoi se media e pavarur në Luginë po përballet me presione të vazhdueshme nga faktori politik e institucional lokal.
“Mediumi jonë është e vetmja dritare e informimit në këtë rajon që pasqyron realitetin shoqërorë në mënyrë objektive dhe saktë. Gjithashtu financimi i punës së këtij mediumi është problematikë në vete dhe mungesën e fondeve nga organizatat ndërkombëtare në Serbi”, tha Saqipi.
Ai ka përmendur edhe buxhetin komunal të taksapaguesve që i ndahet mediave të cilët propagandojnë në favor të qeverisjes lokale e që harrojnë ruajtjen e interesit të qytetarëve.
Pjesë e vizitës ishte edhe Sërgjan Gjurgjerviq e Iljasa Musliu nga departamenti i mediave pranë OSBE-së në Serbi.
Duke folur për planet e redaksisë TITULLI, Argjent Goga kryeredaktor pranë këtij medium theksoi nevojën e ri funksionimit të redaksisë në gjuhën serbe, që fuqizon edhe më shumë fjalën dhe rëndësinë e rolit të gazetarisë në këtë rajon.
“Redaksia në gjuhën serbe do të forcojë rolin e punës sonë, sepse në këtë mënyrë lajmet e prodhuara lokale nga Bujanoci, Presheva e Medvegja do të plasohen edhe tek mediat kombëtare në Serbi që do të shtojë ndikimin gazetarisë në këtë rajon”, deklaroi Goga.
Kryeredaktori, Goga foli edhe për bashkëpunimin me redaksitë e mediave lokale dhe kombëtare në vend e rajon, që në të shumtën e rasteve TITULLI mbetet i vetmi burim i pavarur informacioni për mediat në Kosovë, Maqedoni dhe Serbi.
Gjatë këtij takimi është vlerësuar se Portali Informativ-TITULLI duhet të vazhdojë punën në përkrahjen e promovimin e fjalës dhe mendimit të lirë përkundër vështirësive, presionit dhe frikës së vazhdueshme./Titulli.com/