Pse i duhet një “Rilindje” Luginës...?!
Vështrime

Pse i duhet një “Rilindje” Luginës...?!

30.Jun.2013 14:55
0
Rilindja, si formacion shoqëror, kulturor, ekonomik, arsimor e politik, ka luajtur rol të veçantë në zhvillimin dhe themelimin e shtetit shqiptar.
Pas përfundimit të periudhës së romantizmit letrar, në botën shqiptare u shpalos një periudhë tjetër e organizimit shoqëror, ajo e politikës.
Shkruan: Drilon Hyseni
Drilon-Hyseni
Politika shqiptare, në fillim lindi me një parti, për të vazhduar me shumë sish, këtu e një çerek shekulli më parë. Sistemi pluralist, u prit mirë nga shqiptarët, në të gjitha hapësirat e etnikumit shqiptar.Në Shqipëri dhe Kosovë, vlerat e proceseve politike, manifestoheshin shpesh me reforma e ndryshime, por jo edhe në krahinat tjera shqiptare, të cilat patën e kanë fatin të administrohen nga shtete joshqiptares si Serbia, Maqedonia e Mali i Zi. Këtë vit, në Shqipëri, e majta shqiptare përmes “Rilindjes” kombëtare, doli një fitimtare e zgjedhjeve të reja, duke i dhënë një shembull të mirë proceseve demokratike shqiptare. Me platformën e “Rilindjes” së rilindur si proces, nuk do të fitoj vetëm e majta shqiptare, por gjithë shqiptarët e Shqipëria. Për një “Rilindje” të tillë ka nevojë edhe Lugina e Preshevës, kjo krahinë e bukur shqiptare, qeveriset nga Beogradi dhe partitë e shumta politike në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Spektri politik shqiptar në Luginë, vuan nga lidershipi i saj, i cili në krye të subjekteve politike, qëndron me dekada. Nga dy parti politike të lindura pas shembjes së komunizmit njëpartiak, lindën me dhjetëra parti dhe një Këshill Kombëtar, gjysmak. Drejtuesit e këtyre subjekteve politike, pothuajse i kanë privatizuar këto partie dhe jo më kot ato thirren: partia e Rizës, partia e Ragmiut, partia e Jonuzit, partia e Skenderit, Nagipit etj. Përkundër kësaj ”shumëpartishmërie”, gjendja e shqiptarëve në Luginë, nuk ka ndërruar për të mirë. Të drejtat e shqiptarëve vazhdojnë të shkelen e nëpërkëmben në Serbi, si në kohën e Krajlit, Pashiçit, Rankoviçit, e Millosheviçit. Partitë politike aktuale dhe Këshilli i ashtuquajtur Kombëtar, e kanë sjellë Luginën e Preshevës buzë një gremine. Këto subjekte politike që përfaqësojnë institucionet komunale dhe Këshilli “Nacional”, nuk janë në gjendje të veprojnë si një trup i vetëm për ta frenuar shpërnguljen e heshtur shqiptare, për t’i mbrojtur vlerat e mirëfillta kombëtare si dhe për ta hartuar një strategji për ardhmërinë politike të këtij rajoni. Këto subjekte politike dhe ky Këshill “nacional”, i ka përçarë shqiptarët i ka bërë pikë e pesë, ka sjellë në krye të institucioneve njerëz të padijshëm, ka krijuar në kuadër të qeverisjes lokale, pozitë dhe opozitë shqiptare, ka sajuar një abetare pa identitet dhe një revistë pa vlera. Me kaq nuk përfundojnë hallet e shqiptarëve të Luginës. Këto parti të shumta politike kanë krijuar ndasi të pariparueshme ndërshoqërore, kanë futur gishtat nëpër shkolla, punësim, duke prekur edhe sektorin joqeveritar dhe mediumet. Të gjitha këto janë një realitet i hidhur i veprimit të shqiptarëve në shumë parti e në një Këshill (jo)kombëtar. Shqiptarët e Luginës, sot, janë të vetmit shqiptarë në hapësirat e etnikumit, që nuk e kanë të zgjidhur me ligj çështjen e përdorimit të simboleve kombëtare e të dygjuhësisë. Shqiptarët janë të privuar nga e drejta për t’i kremtuar festat kombëtare me flamur kombëtar, për ta folur gjuhën shqipe në organet shtetërore, për të qarkulluar lirshëm nëpër çdo kënd të zonave shqiptare, sidomos të atyre që shtrihen përgjatë kufirit shtetëror me Kosovën. Po, shqiptarët kanë edhe halle të tjera si ato të shkollimit, punësimit, integrimit, rehabilitimit etj. Sot ka pak shqiptar, për të mos thënë hiç, nëpër vendbanime të tëra të Karadakut të Preshevës, Malësisë së Bujanocit e Medvegjës. Sot, shqiptarët në Luginë, po shpërngulen në heshtje në mungesë të një “Rilindje”. Sot, shqiptarët e Luginës vazhdojnë të mbahen nëpër burgje në mungesë të një “Rilindje”, që të përkujdeset për ta dhe familjet e tyre të lëna pasdore. Sot, e kaluar heroike e dëshmorëve të kombit, invalidëve të luftës dhe familjarëve të tyre, po përbuzet e injorohet nga injoranca e atyre që me votat e popullit, bëjnë pazare e kalkulime politike për hir të pushteteve lokale. Sot, më shumë se kurrë, shqiptarët e Luginës kanë nevojë për një “Rilindje” demokratike në këto hapësira, për ndryshe fati i kësaj krahine të bukur shqiptare do t’i ngjajë përrallës së bukur: “Na ishte një herë një Medvegjë”, të cilën e kujtojmë me mallëngjim e nostalgji.!
Opinionet e autorëve janë perosonale dhe nuk paraqesin edhe opinionin e redaksisë së portalit të pavarur informativ Titulli.com
Mençuria kolektive e Luginës dhe Rezoluta e saj!
Është koha për një “Rilindje” në Luginë...?
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration