Presheva ende pa tekste në gjuhën shqipe
Ndonëse, Presheva dominon nga popullsia shqiptare, nxënësit në këtë vend ende kanë mungesë të teksteve shkollore në gjuhën shqipe.E ky problem ka kohë që po e përcjell këtë komunë.
Lulëzim Mehmeti, ndihmës drejtor në shkollën fillore ”Ibrahim Kelmendi”, për Tribuna Channel tregon se në cilat lëndë ende kanë mungesë të teksteve shkollore.
E për të mbajtur orët mësimore, mësimdhënësit detyrohen që të huazojnë tekste të gjuhës serbe e të njëjtat t’i përkthejnë.
Mehmeti tregon se kanë bërë përpjekje të vazhdueshme që njëherë e përgjithmonë të kenë tekste të bollshme në gjuhën shqipe, e që nxënësit të kenë me çfarë të mësojnë. Madje ai akuzon Republikën Serbe për këto zhvatje.
E kur nxënësit shqiptarë në Serbi, nuk kanë literaturë në gjuhën shqipe, nxënësit serb në Kosovë mësojnë me planin arsimor të Serbisë, dhe furnizohen me tekste shkollore nga Serbia.
Ndërkohë, kur çështja e mungesës së teksteve shkollore në gjuhën shqipe, po kalon në problem të kamotshëm, në Preshevë, kjo komunë ka filluar viteve të fundit edhe të boshatiset.