Cili ishte qëllimi i emisionit të RTK-së për mësimin fetarë në shkollat e Luginës së Preshevës
Lokale

Cili ishte qëllimi i emisionit të RTK-së për mësimin fetarë në shkollat e Luginës së Preshevës

17.Dec.2017 17:22
0
Para dy ditëve Radio Televizioni i publik i Kosovës (RTK) në kuadër të emisionit të saj "Udhëve" ka emetuar emisionin investigativ: "Mësimet për vdekjen para mësimeve për jetën".

Emisioni i kushtohej ecurisë së mësim besimit fetarë në shkollat laike në Luginë të Preshevës. Që nga viti 2001 qeveria e Serbisë ka lejuar zhvillimin e mësim besimit fetarë në shkollat publike, duke ia siguruar kësaj lënde statusin e lëndës zgjedhore.

Emisioni në fjalë për hirë të vërtetës dhe opinionit publik, ka lëshime profesionale, devijime  dhe deformime thelbësore që e shtrembërojnë të vërtetën rreth dinamikës dhe qëllimeve që synon t’i arrij mësimbesimi fetarë në shkollat publike në Luginë të Preshevës. Po të mos ishte se RTK – ja është televizion publik me një aduiencë të respektuar, ndoshta nuk do t’ia kishte vlejtur fare të merremi me këtë emision.

Statusi i mësimbesimit fetarë është i rregulluar me dokumente ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut. Deklarata mbi eliminimin e të gjitha formave të jotolerancës dhe diskriminimet mbi baza religjioze ose besimet (Rezoluta e OKB-së, 36/1955) në nenin 5 definon se fëmija mund të marrë arsimim fetar në harmoni me dëshirën e prindërve, respektivisht me mundësi për mos detyrim për një gjë të tillë, test ky i aftësimit për të mbrojtur nga mostoleranca dhe diskriminimi. E drejta për arsimim fetar është e siguruar edhe me Dokumentin përfundimtar të OSBE-së të Vjenës në vitin 1989, neni 16, 17, 19. Deklarata e përgjithshme mbi të drejtat e njeriut e Kombeve të Bashkuara në nenin 18, pos të tjerash, thotë: "Secili ka të drejtën e mendimit të lirë, vetëdijes dhe besimit, e kjo e drejtë nënkupton edhe lirinë e manifestimit, si individualisht ashtu edhe në bashkësi me të tjerët, të besimit apo mësimit fetar, kryerjen dhe mbajtjen e riteve fetare".  Neni më kryesor, numër 2 i së drejtës protokollare të Konventës evropiane mbi të drejtat e njeriut, i detyron shtetet që të respektojnë të drejtën e prindërve që fëmijëve të tyre t`u sigurojnë arsimim në harmoni me besimet dhe bindjet e tyre fetare dhe filozofike.

Përkundër kësaj që u përmend, qëllimi i emisionit në RTK, dukej sheshazi. Frikësimi i audiencës me pasojat e mësimbesimit fetarë në rast se nesër eventualisht do të futej  në shkollat publike në Republikën e Kosovës. Nëse do të ishte objektive në qëllimin e saj, RTK – ja do të duhej të bënte një emision tjetër investigativ. Pse po iu mohohet qytetarit të Kosovës një e drejt elmentare e garantuar me të gjitha Konventat Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në mesin e të cilëve është edhe praktikimi dhe edukimi i mësimbesimit fetarë? Pasi shteti demokratik liberal i Kosovës është nënshkrues i të gjitha dokumentave dhe deklaratave të institucioneve ndërkombëtare mbi të drjetat universale të njerut. Një praktikë e këtillë e aplikimit të mësimit fetarë në shkollat publike, sikur e dimë është e njohur në të gjitha shoqëritë me demokraci të zhvilluar. Me këtë rast RTK – ja, do të bëhej më profesionale, më objektive. Ajo do të vendosej në shërbim të nevojave të qytetarëve duke u bërë promotore e eliminimit të cfarëdo lloj diskriminimi dhe shkelje të të drejtave të qytetarëve dhe komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Cfarë është dash të thuhet në këtë emision e që nuk u përmend fare? Pak a shumë si njohës i planprogramit të kësaj lënde (katër vite kam punuar si mësimdhënës i lëndës së mësimbesimit fetarë), jam i njoftuar se synon që nxënësit përmes edukimit fetarë të pasurohen edhe me vlerat edukative që nxisin respekt dhe koegzistencë në mes komuniteteve. Një nga intencat e mësimit fetarë është që  t’i mundësoj fëmijëve që të njihen me rrezikun e tjetërsimit të familjes ne periudhën moderne, e nxitur nga zhvillimet e hovshme të modernitetit. Në planëprogram parashihet vetëdijesimi për vlerat e respektit, kodit moral, socializimit me të tjerët, shmangia nga individualizmi i skajshëm. Tema që litetartura e shkencave sociale sot i trajton me shqetësim duke i konsideruar si sëmundje të njeriut modern që shpiejn drejt tëhuajsimit dhe tjetërsimit të natyrshmërisë së njeriut. Në orët e mësimbesimit fetarë, nxënësit varësisht nga mosha do të mundë të dëgjojnë përgjigje në kuptimin më të thellë të qëllimit të ekzistimit të njeriut dhe botës që e rrethon (kush jam, pse ekzistoj ...). Aty mësohet edhe mbi liritë e njeriut, rreth jetës në bashkësi (familja dhe shoqëria). Mësohet për një qasje konstruktive ndaj fenomenit të vdekjes për të mos nxitur pesimizëm dhe depresion. Flitet mbi raportin që njeriu duhet ta ndërtoj ndaj natyrës e cila na rrethon. Planprogrami parashikon që fëmijët të mundë të edukohen në frymën e respektit të ndërsjellë, solidaritetit, tolerancës, dhe dashurisë. Në kombinim me njohurit fetare, nxënësit, varësisht nga mosha i mundësohet që më mirë të kuptoj lëndët tjera, siç janë historia, psikologjia, sociologjia, filozofia etj. Religjioni mundëson që nxënësit të fitojnë një bazament që përvec tjerash, ata të njohin më mirë pikturën, muzikën, letërsinë, artin në përgjithësi etj. Që për disa, edhe këto nuk mundë të paramendohen pa bazament dhe përmbajtje religjioze. Lënda e mësim besimit fetarë jep mundësi të kultivojnë ndjesinë dhe përgjegjësinë ndaj mjedisit jetësor dhe natyrës - ekosisitemit në përgjithësi. Shkatërimi dhe ndotja e ambientit nuk duhet të lejohen pasi që ato sipas pikëpamjes religjioze kuptohen si dhuratë e Zotit. Nxënësit gjithashtu do të kuptojnë se krahas shumë të drejtave, secili individ, nëse dëshiron të jetë i gëzuar, ka edhe përgjegjësi. Një kontribut tjetër i mësimbesimit fetarë te fëmijët pa hamendje synon t’i ndërgjegjësoj që ata të mbrohen nga ngarkesat në jetë siç janë: alkoolizmi, droga, fraksionet, dhe më në fund edhe kriminaliteti. Kjo lëndë ngrit vetëdijen për përgjegjësinë ndaj pronës publike, luftimin e korrupsionit, dashurinë ndaj atdheut, shtetit. Ruajtja dhe mbrojtja e vatanit është një dhuratë më e shtrenjt që Zoti ia jep njeriut në tokë. Programi i mësmit fetarë synon që nxënësit të kuptojnë se nuk ekziston përplasje në mes shkencës dhe fesë. Mospajtimin mes shkencës dhe religjionit kjo lëndë synon ta kthej në normalitet përmes debatit dhe mirëkuptimit duke u munduar të sqaroj se nëse religjioni është kundër pikëpamjeve shkencore të dialektikës materialiste me pikëpamjet e saj mbi besimin dhe ekzistencën e Zotit, kjo nuk nënkupton se religjioni është edhe kundër shkencës dhe ta arriturave të saja në përgjithësi. Në këtë planprogram përmendet edhe fakti se një numër i shkencëtarëve eminent ishin njerëz religjioz. Këto ishin disa nga qëllimet që synon planprogrami i mësim besimit fetarë t’i përhap te nxënësit duke zgjeruar opusin e dijes, kulturës etj. Natyrisht, pjesë e këtyre qëllimeve është edhe njohja me gjërat elementare paraktike, shpirtërore dhe gjëra tjera me të cilat secili religjion e shfaq veten në mënyrën e vet para besimtarëve.

Mediumet me aktivitetin e tyre medial duhet të angazhohen që komunitetet t’i socializojnë e jo t‘i manipulojnë. Dallimi në mes socializimit dhe manipulimit nuk është dallimi në shkallë, por është dallimi më shumë në lloj/ tip. Ai që socializon shfaqet për të mësuar të tjerët se si mundë të mendojnë (besojnë, vlerësojnë, bëjnë). Ndërsa ai që manipulon përpiqet t’i shtyej të tjerët të mendojnë ashtu sikur mendon (beson, vlerson, bën) ai (Shushunjiq, fq. 61, 2017, Logos – A). Ky emision merrë përsipër të manipuloj jo të socializoj. Ndoshta do të duhej të të bëhej një hulumtim për gazetarinë në Kosovë, se a është në funksion të socializimit apo manipulimit. Nuk është hera e parë që RTK – së i janë adresuar kritika për njëanshmëri gjatë emetimit të emsioneve të saj. Taksapaguesit e RTK – së nuk meritojnë emisioni me porosi klienteliste. Klientelizmi dhe mercenarizmi në profesionin e shenjte të informimit nuk i shërben objektivitetit. Për të mirën e audiencës së respektuar dhe taksapaguesit, RTK – ja me emsionet e saj e ka për obligim moral dhe profesional të synoj emancipimin e masave në dobi të ngritjes së shoqërisë me vlera qytetarie ku komuniteteve në Kosovë do t’i kontribuonte për mirëqenie dhe progres. E gjithë kjo në dobi të ngritjes shpirtrore e materiale.  

     

Shkruar nga Nexhmedin Ademi-Preshevë

                                                                                                       

 

 

Presheva ende pa tekste në gjuhën shqipe
Vuçiq: Po investojmë në jug të Serbisë, Leskoci dhe Vraja me projekte të reja ekonomike
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration