Lokale
Medvegja hap fabrikën për prodhimin e peletit (video)
Kryeministri i Republikës së Serbisë Ivica Daçiq sot në mënyrë solemne ka hapur fabrikën për prodhim të peletit “Jabllanica Eko” në Medvegjë dhe në mënyrë simbolike ka lëshuar makinat në funksion.
“Unë nuk jam për herë të parë këtu në Medvegjë. Nuk jam njeriu i cili nuk e njeh situatën këtu, e di që problemi më i madh i juaj këtu, pa marrë parasysh se a jeni serbë, shqiptarë apo romë, është situata ekonomike, papunësia. Problemi më i madh është që fëmijët që lindin këtu duhet të kenë perspektivë, të jetojnë, të punojnë dhe të qendrojnë këtu. Prandaj, projektet si ky sot janë të një rëndësie shumë të madhe sepse po kthehen kapacitetet prodhuese dhe aq sa kam kuptuar unë, 40 njerëz do të punojnë këtu”, tha kryeministri Daçiq në hapjen e fabrikës.
Kryetari i komunës së Medvegjës, Sllobodan Drashkoviq tha se dyzet familje do të jetojnë nga kjo fabrikë dhe se kjo është për çdo lavdëratë. “Po të mos ishin donacionet ne nuk do të mund t’ia dilnim mbanë vetë, në radhë të parë donacionet e Qeverisë së Serbisë, donacionet e Sllovenisë vëllazërore, EU PROGRES-it dhe nga komuna me qëllim që ky projekt të realizohet”, tha Drashkoviq.
Zëvendëskryetari i komunës së Medvegjës Florim Sahiti ka bërë të ditur se në këtë fabrikë janë punësuar 5 shqiptarë. Ndonëse është paraparë të punësoheshin 15, nuk ka pasur të interesuar në mesin e shqiptarëve. Zëvendëskryetari Sahiti tha se qëllimi i hapjes së fabrikës është që të hapen vende të reja të punës dhe të ndalohet shpërngulja e popullatës.
Fabrika për prodhim të peletit “Jabllanica Eko” është shoqëri me përgjegjësi të kufizuar ku komuna e Medvegjës është pronar 100%.
Projekti i cili kap vlerën totale prej 1.060.000 euro është financuar bashkarishtë nga Komuna e Medvegjës e cila ka participuar me 670 mijë euro, Qeveria e Sllovenisë 290 mijë euro dhe EU Progres me 100 mijë euro. Kapacitetet e prodhimit janë 1 tonelatë në orë ose 8 mijë tonelata në nivel vjetor. /F.K/Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!