Vështrime
Për “Bajram” te Daçiqi!
Dy-tri ditë, para festës së Kurban Bajramit, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka vendosur, në Beograd, t’i takoj liderët e Luginës së Preshevës, për të biseduar për hallet e tyre. Një takim paraprirës i këtij niveli, ishte mbajtur, më 2 korrik 2013, me nënkryetarin e Qeverisë së Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pa ndonjë rezultat konkret.
Shkruan: Kujtim Sadriu
Po, takimet sipas protokollit nuk vazhduan. Kryeministri Daçiq, takimit të radhës me liderët e Luginës, i bishtëronte, thjesht për motive politike.
Lajmi se, më në fund, Daçiq, veçse ka konfirmuar zyrtarisht takimin me liderët nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, vjen si rezultat pengesës së hyrjes së zyrtarëve serbë në fushatën elektorale të zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Seanca e 17-të e takimeve të dy kryeministrave në Bruksel, Thaçi-Daçiq, dhe marrëveshja për të marrë pjesë liderët serbë në fushatën zgjedhore në Kosovë, në emër të “lëvizjes së lirë, pa diskriminim”, tregon qartë shqiptarët e Luginës shpesh bëhen “kurban” për kusuritje.
Mësohet (jo)zyrtarisht se kryeministri Thaçi, ka ftuar për konsultim liderët e Luginës, një ditë para se ata të takohen me kryeministrin Daçiq, si duket për një konsultë paraprake. Kështu bënte dikur ish presidenti Rugova. Spektri politik shqiptar i Luginës, sa herë zinte në thua, shkonte te Rugova për afrim dhe unifikim të qëndrimeve partiake. Ngjet që Thaçi i ka ftuar bashkëkombësit e tij për një këshillë politike, për të mos u “havadisur” rreth kërkesave të shumta e të pakapshme nga homologu i tij Daçiq.
Se me çka do t’i shpërblej Daçiq, liderët e Luginës, do të kuptohet më 10 tetor, pak ditë para Kurban Bajramit.
Qëllimi i këtij takimi, mësohet se do të zhvillohet për të diskutuar lidhur me problemet në arsim, shëndetësi, siguri si dhe përfshirjen e shqiptarëve të Luginës në organet shtetërore të Serbisë.
Po shqiptarët e Luginës, sa janë të përgatitur lidhur me këtë takim të lartë shtetëror?!
Aspak! Ata, janë të përçarë e të ndarë si mos më keq. Ç’është e vërteta, ata, veç kanë filluar të kërkojnë një unitet mes tyre dhe kërkesave, që do t’i parashtrojnë kryeministrit Daçiq. Thënë, shkurt e shqip, ata as që do të takohen paraprakisht, për t’u konsultuar se kush do ta marrë fjalën në këtë takim: liderët institucionalë apo partiakë? Në këto bisedime çka do të merret për bazë: Referendumi, Marrëveshja e Konçulit, Platforma politike e këshilltarëve shqiptarë të janarit të 2006-ës, apo Plani dhe Programi i Trupit Koordinues për jug të Serbisë?!
Përçarjet e liderëve politikë të shqiptarëve të Luginës dhe shantazhet e Beogradit për t’i bërë ata pikë e pesë, bëjnë që ky takim të kaloj si ata të mëparshmit pa ndonjë rezultat konkret.
Lidhur me këto dukuri allapreshevarçe, në stilit tërhiq e mos këput, tashmë i kanë mësuar vendorët e ndërkombëtarët, të cilët sillen ashtu siç sillen liderët tanë si “pordha në tirqi”. Qarshia në Bujanoc, flet se liderët e Luginës do të shkojnë në Beograd si “Syla në Bilaç”, apo më mirë sipas asaj thënie të bukur: “Vajti cjapi te kasapi!”!
(Autori është kryetar i Këshillit lokal të Partisë Liberale të Çeda Jovanoviçit për Preshevë)
Opinionet e autorëve janë perosonale dhe nuk paraqesin edhe opinionin e redaksisë së portalit të pavarur informativ Titulli.com
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!