Lokale
Komuna e Bujanocit nis konkretizimin e çështjeve nga vizita e 27 shkurtit në Tiranë
Pas vizitës së kryetarit të komunës së Bujanocit Nagip Arifi me bashkëpunëtorë, më 27 shkurt të këtij viti, në Tiranë, dhe takimeve me drejtuesit e ministrisë së ekonomisë dhe asaj të rinisë dhe mirëqenies sociale, si rezultat i bisedave të zhvilluara kanë nisur të konkretizohen agjendat për çështjet konkrete.
Në këtë drejtim do të bëhet edhe hapi i parë, i cili do të përkojë me vizitën e një delegacioni prej nëntë anëtarëve nga komuna e Bujanocit në Tiranë.
Saktësisht, gjatë javës së ardhshme, nga tre përfaqësues të Zyrës për të Rinj, Organizatës për persona me aftësi të kufizuara dhe Organizatës së Veteranëve të Luftës, do të qëndrojnë në Ministrinë për Rini dhe Mirëqenie Sociale të Republikës së Shqipërisë, ku me drejtuesit e saj do t’i finalizojnë modalitetet e ndihmave që mund të realizohen në një të ardhme të afërt.
Me qenë se, kryetari Arifi vetëm se kishte identifikuar nevojat konkrete dhe permanente të këtyre kategorive, delegacionit të komunës së Bujanocit i mbetet që me përfaqësuesit e ministrisë të cilën e drejton Erion Veliaj, t’i konkretizojnë detajet dhe mënyrat e përfitimit të asistencës, qoftë ajo teknike apo materiale.
Hiq më pak nuk është ngecur as me bashkëpunimin me Ministrinë e Ekonomisë të R. së Shqipërisë e cila udhëhiqet nga Arben Ahmetaj.
Komuna e Bujanocit dhe kjo ministri janë në fazën e fundit të përgatitjes së një Memorandumi të bashkëpunimit i cili do të rezultojë me organizimin e një forumi të madh të biznesit në Bujanoc me prezencën e afaristëve më eminentë nga Shqipëria, por edhe me lehtësirat e qarkullimit tregtar të prodhuesve nga Bujanoci për plasimin e produkteve të tyre në Shqipëri.
Që pas kthimit nga vizita e 27 shkurtit në Tiranë, ekipet profesionale të administratës komunale të Bujanocit janë duke u marrë me modalitetet e konkretizimit të asistencës materiale dhe teknike e cila do të pasojë nga Shqipëria.
Nga ana tjetër, kabineti kryetarit Arifi dhe Zyra Lokale për Zhvillim Ekomnomik gjatë tërë kësaj kohe, me drejtuesit e ministrive të sipërpërmendura kanë qenë vazhdimisht në kontakte duke këmbyer informacione dhe propozime për mënyrat sa më efikase të vazhdimit dhe thellimit të bashkëpunimit, i cili mbi të gjitha ka karakterin vëllazërorë./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!