Kamberi: Kosova të mos injorojë Luginën
Lokale

Kamberi: Kosova të mos injorojë Luginën

07.Jun.2016 22:18
0
Qeveria e Kosovës duhet ta ndërpresë praktikën e injorimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, sidomos në raport me marrëdhëniet e saj që po zhvillon me Serbinë.

Kjo mbase ka qenë kundërproduktive edhe për vetë Kosovën. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për “Zërin” aktivisti për të Drejtat e Njeriut në Luginë të Preshevës, Belgzim Kamberi, pak ditë pas mbajtjes së mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Po ashtu, kjo e fundit, sipas tij, duhet gjithashtu ta përfshijë çështjen e Luginës së Preshevës si pjesë përbërëse të marrëdhënieve të saj me Serbinë në kuadër të proceseve të fqinjësisë së mirë, të bashkëpunimit rajonal dhe të integrimeve evropiane.

Është hera e tretë që takohen dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë. Sa po bëjnë këto qeveri për Luginën e Preshevës?

Kamberi: Paradoksi është se sa më shumë po ecën koha, aq më shumë Shqipëria dhe Kosova zyrtare po e zbehin interesimin dhe veprimin simbolik për shqiptarët në Luginën e Preshevës, ndërkaq Serbia po e rrit vazhdimisht interesimin dhe veprimin e saj politik për Kosovën. Mosinteresimi i fundit i qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës për mbledhjen e dy qeverive mbetet treguesi më i mirë për performancën e përbashkët të deritanishme të tyre ndaj Luginës së Preshevës. Dy qeveritë nuk po ngjallin tanimë as shpresa në mesin e shqiptarëve lokalë. Keq. 

Shqiptarët në Luginë, pjesa më e shtypur e kombit

Derisa në takimin e parë dy qeveritë i dhanë 50 mijë euro për Luginën, kësaj here e përmendën vetëm kalimthi. Pse gjithë ky injorim për shqiptarët e mbetur në Serbi?

Kamberi: Përderisa u realizua premtimi për ndihmë rreth Maternitetit në Preshevë, çështja ka ngecur plotësisht në çështjen e organizimit dhe bashkërendimit të ndërveprimit institucional. Si pasojë e mungesës së vullnetit politik po mungon para së gjithash një strategji dhe një vizion politik të të dy qeverive (mbase edhe si të vetme) për shqiptarët në rajon në përgjithësi, e për shqiptarët në Luginën e Preshevës në veçanti; si pjesa më e shtypur e kombit shqiptar. Në mungesë të kësaj strategjie përfundon pashmangshmërisht në politika ditore improvizuese. Fatkeqësisht, për Qeverinë e Kosovës duket se më parësore është sot jetësimi i marrëveshjeve me Serbinë, sikurse jetësimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të Serbisë në Kosovë etj., se çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në Maqedoni, në Mal të Zi etj. Për Qeverinë e Shqipërisë duket se më parësore mbetet çështja e avancimit të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian sesa çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në Maqedoni, në Mal të Zi etj.

Pastaj, gjendja e brendshme në Kosovë dhe në Shqipëri, ku mbizotëron diku më shumë dhe diku më pak:  papunësia, pazhvillueshmëria ekonomike, krimi i organizuar, mungesa e drejtësisë, sovranitetet e kufizuara etj, po ndikojnë drejtpërdrejt edhe në cilësinë e politikave të tyre qeveritare jashtë kufijve shtetërorë.   

A munden këto qeveri të bëjnë më shumë?

Kamberi: Sigurisht se mund të bëhet shumë më tepër. Asgjë nuk i ndalon qeveritë, në Prishtinë dhe në Tiranë, që t’i shfrytëzojnë mekanizmat e tyre legjitime dhe legale për të kontribuuar drejt avancimit të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës; e mbase edhe për të kontribuuar edhe në ekonomitë e tyre (përmes krijimit të fondeve të përbashkëta zhvillimore, krijimin dhe organizimin e plasmanit të produkteve vendore bujqësore të Luginës së Preshevës në institucionet publike të Shqipërisë dhe të Kosovës, etj). Mundësitë ekzistojnë. Por, për këtë para së gjithash duhet vullnet e vizion politik, si dhe orientime dhe vendime të duhura qeverisëse. Prishtina dhe Tirana zyrtare duhen të përfshihen në mënyrë të hapur, konstruktive dhe demokratike në proceset politike që kanë të bëjnë me Luginën e Preshevës e jo të tërhiqen me politika indiferente ose të vetëcensuruara. Një prani dhe një angazhim i tillë vetëm se mund të kontribuojë pozitivisht.

Tirana dhe Prishtina ta harmonizojnë politikën për shqiptarët në Ballkan

Çka duhet bërë konkretisht Tirana dhe Prishtina për Luginën e Preshevës?

Kamberi: Tirana dhe Prishtina zyrtare duhet urgjentisht ta definojnë dhe ta harmonizojnë në mënyrë të hollësishme politikën e tyre për shqiptarët në Ballkan. Kjo do të duhej të ishte pikënisja e agjendës së tyre të përbashkët. Pa një platformë, plan dhe strategji politike gjithëkombëtare, nuk mund të flitet realisht për qeverisje kombëtare. Çështja e fatit politik, ekonomik, social etj., të kombit tënd duhet të jetë prioritet mbi prioritetet, siç është parimisht për të gjitha qeveritë në botë.

Lugina e Preshevës duhet doemos të jetë pjesë përbërëse e marrëdhënieve të ardhshme midis Kosovës dhe Serbisë, midis Shqipërisë dhe Serbisë; si dhe midis shqiptarëve dhe serbëve si kombe, cilado qofshin ato. Kjo do ta nxiste edhe Beogradin zyrtar që t’i përmbushë obligimet e tij të veçanta që i ka marrë ndaj Luginës së Preshevës me “ndërmjetësimin” e organizatave diplomatike dhe ushtarake ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës duhet ta ndërpresë praktikën e injorimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, sidomos në raport me marrëdhëniet e saj që po zhvillon me Serbinë. Kjo mbase ka qenë kundërproduktive edhe për vetë Kosovën. Qeveria e Shqipërisë duhet gjithashtu ta përfshijë çështjen e Luginës së Preshevës si pjesë përbërëse të marrëdhënieve të saj me Serbinë në kuadër të proceseve të fqinjësisë së mirë, të bashkëpunimit rajonal dhe të integrimeve evropiane (aq më tepër që për arsye gjeopolitike dhe gjeostrategjike; Brukseli po e toleron sot Serbinë edhe në prag të hapjes së kapitujve 23 dhe 24, sa i përket çështjeve të Drejtave të Njeriut, Drejtave të Minoriteteve, Demokratizimit, etj).

Por, edhe për këto nevoja më urgjente nevojitet më shumë vullnet politik nga të dy qeveritë, riorientime strategjike dhe vendime të duhura politike, që do të rezultonin fillimisht me ndërtimin e një platforme, plani dhe programi të përbashkët; si dhe drejt themelimit të mekanizmave të përbashkëta zbatuese, të cilat edhe do t’i shmangnin praktikat e deritanishme të veprimeve spontane politike dhe do ta krijonin një praktikë të një qasjeje institucionale dhe shtetërore të Republikave të Kosovës dhe të Shqipërisë ndaj Luginës së Preshevës në veçanti, e shqiptarëve në rajon në përgjithësi.

 

Xhelal Mehmeti vizitë në Gjilan për problemet e qytetarëve të Preshevës
Ministria e Arsimit të Serbisë miraton katër tekste shkollore për nxënësit shqiptarë në Luginë të Preshevës
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration