Inputet turke në Ballkan
Vështrime

Inputet turke në Ballkan

21.Feb.2014 11:07
0
Që Turqia nuk është më një shtet ku ushtria ka kontrollin absolut në situata të vështira politike, kjo u pa qartë gjatë këtyre ditëve kur protestuesit dogjën, shkatërruan dhe ofenduan kryeministrin e tyre. Ky ndryshim drastik nuk ka ardhur si rastësi e disa politikave reformiste në kuadrin administrativ dhe politik, por ai ka ardhur si rezultat i një pune të gjatë e të frytshme në demokratizimin e vendit dhe arritjen e standardeve të kërkuara prej Bashkimit Evropian. Për pothuajse një dekadë e gjysmë në qeverisje, Partia e drejtuar nga kryeministri aktual i vendit Rexhep T. Erdogan ka korrur suksese të njëpasnjëshme.   bledar-kominiShkruan: Bledar Komini;   Qëndrueshmëria politike dhe stabiliteti makroekonomik i arritur në vend stimuloi ndjeshëm zhvillimin e ekonomisë turke drejt hapësirave të reja dhe modernizimit të saj. Kalimi i pengesave të njëpasnjëshme politike për Partinë Drejtësi e Zhvillim ngjalli besimin tek qytetarët, se Turqia po përjetonte një “pranverë ekonomike”. Frytet e kësaj pranvere i dhanë mundësi kapitalit dhe shoqatave kulturore turke që ta shtrinin aktivitetin e tyre tashmë drejt Ballkanit, Kaukazit, Lindjes së Mesme dhe vitet e fundit drejt Afrikës së Veriut. Suksesi ekonomik i Turqisë gjatë këtyre viteve, përmirësimet e bëra lidhur më çështjen e të drejtave të njeriut dhe politika aktive e jashtme e Ankarasë kanë ndihmuar në krijimin e një përshtypjeje të përgjithshme në Ballkan, mbi Turqinë si një superfuqi në rritje. Në mënyrë të ngjashme disa i kushtojnë vëmendje faktit që Turqia është një vend demokratik, modern dhe i aftë të përshtatet me vlerat islamike. Shembulli i Turqisë ka shërbyer prej disa vitesh si një model pozitiv për vendet e Ballkanit, duke qenë se një pjesë e tyre kanë vuajtur për një kohë të gjatë nga mungesa e stabilitetit politik, i cili ka çuar shpeshherë drejt ngërçeve ekonomike me pasoja të parikuperueshme. Përveç përçimit të modelit, kapitali turk ka sjellë në Ballkan dhe eksperiencën e tij duke kontribuar në hapjen e qindra e mijërave vendeve të punës dhe investimeve direkte në projekte të rëndësishme për gjallërimin e sektorëve të rëndësishëm ekonomik në vendet e gadishullit. Neo-otomanizmi i përfolur gjatë në shtypin e përditshëm ballkanas e ka etiketuar biznesin turk si “kasnec” të politikës së jashtme turke, që nga dita kur ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë Ahmet Davutoglu deklaroi në Samitin e Sarajevës se vendi i tij nuk do t’i shkëpuste lidhjet me të kaluarën dhe vendet myslimane të Ballkanit. Ky fjalim u cilësua në atë kohë dhe ende vazhdon të cilësohet si “një imperializëm” i ri ekonomik dhe kulturor që po synon të rivendos perandorinë e re turke në Rajonin e Ballkanit (e sidomos në Shqipëri). Dinamizmi i vërejtur në politikën e jashtme të Turqisë gjatë viteve të fundit është diskutuar jo vetëm brenda Turqisë por edhe në Ballkan. Aktorët politikë po përpiqen të kuptojnë se çfarë po kërkon të bëjë Turqia në këtë rajon. Politika e jashtme e Turqisë nuk është mbuluar kurrë kaq intensivisht nga media e Ballkanit më parë. Në anën tjetër, politika e jashtme e Turqisë po diskutohet më gjerësisht nëpër konferencat rajonale. Një ndër vendet e Ballkanit që ka përfituar prej inputeve të kapitalit turk është dhe Shqipëria. Turqia është një vend që ka investuar në shumë vende të botës por, fakti që mes dy vendeve ekziston një e kaluar dhe kulturë e përbashkët, ndihmon në krijimin e urave të shpejta bashkëpunimi dhe krijimin e mundësive për zhvillimin e projekteve të përbashkëta. Marrëdhëniet ekonomike në zhvillim si dhe fuqia punëtore që ofron Shqipëria, përbëjnë një avantazh që firmat turke dëshirojnë të investojnë në Shqipëri. Duke qenë se ekonomia e Shqipërisë është e fokusuar më shumë në sektorë si energjia, minierat dhe industria e lehtë edhe firmat turke janë më te pranishme në këto sektorë, duke theksuar se së fundmi kanë shprehur interesin e tyre për investim në fusha si turizmi apo media. Megjithatë ato kanë kërkuar që gjithashtu, kompanitë të përfitojnë nga avantazhet që krijojnë fushat e tjera si tekstili dhe bujqësia. Turqia është një nga partnerët tregtarë më konstantë të vendit tonë dhe investitori i tretë më i madh në vend. Investimet direkte të Turqisë në Shqipëri nga 100 milionë dollarë që ishin në vitin 2004, kanë shkuar në mbi 1.5 miliardë dollarë, duke punësuar mbi 3 mijë shtetas shqiptarë. Në Shqipëri ushtrojnë aktivitet rreth 100 kompani turke, shumica prej tyre ndërmarrje të vogla dhe të mesme, në fusha si ndërtimi, hekur-çeliku, miniera, telekomunikacioni, arsimi, shëndetësia, energji, sektori bankar, prodhim etj. Ambicia e përbashkët mes dy vendeve është kapërcimi i kësaj vlere të shkëmbimeve tregtare. Biznesi turk ka vlerësuar lehtësimet dhe klimën e favorshme që është krijuar në Shqipëri për investitorët e huaj. Një ndër projektet ekonomike më të rëndësishme të viteve të fundit pjesë e të cilit është dhe Shqipëria është projekti i gazësjellësit TAP që kalon nga Turqia në Greqi dhe më pas në Shqipëri e përfundon në jug të Italisë. Ky gazsjellës do të sjell gazin natyror nga fushat e Shah Denizit në Detin Kaspik dhe do të përshkojë rrugën e mësipërme duke përfunduar në Itali, me një rëndësi të madhe ekonomike jo vetëm për rajonin e Ballkanit por edhe për Evropën Perëndimore. Interesat e biznesit turk kanë ecur paralelisht me ndikimin e jashtëm politik në rritje. Të tri kompanitë turke të telefonisë celulare, Turk Telekom, Turkcell dhe Calik, kanë shkelur në Shqipëri dhe synojnë zgjerimin në Ballkan. Bankat dhe kompanitë turke kanë hyrë prej vitesh në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë veriperëndimore, në tregjet kryesisht myslimane, ku përfshihen edhe pakica turkfolëse. Këto vende të Ballkanit kanë qenë nën sundimin osman dhe si rrjedhojë gjurmët që ai ka lënë kanë ndikuar në krijimin e një atmosfere lehtësuese si për biznesin turk ashtu dhe për shoqatat e ndryshme kulturore që tashmë janë vendosur në këto vende. Ndërsa në ato vende ku ortodoksizmi ka qenë më i ashpër dhe ku nacionalizmi ka luajtur një rol kyç, biznesi turk nuk ka mundur të gjej hapësirat e domosdoshme për të nisur aktivitetin dhe për ta zhvilluar më tej atë. Herë pas here Ankaraja është munduar të krijojë marrëdhënie të mira dhe me Serbinë, por ecejaket kanë qenë me intensitet të ulët pavarësisht buona volonte-s nga të dyja palët për përmirësimin e marrëdhënieve dhe intensifikimin e tyre. Përveç imazhit pozitiv që është krijuar, gjithsesi ka edhe një imazh negativ të Turqisë në rajon. Problemi qëndron tek fakti që ky imazh negativ ka tërhequr vëmendjen e publikut më shumë se sa ai pozitiv. Mbi të gjitha, rritja e interesimit të Turqisë mbi botën arabe gjatë kohëve të fundit ka krijuar një imazh që tregon se Turqia po kërkon të bëjë një aleancë me botën Islamike dhe kjo nuk shihet mirë në një pjesë të vendeve ballkanike, ku përqindja më e madhe e banorëve janë kristianë. Rasti më konkret ilustrues është ai i vizitës së kryeministrit bullgar Boyko Borisov në Ankara më 20 mars 2012. Vizita qe shumë e suksesshme. Shtatëmbëdhjetë marrëveshje në fushat e medias, transportit, teknologjive të komunikimit, turizmit, kulturës, ekonomisë dhe energjisë u firmosën mes delegacionit bullgar dhe Turqisë. Pavarësisht këtij suksesi, media bullgare e kritikoi vizitën. Përshëndetja që B. Borisov i bëri në turqisht rojeve të nderit në Ankara gjatë ceremonisë u bë një pikë kyçe e kritikës së nacionalistëve bullgarë. Pavarësisht kritikave të bëra gjer më sot Turqia ka ditur të tregojë se në themel të të gjitha marrëdhënieve që ajo ka krijuar me vendet e Ballkanit ka qenë miqësia dhe forcimi i interesit të përbashkët në rrugën e zhvillimit dhe prosperitetit. Skeptikët që nuk janë mësuar me një Turqi të zhvilluar dhe me ndikim në rajon nuk kanë pse të frikësohen përderisa ecuria e rajonit anon nga kahu i Bashkimit Evropian, rrugë në të cilën po shkel dhe vet Turqia.    
Gold AG: Nuk e dimë nëse është shfryrë apo është fryrë?
Epshi për pushtet serb, i ndërsen liderët e Luginës deri në Tiranë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration