Vështrime
Gold AG: Nuk e dimë nëse është shfryrë apo është fryrë?
Përfundimisht, duket se pafundësisht do të ngelim popull euforik! Shkruan akëcil dijetari, pak njerëz e lexojnë, edhe më pak haptas e komentojnë, të mos flasim se sa prej tyre e zbatojnë atë që shkruan dhe thërret ai! Flet hoxha me zë jo aq të lartë, shëmbëllen urtësi në vend të sokëllimave të Tarzanit, sërish pa rreze ndikimi në shoqëri, nuk përflitet as për keq e as për mirë.
Shkruan: Iljasa Salihu;
Ndërsa, këndon "Gold AG" në shumë vende e thotë të vërtetën, dikund shanë e dikund sillet me shpoti kundrejt atyre që prej kohësh hedhin baltë mbi muslimanët! Shumica në këmbë, jo për ta falur namazin apo për ta bërë një vepër të mirë në saje të këtij frymëzimi, por ja ai e paskësh thënë të vërtetën, thuajse dijetarët, shkrimtarët e publicistët e paskan fshehur atë deri më tani. Harrojnë se Muhamedi alejhi selam thotë: "Mos e shaj tjetrin, sepse do t'i japësh shkas që ai të fyen gjënë më madhështore, të vërtetën"! E kuptoj, "Gold Ag" është reper dhe gjuhë tjetër ky lloj i muzikës nuk ka, por patjetërsisht duhet të kemi kujdes për sa i përket paraqitjes së Islamit, sepse kështu në emër të Islamit nuk bën të paraqitemi, thjesht është e kundërta e Islamit kjo. Duhet ditur se e vërteta është shumë më e madhe se sa nevrikosja jonë kundrejt dashakeqëve. Edhe mua ndonjëherë më vjen t'i shaj të gjithë, mbase të kapërthyhem edhe trupërisht me disa, por i them vetes kujdes, sepse unë jam musliman dhe kështu nuk më mëson feja ime - Islami, deri sa nuk më kanë mbështetur për muri, pastaj mund të përgjigjem, por vetëm si i zënë tejet ngushtë, përndryshe do ta zgjedhi durimin në vend të kërcëllimit. Përse me urtësi dhe butësi të mos i bëhet ftesë në Islam këtyre kundërshtarëve tanë, duke përdorur detin e argumentëve që e kemi në këtë fe madhështore?
Unë nuk jam kundër "Gold AG"! E përsëris, ai është reper, nuk pres prej tij të shkruan libra për të mirën e shoqërisë, por jam kundër që dikush në emër të Islamit që është paqe, nënshtrim, dituri e urtësi të vezullon neveri ndaj atyre që pas këngës së tij, edhe më tepër do të na urrejnë. Vëllezer, kemi shembullin më të çiltër të Dërguarin tonë (paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të). Vëllezër të dashur e motra të nderuara, fal të madhit Allah, kemi dijetar, publicist e shkrimtar sa denjësisht mund t'i bëjnë ball rrebeshit të kundërshtarëve dhe luftuesve të fesë sonë të dashur, Islamit!
Fatkeqësisht, disa të etur për ta shprehur mllefin, edhe pse unë habitem se përse e paskan mbajtur kaq gjatë të deponuar mllefin, ata harrojnë se me këtë përkrahje e përgënjeshtrojnë vetveten, sepse nuk paskan pasur guxim të shprehen për atë që ai u shpreh dhe ja tani, sa lehtë e sa mirë, mjafton kapja pas “lokomotivës” së quajtur “Gold Ag”! Ata harrojnë se me këtë paraqitje "Gold AG" i ka dhënë ushqim urrejtësve të Islamit. Nuk mjafton të jesh vetëm trim, por duhet të dish si të jesh trim, - thoshin të moçmit.
Me keqardhje them se në saje të këtij brufullimi që pashë, doli se shkrimet, librat dhe romanet tona mirë qenka t'i shkruajmë duke fyer, mos ndoshta dikush pastaj na lexon, përndryshe me urtësi shihet se nuk shihemi asgjëkundi, por fal Zotit që nuk jemi të interesuar të shihemi, por që ta shohin lexuesit se çka kemi shkruar. Unë nuk futem në qëllimin e këngëtarit. Zoti e shpërbleftë për atë që çiltërsisht e ka synuar përmes asaj paraqitjeje!
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!