Lokale
Haliti: PZP përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugës së Breznicës. KKSH nuk paguan qiranë
Drejtori i Drejtoratit për Ndërtim Agim Haliti gjatë një konference të mbajtur për shtyp ka sqaruar se rruga e Breznicës në të cilën para disa ditëve u shembën gurët, mirëmbajtëse e saj është PZP (Ndërmarrja shtetërorë për mirëmbajtjen e rrugëve). Ai foli edhe për borxhet ndaj Drejtoratit për Ndërtim që ka Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH).
Haliti u shpreh sot se ndërmarrjen që ai drejton dhe e cila ka financuar rrugën me gjatësi prej rreth 6 kilometra, nuk e ka të drejtën e kujdestarisë, pasi që ajo rrugë është rajonale dhe për mirëmbajtjen e saj është përgjegjëse PZP.
[caption id="attachment_110749" align="alignleft" width="300"] Rruga e Breznicës[/caption]
Mirëpo, siç u shpreh Haliti, kohë pas kohe ka angazhuar personelin e vet për ta mirëmbajt këtë rrugë, ndërsa për rastin e fundit që u raportua për shembjen e shkëmbinjve është njoftuar PZP e cila ka dalë në terren dhe ka hequr këto pengesa.
Ai me këtë rast tha se shtëpia projektuese Jug Nish nuk ka paraparë vendosjen e rrjetave metalike për të parandaluar shembjen e shkëmbinjve, mirëpo sipas tij rruga ka nevojë edhe për këtë masë të sigurisë.
Gjatë kësaj konference Haliti u ndal edhe te projektet e realizuara nga kjo ndërmarrje përmes buxhetit të ndarë nga komuna e Bujanocit.
“Nga 43 projekte të realizuara në komunë të Bujanocit, 31 janë kryer në vendbanimet shqiptare, 9 në ato serbe, 1 në vendbanimet rome si dhe 2 projekte kanë shërbyer për të bërë mbushjen e gropave në rrugët e ndryshme të asfaltuara të kësaj komune”, u shpreh drejtori, raporton Titulli.
Haliti me këtë rast potencoi edhe borxhet që kanë institucionet ndaj Drejtoratit për Ndërtim.
“Lokalet te ish Komiteti të cilat i shfrytëzon Këshilli Kombëtar Shqiptar, që ka rreth 128 metra katrorë, i ka borxh ndërmarrjes sonë, pasi nuk ka paguar qiranë për një vit, edhe pse për këtë është paralajmëruar disa herë”, u shprehur Haliti duke theksuar se nga buxheti i komunës së Bujanocit ky institucion ka të planifikuara të marrë çdo vit nga 400 mijë dinarë.
Haliti me këtë rast u ndal edhe tek fushata për zgjedhjet parlamentare duke i bërë thirrje subjektit shqiptar që po merr pjesë në këto zgjedhje “që të shpalosë programin e vet dhe të mos merret me akuza të pabaza”./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!