Aksion për t'i ndërtuar shtëpinë familjes Musliu nga Bujanoci (video)
Familja Musliu nga Bujanoci nga 17 korriku janë pa shtëpi. Tetë anëtarët e kësaj familje si pasojë e zjarrit që morri objektin e banimit, ka mbetur edhe pa gjërat elementare për jetë.Për t’i dal në ndihmë kësaj familje është marrë një iniciativë duke formuar edhe komisionin me kryetar Avni Musliun.
“Familja tashmë nuk ka as lugë, derisa para disa ditësh një familjarë i ka dhuruar një frigorifer që të paktën mos t’i prishet qumështi për fëmijët”, i tha sot portalit informativ Titulli, kryetari i komisionit, Avni Musliu.
Ai bënë apel tek të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë qoftë nga komuna e Bujanocit, Preshevës apo më gjerë, që të ndihmojnë këtë familje e cila ka mbetur në qiell të hapur.
“Qëllimi ynë është që sa ma shpejt me bë një fond që brenda një muaji t’i ndërtojmë shtëpinë. Për këtë iniciativë kemi njoftuar edhe Bashkësinë Islame, me ç’rast presim që ditën e xhuma (të premten) në xhamitë e komunës së Bujanocit të bëhet apel për të ndihmuar këtë familje tashmë të mbetur pa shtëpi”, thekson drejtuesi i iniciativës, Avni Musliu.
Deri më tani, sipas kryetarit të komisionit, me mjete kanë ndihmuar dy persona nga 100 euro, ndërsa në Ditën e Bajramit, në xhaminë e fshatit Verban, nga edhe vjen familja, do të bëhet sërish apel për ndihmë.
Tetë anëtarët e kësaj familje në nevojë, të enjten (17 korrik) mbetën pa shtëpi pasi zjarri për pak minuta ia gllabëroi ate, ndërsa kryefamiljari Jakup Musliu, dyshon se zjarri është shkaktuar nga ndonjë lidhje e shkurtë elektrike.
Portali informativ Titulli kishte njoftuar opinionin e gjerë për situatën e rëndë duke apeluar për solidarizim.
Kjo familje përveç tragjedisë që e ka prekur, në mesin e saj ka edhe dy anëtarë të sëmurë, bashkëshortja e Jakup Musliut vuan nga kanceri, ndërsa një fëmijë për shkak të problemeve në zemër i është nënshtruar tre herë operacioneve, me ç’rast në gjoksin e tij të vogël bartë edhe një aparat për të ndihmuar rrahjen e zemrës së tij./Titulli.com/
Shkrimet për sensibilizimin e opinionit të gjerë me situatën e rëndë që mbretëron në familjet e Luginës, gjatë muajit të Ramazanit realizohen me vetiniciativën e portalit informativ Titulli. Personat që dëshirojnë të ndihmojnë familjen Musliu mund të kontaktojnë me kryetarin e Komisionit (iniciatives) Avni Musliun në këtë numër telefoni: + 381 63 13 09 043