Halimi njofton David McAllister mbi situatën e rëndë në Luginë
Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), njëkohësisht deputeti popullorë Riza Halimi mori pjesë në takimin e raportuesit të Parlamentit Evropian David McAllister dhe shefit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi Michael Davenport me udhëheqësit e grupeve parlamentare opozitare në Parlamentin e Republikës së Serbisë.Në deklaratën e shkruar nga deputeti Halimi lidhur me këtë takim, thuhet se ka njoftuar përfaqësuesin e Parlamentit Evropian dhe të Delegacionit të BE-së me problemet aktuale me të cilat ballafaqohen Shqiptarët e Luginës së Preshevës duke potencuar se Shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë si dhe Shqiptarët që jetojnë në Beograd dhe qendrat tjera në Serbi janë peng i raporteve jonormale në mes të Serbisë dhe Kosovës.
“Posaçërisht u potencua se probleme shumë të ndjeshme jetësore po mbeten të pazgjidhura për shkak të mosinteresimit dhe mosgatishmërisë së qeverisë aktuale serbe për ta realizuar Programin e delegacionit të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës që e kishte pranuar qeveria e mëparshme në qershorin e vitit 2013”, thuhet në deklaratën e deputetit, transmeton Titulli.com.
Madje, ai thekson se as për temën e parë, mbrojtja shëndetësore dhe sociale, e shqyrtuar me ministren e shëndetësisë në tetor 2013 nuk u arrit asnjë rezultat konkret, andaj edhe më tutje mbetet i mbyllur materniteti, për të cilin Bashkimi Evropian ka investuar 250.000 Euro.
Deputeti Halimi nënvizoi se problem akut në Serbi është moszbatimi i ligjeve të aprovuara si dhe marrëveshjeve të arritura, siç është rasti me Marrëveshjen e Brukselit për njohjen e diplomave të universiteteve të Kosovës.
“Në këtë takim raportuesi i Parlamentit Evropian theksoi se në projekt – rezolutën e parë që ia ka dorëzuar Parlamentit Evropian janë paraqitur 222 amendamente, andaj gjatë marsit do të paraqes versionin e harmonizuar të projekt–rezolutës për të cilën do të deklarohen europarlamentarët. /Titulli.com/