Lokale
Gjithçka gati, të martën inaugurimi i shkollës në Tërnoc
Tashmë gjithçka është gati për inaugurimin e objektit të ri shkollor në lagjen e Strukarëve, në Tërnoc të Bujanocit, i cili do të bëhet të martën, më tre shtator.
Këshilli organizativ ka përpiluar agjendën finale të manifestimit ndërsa u janë shpërndarë edhe ftesat mysafirëve.
Ditën e shënimit të manifestimit, fillimisht kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, do të bëjë pritjen e të ftuarve në kabinetin e tij, pas përfundimit të së cilës do të pasojë nisja drejt Tërnocit.
Në skenën e manifestimit me fjalime do të paraqiten drejtori i shkollës “Muharrem Kadriu”, Ambasadori i Republikës së Turqisë, përfaqësuesi i TIKA-së, përfaqësuesi i Qeverisë apo Ministrisë së Arsimit dhe kryetari i komunës së Bujanocit.
Në kuadër të pjesës zbavitëse, të pranishmit do t’i argëtoj SH.K.A. “Zëri i Luginës”, ndërsa programi do të vijojë me zbulimin e pllakës së donatorëve dhe ndarjen e mirënjohjeve për organizatat dhe individët.
Momenti kulmor i prerjes së shiritit parashihet të bëhet pak para orës dymbëdhjetë i cili pason me hyrjen në objektin e shkollës dhe prezantimin e objektit të ndërtuar.
Në fund të manifestimit janë paraparë edhe deklaratat për media.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, pjesë e delegacionit turk do të jenë edhe dhjetëra biznesmenë, kryesisht me prejardhje nga Lugina. Afaristët do t’i pres edhe kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi.
“Do të jenë kryesisht njerëzit tanë të cilët sot janë afaristët më të suksesshëm në Turqi me të cilët komuna jonë planifikon hapjen e shtigjeve të reja të bashkëpunimit ekonomik”, thotë koordinatori i Zyrës për Zhvillim Ekonomik në Bujanoc, NexhatBehluli./Titulli.com/
Agjenda
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!