Lokale
Dorëzohet drejtori i shkollës “Sezai Surroi”
Ilmi Ibrahimi, tashmë ish drejtor, “luftoi” deri në momentin e fundit për karrigen e drejtuesit të institucionit arsimor, mirëpo sot, edhe pse pa dëshirën e tij ai u detyrua të dorëzohet
Vendimi i 14 shkurtit i Këshillit të shkollës për të shkarkuar Ilmi Ibrahimin nga detyra e drejtorit të shkollës së mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc sot ka hyrë në fuqi, pas kalimit të afatit ligjor si dhe mbledhjes së jashtëzakonshme që sot prapë mbajti ky Këshillë.
Edhe pse vendimi për të shkarkuar ishte marrë para më shumë se një muaj, Ibrahimi rezistoi deri në këto momente, duke mos dashur që as sot të hiqet nga posti i drejtorit.
U desh formimi i një komisioni prej tre anëtarëve për pranim dorëzimin e detyrës si dhe negociata në zyre të drejtorit në mënyrë që ai të linte të lirë karrigen e drejtuesit të këtij institucioni arsimor.
Ibrahimi i kishte thënë anëtarëve të komisionit se këtë detyrë do ta lëshonte të nesërmen dhe kurrsesi sot, pasi sipas tij nga mbledhja e Këshillit të shkollës duhet të kalojnë 24 orë.
Mirëpo, siç i tha Titullit Kryeshefi i drejtoratit për çështje publike dhe veprimtari shoqërore, Arbër Pajaziti, vendimi i Këshillit i mbajtur në mbledhjen e sotme hynë në fuqi menjëherë pasi që është mbledhje e jashtëzakonshme dhe jo e rregullt.
“Kushtet për shkarkimin e drejtorit janë plotësuar më datën 15 mars, 15 ditë pasi që Ministri i arsimit e ka pranuar shkresën nga shkolla e mesme për shkarkim dhe emërim të ushtruesit të detyrës. Është dashur të pritet edhe dy ditë dhe sot në ora 7h janë plotësuar të gjitha kushtet që të emërohet ushtrues i detyrës së shkollës”, u shpreh Pajaziti.
Më 14 shkurt, nëntë anëtarët e Këshillit të shkollës morën vendimin për shkarkim të Ibrahimit, prej të cilëve 7 votuan për ta shkarkuar, ndërsa dy abstenuan.
Ndërsa siç ka mësuar Titulli, ish drejtori, në shenjë hakmarrje gjatë javës së kaluar ka larguar nga puna profesorin e kësaj shkolle Bektash Halimi i cili edhe ishte anëtarë në Këshillë të shkollës, ndërsa në vend të tij ka punësuar simpatizant të partisë që ai i përket.
Ilmi Ibrahimi punën si drejtorë e filloi gjatë muajit maj të vitit 2010. Ushtrues detyre është emëruar profesori shumëvjeçar në këtë shkollë, Zejni Fejzullahu./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!