Deputetët takohen me delegacionin e BE-së, paraqesin shqetësimet e shqiptarëve
Deputetët Riza Halimi dhe Shaip Kamberi, janë takuar, sot, në selinë e delegacionit të BE-së në Beograd me z. Eduard Auer, shef i seksionit për Ballkan në shërbimin për punë të jashtme të BE-së.Në takimin, sipas njoftimit të Partisë për Veprim Demokratik, është diskutuar për pozitën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe problemet me të cilat ata po ballafaqohen.
“Në takimin me zyrtarët e BE-së është kërkuar angazhim më efikas i BE-se për ndryshimin e klimës politike ndaj shqiptarëve. Me këtë rast, veçanërisht është potencuar fushata më e re antishqiptare, e cila në Serbi, po zhvillohet ndaj jetës së shqiptarëve dhe pasurisë së tyre, që vjen si pasojë e një disponimi antishqiptar pas ndeshjes futbollistike Serbi – Shqipëri”, njofton PVD, rreth këtij takimi mes dy deputetëve të saj me Eduard Auer, shef i seksionit të Ballkanit në shërbimin për punë të jashtme të BE-së.
Zyrtarët e Evropian kanë theksuar domosdoshmërinë e respektimit të të drejtave të pakicave si një ndër kushtet për integrim të çdo shteti në BE.
“Vizitat e këtilla, të cilat kanë për qëllim verifikimin e përmbushjes së kriteriumeve përkatëse nga ana e Serbisë në rrugën e anëtarësimit në BE, do të ketë edhe në të ardhmen”, thuhet në njoftim.
Delegacioni i BE-së nga Beogradi vazhdon agjendën e takimeve në Prishtinë./Titulli.com/