10 nxënës më pak në klasat e para 2018/2019 në komunën e Bujanocit
Numri i nxënësve të cilët pritet të regjistrohen në klasën e parë në territorin e komunës së Bujanocit pritet të jetë më i vogël për 10 nxënës në krahasim me vitin paraprak megjithëse ende mungojnë statistikat zyrtare.Kryeshefi i drejtoratit për arsim pranë administratës komunale, Driton Rexhepi për Titulli.com tha se numri i përgjithshëm i nxënësve të regjistruar me gjasë do të bije edhe këtë vit.
“Sa i përket numrit të filloristëve që do të regjistrohen në klasë të parë me që ende nuk kemi statistika zyrtare e që duhet të vijnë në shtator prej shkollave fillore, ne disponojmë vetëm me numrin e parashkollorëve e që është 282 parashkollorë e që sipas llogaritjes së thjesht këtë vit do të ketë 10 nxënës më pak” , u shpreh Rexhepi, shkruan Titulli.com.
Drejtori i shkollës fillore “ Muharrem Kadriu ” në Tërnoc Bajram Salihu gjatë bisedës për Titulli.com theksoi se parapërgatitjet për vitin e ardhshëm shkollorë janë bërë kurse statistika zyrtare për numrin e nxënësve nuk kemi.
“Përgatitjet kanë filluar para dy muajve, ku kemi shpallur lajmërimet dhe që janë shpërndarë në vendet më frekuentuese të fshatit, si në çerdhen e fëmijëve dhe në shkolla. Deri më tani interesimi nuk ka qenë i madh dhe nuk kemi numër të saktë të nxënësve të cilët do të regjistrohen në klasë të parë. Presim që numri i tyre të dihet në muajin shtator”, tha Salihu .
Në komunën e Bujanocit funksionojnë 10 shkolla fillore, vitin shkollor 2017/2018 e kanë vijuar 383 nxënës në klasën e parë kurse numri i nxënësve të cilët do të regjistrohen është në rënie të vazhdueshme. /Titulli.com/