Zyrtari i NATO-s në Serbi: Presim shtensionim të plotë të situatës në veri të Kosovës
Rajoni dhe Politika

Zyrtari i NATO-s në Serbi: Presim shtensionim të plotë të situatës në veri të Kosovës

30.Aug.2023 07:04
0

Ne ende presim të shohim një shtensionim të plotë të situatës në veri të Kosovës, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), shefi i Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s në Beograd, Giampiero Romano.

"Të gjitha palët duhet të punojnë për të parandaluar çdo ripërshkallëzim. Dhuna mund ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor dhe të kërcënojë aspiratat euro-atlantike të këtij rajoni", tha Romano.

Ai përshëndeti hapat e ndërmarrë nga institucionet e Kosovës, që kanë të bëjnë me zvogëlimin e numrit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës rreth objekteve komunale në veri të Kosovës, si dhe punën për organizimin e zgjedhjeve të reja lokale.

"Rruga e vetme përpara është ajo përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian [BE], të cilin Aleanca Veri-atlantike e mbështet fuqishëm. Ne besojmë se Serbia, si një partnere afatgjatë e NATO-s, do të angazhohet për t'u përfshirë në një dialog të tillë në mënyrë konstruktive”, theksoi ndër tjerash shefi i Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s në Beograd.

Tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, të shoqëruar nga Policia e Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.

Banorët serbë e kundërshtuan këtë dhe organizuan protesta që kulmuan në dhunë më 29 maj në Zveçan, ku u plagosën dhjetëra demonstrues dhe ushtarë të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR).

Ndërkohë, Kosova dhe BE-ja arritën marrëveshje për shtensionimin e situatës, e cila parasheh shpalljen e zgjedhjeve të reja në komunat në veri.

Kur bëhet fjalë për ndikimin e Rusisë në Serbi dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor, Romano deklaroi se shqetësimet për ndikimin e Rusisë në rajon "u bënë më intensive që kur filloi pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës nga Rusia".

"Ajo që po shohim në të gjithë rajonin është përhapja e dezinformatave, detyrimeve, hakerëve dhe aktiviteteve të tjera destabilizuese. Kjo është arsyeja pse NATO-ja do të vazhdojë të përmirësojë bashkëpunimin me partnerët në rajon për të mbështetur reformat, paqen dhe sigurinë rajonale", u shpreh Romano.

NATO-ja, e gatshme të reagojë në veri

Radio Evropa e Lirë: Cili është vlerësimi juaj për situatën aktuale të sigurisë në veri të Kosovës? Cilat janë sfidat më të mëdha për NATO-n në atë pjesë të Kosovës?

Giampiero Romano: Të gjitha palët duhet të punojnë për të parandaluar çdo ripërshkallëzim. Dhuna mund të destabilizojë Ballkanin Perëndimor dhe të kërcënojë aspiratat euro-atlantike të rajonit. Kjo është arsyeja pse ne mirëpresim hapat që kanë ndërmarrë institucionet e Kosovës së fundi, për zvogëlimin e numrit të policëve përreth objekteve komunale në veri të Kosovës, si dhe punën për organizimin e zgjedhjeve të reja lokale.

Këta janë hapa në drejtimin e duhur që duhet të shoqërohen me një shtensionim shtesë. Dialogu konstruktiv është mënyra e vetme për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet. Dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nën mbikëqyrjen e BE-së është platforma më e mirë për gjetjen e një zgjidhjeje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve.

Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Ristuccia, vazhdon të mbetet në kontakt me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralin Milan Mojsiloviq, si dhe me përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe organizatave të sigurisë në Kosovë, Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit [EULEX], OSBE-në dhe komunitetin ndërkombëtar.

Gjenerali Ristuccia me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në dhjetor të vitit 2022.
Gjenerali Ristuccia me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në dhjetor të vitit 2022.

Misioni i NATO-s, KFOR, është plotësisht i përkushtuar dhe i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara [OKB] të vitit 1999, që për synim ka ofrimin e një mjedisi të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Kur është fjala për situatën në terren, KFOR-i monitoron nga afër situatën dhe ka një qëndrim të shkathtë, fleksibil dhe një prani të dukshme.

Gjatë muajit maj, pati një sulm ndaj pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të KFOR-it - 93 ushtarë të NATO-s u plagosën, disa prej të cilëve pësuan lëndime të rënda. Kjo është krejtësisht e papranueshme. Prandaj, si përgjigje ndaj trazirave të fundit, NATO-ja ka dislokuar edhe 500 trupa shtesë në Kosovë dhe KFOR-i mbetet i gatshëm të përgjigjet sipas nevojës.

Misioni ynë i KFOR-it gjithmonë do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të ofruar mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, si dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin e tij të Kombeve të Bashkuara. Çdo ndryshim në numrat e KFOR-it do të bazohet në kushtet në terren, jo në afate të paracaktuara.

Ballkani Perëndimor ka bërë një rrugë të gjatë që nga konfliktet e viteve 1990, por ne po shohim një përsëritje të tensioneve në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, me retorikë më agresive, reforma të ngecura dhe përpjekje nga faktorë të jashtëm që synojnë të minojnë progresin.

Radio Evropa e Lirë: Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u takua me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në korrik në Bruksel dhe me atë rast kërkoi "siguri për serbët në Kosovë". A ka ndodhur ndonjë lëvizje e re në këtë drejtim? Si merr pjesë Zyra Ndërlidhëse Ushtarake e NATO-s në Beograd në përpjekjet për ta shtensionuar situatën në veri të Kosovës?

Giampiero Romano: Vizita e fundit e presidentit Vuçiq në selinë e NATO-s ishte një mundësi e mirë për të diskutuar për sfidat në veri të Kosovës, si dhe për NATO-n për të riafirmuar angazhimin e saj afatgjatë ndaj misionit të saj KFOR bazuar në mandatin e OKB-së. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, theksoi rëndësinë e uljes së tensioneve, si dhe faktin se të gjitha palët duhet të përmbahen nga masat dhe retorika që mund të çojnë në përshkallëzim. Ne jemi ende në pritje për të parë një shtensionim të plotë.

E vetmja rrugë përpara është përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, të cilën [rrugë] NATO-ja e mbështet fuqishëm. Ne besojmë se Serbia, si një partner afatgjatë i NATO-s, do të angazhohet në një dialog të tillë në mënyrë konstruktive.

Siç thashë, KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij në ofrimin e sigurisë, në përputhje me mandatin e tij që rrjedh nga OKB-ja. Gjithashtu, ekipi im vazhdon të japë kontributin e tij përmes aktiviteteve të përditshme në fushën e dialogut politik dhe bashkëpunimit praktik me bashkëbisedues të shumtë në Beograd dhe në mbarë Serbinë.

Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s në Beograd, Giampiero Romano, duke pranuar detyrën. Beograd, 20 dhjetor 2022.
Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s në Beograd, Giampiero Romano, duke pranuar detyrën. Beograd, 20 dhjetor 2022.

Bashkëpunimi me Serbinë përmes 'aktiviteteve të panumërta'

Radio Evropa e Lirë: Si e vlerësoni bashkëpunimin me institucionet kompetente të Serbisë?

Giampiero Romano: Unë mora detyrën e shefit të Zyrës Ndërlidhëse Ushtarake të NATO-s në Beograd dhjetorin e kaluar, kur mora detyrën e shefit të Misionit nga bashkatdhetari im i nderuar, gjeneral brigade Antonello Messenio Zanitti. Në ceremoninë e dorëzim-pranimit [të detyrës] morën pjesë miqtë tanë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes, Ushtria Serbe dhe shumë institucione të tjera serbe. Vetë fakti që më pritën në Beograd dy ministra dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, më dha një pasqyrë shumë të qartë se si e sheh Serbia partneritetin tonë.

Për gati shtatëmbëdhjetë vjet, NATO-ja dhe Serbia kanë zhvilluar një partneritet me përfitim reciprok, si përmes dialogut të ngushtë politik, ashtu edhe përmes një niveli të lartë bashkëpunimi praktik në të gjitha fushat. Kur bëhet fjalë për dialogun tonë politik, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, është në kontakt të rregullt me presidentin Vuçiq dhe zyrtarë të lartë të NATO-s komunikojnë rregullisht me partnerët e tyre serbë në Beograd dhe Bruksel.

Sa i përket bashkëpunimit praktik në kuadër të partneritetit me Serbinë, mund të rendis një sërë aktivitetesh që realizohen në bashkëpunim me disa institucione serbe në kuadër të programit Partneriteti për Paqe, në radhë të parë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ushtrinë Serbe. Për shembull, ne punojmë së bashku për të qenë më të përgatitur për t'u marrë me emergjenca, si përmbytjet dhe zjarret.

NATO-ja, gjithashtu, trajnon ushtarët serbë për të marrë pjesë në misionet paqeruajtëse dhe ofron edukim dhe trajnim për oficerët dhe personelin e Forcave të Armatosura Serbe në mënyra të ndryshme. Këto aktivitete e ndihmojnë Ushtrinë Serbe që t’i zhvillojë më shumë kapacitetet e saj për pjesëmarrje në operacionet paqeruajtëse ndërkombëtare.

Fotografi nga stërvitjet ushtarake "Ujku i Platinit", Bujanoc, 22 qershor 2023.
Fotografi nga stërvitjet ushtarake "Ujku i Platinit", Bujanoc, 22 qershor 2023.

Përveç kësaj, ne kemi investuar miliona euro për të ndihmuar Serbinë të shkatërrojë qindra tonelata municione të vjetruara.

Ne jemi në gjendje t'i bëjmë të gjitha këto sepse udhëheqësit në Beograd e shohin rëndësinë e partneritetit ndërmjet Serbisë dhe NATO-s dhe përfitimet që sjell për këtë vend.

Gjithçka që bëjmë së bashku bazohet në kërkesat e Serbisë dhe përshtatet me nevojat e saj, duke respektuar plotësisht politikën e neutralitetit ushtarak të Serbisë.

Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është i një rëndësie strategjike për NATO-n dhe ne besojmë se forcimi i partneritetit ndërmjet NATO-s dhe Serbisë mund të ketë përfitime të shumta, ndër të cilat është stabilizimi i mëtejshëm i rajonit.

Përsëritja e tensioneve në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë

Radio Evropa e Lirë: Dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it u plagosën gjatë trazirave në veri të Kosovës në fund të majit. Si do të siguroj NATO-ja që përgjegjësit të japin llogari?

Giampiero Romano: NATO-ja dhe e gjithë bashkësia ndërkombëtare i kanë dënuar sulmet e paprovokuara ndaj forcave të KFOR-it që mbronin jetën dhe sigurinë në veri të Kosovës. Sulmet e tilla ndaj personelit të KFOR-it janë të papranueshme dhe nuk duhet të përsëriten. Për dekada, forcat e KFOR-it e kanë kryer mandatin, që rrjedh nga OKB-ja, në mënyrë të paanshme dhe për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Ballkani Perëndimor ka bërë një rrugë të gjatë që nga konfliktet e viteve 1990, por ne po shohim një përsëritje të tensioneve në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, me retorikë më agresive, reforma të ngecura dhe përpjekje nga faktorë të jashtëm që synojnë të minojnë progresin.

Në Konceptin tonë Strategjik, u riafirmua rëndësia strategjike e rajonit të Ballkanit Perëndimor për NATO-n, gjë që u konfirmua qartë dhe njëzëri nga liderët e saj në samitin në Vilnius korrikun e këtij viti. Siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë të rëndësishme për NATO-n dhe për paqen dhe stabilitetin në Evropë.

Siç e kam thënë tashmë, mandati i KFOR-it, i cili bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, është të angazhohet për sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes në Kosovë. Misioni ynë do të vazhdojë ta kryejë këtë mandat në mënyrë të paanshme dhe do të jetë gjithmonë i gatshëm të marrë të gjitha masat e nevojshme për këtë qëllim.

NATO-ja ka rritur praninë e saj me rreth 500 ushtarë turq nga forcat tona operacionale rezervë për Ballkanin Perëndimor dhe një batalion shtesë i forcave rezervë është në nivelin më të lartë të gatishmërisë. Këta janë hapa të arsyeshëm për të siguruar që KFOR-i ka fuqinë dhe aftësitë e nevojshme për të përmbushur më tej mandatin e tij.

Dhuna bart më vete rrezikun e kthimit prapa të Kosovës, si dhe të gjithë rajonit, si dhe të rrezikimit të aspiratave të saj euroatlantike. Prishtina dhe Beogradi duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të shtensionuar situatën dhe të përmbahen nga sjelljet e mëtejshme të papërgjegjshme. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që t’i ulin tensionet, të kërkojnë zgjidhje të dobishme dhe të bëjnë çmos për t'u kthyer në dialog nën mbikëqyrjen e BE-së. Kjo është e një rëndësie kyçe për sigurinë e përhershme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon.

Pasojat e luftës brutale ruse

Radio Evropa e Lirë: A e ka identifikuar NATO-ja ndikimin rus në trazirat e fundit në veri të Kosovës?

Giampiero Romano: Për më shumë se 30 vjet, NATO-ja është përpjekur të ndërtojë një partneritet me Rusinë dhe të zhvillojë dialogun dhe bashkëpunimin praktik në fushat me interes të përbashkët. Pavarësisht kësaj, Rusia shkel në mënyrë të përsëritur normat dhe parimet që kontribuojnë në një rend të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm të sigurisë në Evropë, veçanërisht gjatë dekadës së fundit.

 

Lufta brutale dhe e paligjshme e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, e nisur në vitin 2022 pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë në vitin 2014, tronditi paqen dhe ndryshoi në mënyrë drastike rrethin e sigurisë. Lufta brutale e Rusisë tashmë ka pasoja të mëdha që po ndihen në shumë rajone.

Shqetësimet për ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor janë bërë më intensive që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë të Rusisë në Ukrainë. Në këtë kuptim, muajt e fundit kemi parë sulme kibernetike, dezinformata, presion ekonomik dhe shtrëngim politik. Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të luajë një rol konstruktiv në Ballkanin Perëndimor, por për fat të keq ne e shohim rregullisht duke bërë të kundërtën.

Radio Evropa e Lirë: Cila mendoni se është zgjidhja e qëndrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Giampiero Romano: Në samitin e NATO-s në Vilnius, aleatët përsëritën mbështetjen e tyre të plotë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe iu bënë thirrje të dyja palëve që të përfitojnë nga ky moment dhe të punojnë me mirëbesim për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme politike. Ata, gjithashtu, u bënë thirrje të dyja palëve që urgjentisht t’i ulin tensionet dhe ta zbatojnë marrëveshjen për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve dhe Aneksin për zbatimin e saj, për të cilat palët ranë dakord këtë vit në Bruksel dhe Ohër.

NATO-ja mbështet fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve. Mbetemi në kontakt shumë të ngushtë me Bashkimin Evropian dhe përfaqësuesin e tij special, Mirosllav Lajçak.

Aleatët e NATO-s janë fuqimisht të përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, gjë që ata e kanë bërë për dekada të tëra dhe misioni ynë më jetëgjatë, KFOR, është treguesi më i mirë për vendosmërinë në këtë angazhim.

Serbia është ajo që përcakton hapësirën e bashkëpunimit me NATO-n

Radio Evropa e Lirë: Serbia deklarohet si një vend ushtarakisht neutral. Megjithatë, që nga viti 2006, ajo ka vazhduar bashkëpunimin me NATO-n përmes Partneritetit për Paqe. Cilat janë rezultatet kryesore të këtij bashkëpunimi?

Giampiero Romano: Sfidat e përbashkëta me të cilat përballemi në botën e sotme moderne, zgjidhen më së miri përmes përpjekjeve të përbashkëta. Kjo është arsyeja pse partnerët janë thelbësorë për NATO-n, pasi kontribuojnë në stabilitetin përtej kufijve tanë dhe rrisin sigurinë brenda tyre. Në Ballkanin Perëndimor, partneriteti ynë afatgjatë - duke përfshirë politikën e dyerve të hapura - ka ndihmuar në forcimin e stabilitetit dhe ka mbështetur reformat demokratike. Po kështu, partneriteti ndërmjet NATO-s dhe Serbisë i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon, të cilin NATO dhe Serbia e shohin si një interes strategjik.

Ne e respektojmë plotësisht politikën e neutralitetit ushtarak të Serbisë - si dhe të shumë partnerëve tanë të tjerë - e cila nuk na pengon të bëjmë gjëra të mëdha së bashku, tani dhe në të ardhmen".

Është e rëndësishme të theksohet se është Serbia ajo që përcakton shtrirjen e partneritetit tonë. Jemi të kënaqur me gjithçka që kemi arritur deri tash në këtë proces, por gjithmonë ka hapësirë për të bërë më shumë.

Bashkëpunimi ynë afatgjatë ka shumë rezultate. Për shembull, përmirësimi i njohurive dhe aftësive të oficerëve serbë, të nevojshme për pjesëmarrjen e tyre të suksesshme në operacionet ndërkombëtare është një nga mënyrat, me të cilat NATO-ja mbështet Forcat e Armatosura Serbe në dhënien e një kontributi të rëndësishëm në misionet paqeruajtëse në mbarë botën nën kujdesin e OKB-së dhe BE-së.

Duke ofruar edukim dhe trajnim për oficerët dhe personelin tuaj në formën e vizitave dhe programeve të ndryshme, ne u mundësojmë atyre të fitojnë aftësi të reja dhe profesionalizëm, duke forcuar kështu aftësinë e tyre për të vepruar në mënyrë efektive përkrah ushtarëve nga vende të tjera. Aleatët e NATO-s po i ofrojnë mbështetje Sllovenisë pasi reshjet rekorde të shiut shkaktuan përmbytje të mëdha në dy të tretat e vendit. Mbështetja përfshin sigurimin e helikopterëve, urave të parafabrikuara, ekskavatorëve dhe asistencës inxhinierike.

E mirëpres edhe kontributin e Serbisë në këtë drejtim, përmes sigurimit të personelit, helikopterëve dhe pajisjeve të tjera. Falë trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta, siç është stërvitja “Serbia 2018” e organizuar nga Serbia dhe NATO-ja në Mlladenoc, të gjithë mund të veprojmë si një kur është e nevojshme.

Ne e respektojmë plotësisht politikën e neutralitetit ushtarak të Serbisë - si dhe të shumë partnerëve tanë të tjerë - e cila nuk na pengon të bëjmë gjëra të mëdha së bashku, tash si dhe në të ardhmen. Në përgjithësi, siç thanë liderët e NATO-s në samitin në Vilnius, forcimi i marrëdhënieve NATO-Serbi do të ishte i dobishëm për NATO-n, për Serbinë dhe për të gjithë rajonin.

 

Projekte të përbashkëta shkencore me Serbinë

Radio Evropa e Lirë: Sipas jush, si mund të përmirësohet ky bashkëpunim?

Giampiero Romano: Përmes informimit të vazhdueshëm të njerëzve në Serbi dhe në rajon se sa punojnë së bashku NATO-ja dhe Serbia në fusha të shumta, gjë që ndikon drejtpërdrejt në sigurinë dhe mirëqenien e popullatës sonë.

Ne kemi një themel të shkëlqyer, mbi të cilin po ndërtojmë. Për shembull, ka shumë histori suksesi në bashkëpunimin tonë shkencor, ku shkencëtarët serbë luajnë një rol udhëheqës. Shkencëtarët nga vendet e NATO-s dhe Serbia punojnë së bashku për të përmirësuar jetën e qytetarëve tanë, në çështjet e sigurisë së energjisë dhe mjedisit, teknologjive të reja përçarëse, luftës kundër terrorizmit, mbrojtjes kibernetike, mbrojtjes kundër armëve kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore dhe sigurisë njerëzore. Unë do të jap disa shembuj.

Shkencëtarët serbë dhe gjermanë janë duke punuar në zhvillimin e një roboti dekontaminues dhe çminues të quajtur T-Whex".

Shkencëtarët serbë nga Instituti Vinca, së bashku me kolegë nga Italia, Franca, Holanda, Gjermania, Finlanda, Ukraina dhe Republika e Koresë, kanë treguar profesionalizëm dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, përmes pjesëmarrjes në zhvillimin e teknologjisë për identifikimin e armëve të fshehura dhe eksplozivit në vendet ku ka një numër të madh njerëzish, pa penguar qarkullimin e këmbësorëve (DEXTER). Qëllimi i këtij projekti është të ndihmojë në parandalimin e sulmeve terroriste në stacionet e metrosë, aeroportet dhe vende të tjera të transportit publik dhe tubimeve publike.

Një shembull tjetër i bashkëpunimit tonë është një projekt kërkimor i financuar nga NATO-ja që merret me zhvillimin e biokarburanteve të algave për prodhim komercial. Ai realizohet nga Instituti për Kërkime Multidisiplinare të Universitetit të Beogradit në bashkëpunim me Universitetin e Mançesterit nga Britania e Madhe dhe Universitetin Baylor në SHBA.

Projektet e NATO-s për bashkëpunim shkencor ndihmuan në krijimin e tabelave sizmologjike për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në përmirësimin e mbrojtjes së burimeve ujore të lumit Sava. Përveç kësaj, shkencëtarët serbë dhe gjermanë janë duke punuar në zhvillimin e një roboti dekontaminues dhe çminues të quajtur T-Whex.

Këta janë vetëm disa nga shembujt e shumtë konkretë të përfitimeve reciproke që kanë NATO-ja dhe Serbia falë partneritetit të tyre. Sa më shumë njerëz të dinë se si NATO-ja dhe Serbia punojnë së bashku, aq më shumë gjasa do të ketë për më shumë projekte dhe aktivitete të përbashkëta, nëpërmjet së cilave ne mund të kontribuojmë së bashku në ndërtimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë ne dhe fëmijët tanë.

Radio Evropa e Lirë: Instituti për Çështje Evropiane së fundi ka realizuar një anketë që ka treguar se perceptimi në Serbi nuk ka ndryshuar dukshëm kur është fjala për anëtarësimin e mundshëm në NATO, si dhe kur bëhet fjalë për NATO-n në përgjithësi. Mendoni se ky perceptim paraqet sfidë për bashkëpunimin me Serbinë? A mendoni se mund të ndryshojë ky perceptim në një qëndrim më pozitiv?

Giampiero Romano: Ne e vlerësojmë opinionin publik në Serbi. Për ne, perceptimi dhe opinioni i njerëzve janë faktorë kyç që ne i marrim parasysh në aktivitetet tona të përditshme. Serbia është një partner i çmuar i NATO-s dhe bashkëpunimi ynë është reciprokisht i dobishëm. Këto janë faktet që ne përpiqemi t'i komunikojmë në mënyrë transparente.

“Ekipi im dhe unë do të vazhdojmë të informojmë për shtrirjen e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe NATO-s në mënyrë të saktë dhe transparente, duke komunikuar qartë se partneriteti ynë bazohet në kërkesat e Serbisë”, thotë gjenerali Romano. Foto: Zyrtarë serbë, amerikanë dhe të NATO-s në hapjen e stërvitjes 'Ujku i Platinit', Serbi, qershor 2023.
“Ekipi im dhe unë do të vazhdojmë të informojmë për shtrirjen e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe NATO-s në mënyrë të saktë dhe transparente, duke komunikuar qartë se partneriteti ynë bazohet në kërkesat e Serbisë”, thotë gjenerali Romano. Foto: Zyrtarë serbë, amerikanë dhe të NATO-s në hapjen e stërvitjes 'Ujku i Platinit', Serbi, qershor 2023.

Ekziston edhe një pikë tjetër e rëndësishme për të cilën duhet komunikuar më shpesh. NATO përbëhet nga aleatë, vende fqinje dhe partnere ekonomike të Serbisë, d.m.th. vendet që janë afër Serbisë dhe popullit serb në një mënyrë apo tjetër, qoftë bilaterale, përmes BE-së apo lidhjeve të tjera shumëpalëshe.

NATO është Italia, atdheu im, një nga 12 themeluesit e saj. NATO është Gjermania, një nga partnerët më të mëdhenj ekonomikë të Serbisë. NATO është Norvegjia, prej nga vjen sekretari ynë i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg. NATO është Greqia, është Hungaria, Spanja, Sllovakia, Danimarka dhe shumë vende të tjera. Serbia ka shumë miq në mesin e vendeve të NATO-s dhe ka lidhje të rëndësishme tregtare, ekonomike, kulturore dhe të tjera me ato vende.

Puna jonë nuk mbaron kurrë. Ekipi im dhe unë do të vazhdojmë të informojmë për shtrirjen e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe NATO-s në mënyrë të saktë dhe transparente, duke e thënë qartë se partneriteti ynë bazohet në kërkesat e Serbisë, se ai është i përshtatur për nevojat e saj dhe se është kryer me respekt të plotë për politikën e neutralitetit ushtarak të Serbisë.

Përveç kësaj, në samitin e NATO-s në Vilnius në fillim të kësaj vere, liderët e NATO-s e bënë të qartë se shpresojnë se Serbia do të ketë marrëdhënie konstruktive me NATO-n dhe fqinjët e saj, duke përfshirë njoftimin e saj publik për përfitimet reciproke të bashkëpunimit të NATO-s dhe Serbisë.

 

Ne duhet të gjejmë mënyra për të qëndruar së bashku kundër fushatave dezinformuese, kërcënimeve hibride dhe sfidave të tjera që minojnë besimin në shoqëritë tona demokratike në përgjithësi. Ilaçi më i mirë për këto sfida janë faktet dhe zbatimi i vlerave tona të përbashkëta, si dhe transparenca dhe aktivitetet konkrete. Prandaj, ne do të vazhdojmë të bëjmë çmos për të shpjeguar se çfarë është NATO-ja dhe cilat parime dhe vlera përfaqëson. Ne jemi, gjithashtu, të gatshëm të eksplorojmë mënyra të reja për të komunikuar me publikun serb.

Shtrëngimi, sulmet kibernetike dhe aktivitetet tjera destabilizuese

Radio Evropa e Lirë: Si e sheh Aleanca Veriatlantike ndikimin e Rusisë në Serbi në dritën e pushtimit rus të Ukrainës?

Giampiero Romano: Ndikimi i luftës brutale të Rusisë është i gjerë dhe është përhapur në shumë rajone përtej vetë zonës së konfliktit. Pasojat e saj përfshijnë një krizë ushqimore dhe energjetike që prek miliarda njerëz në mbarë botën. Gjithashtu, pasojat e luftës vërehen në disa mënyra në Ballkanin Perëndimor. Ajo që ne shohim në të gjithë rajonin është përhapja e dezinformatave, detyrimeve, hakerave dhe aktiviteteve të tjera destabilizuese. Prandaj, NATO do të vazhdojë të përmirësojë bashkëpunimin me partnerët në rajon për të mbështetur reformat, paqen dhe sigurinë rajonale, si dhe për të luftuar kundër ndikimit malinj, i cili përfshin dezinformimin, kërcënimet hibride dhe kibernetike nga aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë.

Për sa i përket pasojave të kontekstit aktual gjeopolitik në marrëdhëniet NATO-Serbi, vlen të përmendet se Serbia vendosi të pezullojë të gjitha aktivitetet në lidhje me planifikimin, përgatitjen dhe mbajtjen e stërvitjeve ndërkombëtare deri në një njoftim të dytë.

NATO-ja respekton plotësisht të drejtën sovrane të secilit vend për të zgjedhur marrëveshjet e veta politike dhe të sigurisë, por ne nuk e shohim se Rusia po bën të njëjtën gjë.

Siç e kam thënë tashmë, NATO-ja është plotësisht e përkushtuar për stabilitetinnë rajon dhe mirëpret bashkëpunimin konstruktiv me Serbinë për këtë qëllim.

Radio Evropa e Lirë: Serbia nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë, pavarësisht thirrjeve të BE-së, ky aspiron të anëtarësohet. Deri në çfarë mase një gjë e tillë paraqet sfidë sigurie për Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor?

Giampiero Romano: Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës është i paligjshëm. Ajo ka kërcënuar sigurinë euro-atlantike dhe globale, krimet e luftës dhe sulmet ruse kundër civilëve dhe infrastrukturës civile po privojnë miliona ukrainas nga shërbimet bazë njerëzore. Lufta e Rusisë, gjithashtu, ndikon ndjeshëm në mjedisin, sigurinë bërthamore, sigurinë e energjisë dhe ushqimit, ekonominë globale dhe mirëqenien e miliarda njerëzve në mbarë botën. Siç e kam thënë tashmë, pasojat negative të kësaj lufte ndihen edhe në Ballkanin Perëndimor.

Ne nuk duhet ta tolerojmë këtë. NATO-ja mirëpret vendimin e Serbisë për t’i mbështetur rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënojnë agresionin rus kundër Ukrainës. Është e rëndësishme që partnerët tanë të bashkohen me ne për t’i mbrojtur vlerat tona të përbashkëta demokratike dhe për të mbrojtur një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Përgatiti: Syzanë Paçarizi
copy(/home/titulli/public_html/images/image/iampiero%20Romano.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Kurti: Normalizimi i raporteve me Serbinë është i vështirë, por i mundur
Arifi pret në takim kryetarin e Trupit Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Martinoviq
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration