Arifi pret në takim kryetarin e Trupit Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Martinoviq
Shiprim Arifi së bashku me zëvendësin e tij Almin Shaqiri dhe stafin menaxhues të Administratës komunale pritën për vizitë zyrtare Ministrin e Administratës shtetërore dhe vetadministrimit lokal, njëherit dhe kryetarin e Trupit Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë z. Aleksandar Martinoviq, së bashku me drejtorin e Trupit Koordinues Nenad Mitroviq dhe stafin përcjellës të tyre.
"Kryetari i ri të Trupit Koordinues është njoftuar me rrjedhën e zhvillimeve të deritanishme të bashkëpunimit me Trupin Koordinues, projektet e realizuar, ndikimin e pandemisë në periudhën e kaluar, me fokus të veçantë në projektet me rëndësi vitale për komunën tonë për periudhën në vijim", thuhet në njoftimin e Arifit në Facebook.
Sipas tij gjatë takimit u analizua një kronologji të mënyrës së funksionimit të Trupit Koordinues si institucion shtetëror, të arriturat dhe ngecjet, ku bashkërisht u konstatua ngecja në implementimin e Planit shtatë pikësh, të hartuar dhjetë vite më parë.
"Problemi i pasivizimit të adresave të shqiptarëve të Luginës, prolongimi i hapjes së kufirit Miratoc-Llojan, mospranimi i diplomave të të diplomuarve në universitetet e Republikës së Kosovës, kthimi i Gjykatës dhe Prokurorisë themelore në Preshevë, mungesa e perspektivës ekonomike dhe punësimit të të rinjve tanë, mospërfshirja e shqiptarëve në institucionet shtetërore, migrimi i të rinjve etj. ishin disa nga temat kryesore të cilat u diskutuan gjatë takimit me kryetarin e ri të Trupit Koordinues, nga i cili morëm zotimet se do të punojmë bashkarisht në zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve të Luginës përmes dialogut dhe paqes, që do t'i bënte shqiptarët të ndjehen si qytetarë të barabartë, e jo si qytetarë të diskriminuar.
Poashtu, u dakordua që do të punohet në plotësimin e kuadrove në Administratën komunale, si parakusht për funksionimin normal të këtij institucioni kaq me rëndësi për qytetarët e komunës sonë", ka shkruar Arifi.