titulli.com
Lokale

Ulja me vetëm 20€ quhet tradhti nga Lugina

19.May.2012 13:10
0
Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i Kosovës, u kishte premtuar shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që taksat kufitare për banorët atje që vijnë në Kosovë, të ulen nga 60 euro për dy javë qëndrim në 20 euro, por ky premtim nuk u realizua sepse taksat janë zbritur në 40 euro apo vetëm rreth 30 për qind e çmimit që ka qenë. Kjo zbritje për shqiptarët e Luginës së Preshevës, është shumë e vogël dhe nuk përbën kurrfarë lehtësimi për ta. Ata ankohen se zëvendëskryeministri me këtë vendim, ka shkelur premtimin. Vendimi për uljen e taksave nuk vlen vetëm për shqiptarët por edhe për serbët. Ankohen në Kuçin “Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi na ka premtuar që taksat do të ulen në minimum me një shumë prej 10 euro për një javë qëndrim. Kështu ai nuk ka mbajtur fjalën dhe nuk ka lehtësuar aspak qarkullimin e lirë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, u shpreh për gazetën ‘Zëri’, Jonuz Musliu, kryetar i Kuvendit të Komunës së Bujanocit. Ai po ashtu tha se Kuçi u ka thënë atyre se në rast se kompanitë e sigurimit nuk pajtohen që tarifat kufitare të ulen në 10 euro, atëherë çdo çmim që kalon këtë shumë do të marrë përgjësinë Qeveria e Kosovës dhe do të paguajë ajo. “Pra janë dy premtime që nuk i ka mbajtur. Në vend që të lirohemi ne jemi bllokuar përsëri. Qeveria e Kosovës do duhej të na trajtojë si vëllezër sepse neve me Kosovën na lidh atdheu na lidh kombi”, tha Musliu. Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Kuçi tha për ‘Zëri’, se ai nuk ka bërë një premtim të tillë, porse vetëm ka propozuar që të ketë ulje në 10 euro. “Unë kam thënë se do të propozoj që të jetë deri në 10 euro, por edhe kjo zbritje është solide. Është vendim i mirë dhe autonom i kompanive që lehtëson qarkullimin e njerëzve nga Lugina e Preshevës”, tha zëvendëskryeministri Kuçi. Ai dha edhe një premtim duke thënë se tanimë do të punohet për hyrje në sistemin e kartonit të gjelbërt, me anë të së cilës pastaj hiqen gjithsej këto barriera. Për këtë premtoi edhe Rrahim Pacolli, drejtor i Bordit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS). “Është maksimumi që kemi mundur të bëjmë. Por unë i siguroj shqiptarët që ky nuk është fundi. Shumë shpejt do të ketë hyrje në sistemin e kartonit të gjelbërt, me ç’rast gjo që të jetë ndryshe”, tha Pacolli. Zbritje edhe për serbët Pacolli ka thënë se në pamundësi që kjo zbritje të bëhet vetëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës, është bërë për gjithë qytetarët e Serbisë që hyjnë në Kosovë. “Është zbritje që është bërë për shkak shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por që në saje të tyre përfitojnë të gjithë qytetarët e Serbisë, sepse nuk kemi pasur mundësi t’i ndajmë qytetaret brenda një shteti”, tha më tej Pacolli, duke bërë me dije që kjo zbritje është bërë me vendim të njëanshëm të Kosovës. Pikërisht pse është bërë me vendim të njëanshëm, pa bashkëpunim me Serbinë, atëherë mundësitë që të ulen më shumë këto taksa nuk kanë ekzistuar, tha në anën tjetër, Behxhet Shala nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Prishtinë. “Ne si Këshill për të drejtat e njeriut kemi kërkuar nga Qeveria që taksat të ulen shumë më shumë dhe jo vetëm kaq. Po ashtu është dashur që këto taksa të ulen vetëm për qytetarët e Luginës së Preshevës e jo për të gjithë”, tha Shala. Përndryshe, sipas tij, që të ulen taksat për gjithë qytetarët e Serbisë, atëherë një gjë e tillë do të duhej të bëhej, dyanshëm, nga të dyja palët, sepse liria e lëvizjes është interes sa i Kosovës aq edhe i Serbisë. Nga 60 euro në 40 euro Qeveria e Kosovës në shenjë reciprociteti me Serbinë, ka vendosur tarifat kufitare për ata që hyjnë nga Serbia në Kosovë, nga dhjetori i vitit të kaluar, si rrjedhojë e marrëveshjes Prishtinë - Beograd në Bruksel. 60 euro ishte pagesa minimale që një person ka paguar sigurim nëse hyn me makinë nga Serbia në Kosovë, e cila ka pas vleftë vetëm për 2 javë qëndrim, kurse tani me zbritje ata do të paguajnë 20 euro sigurim për makinë, për një javë qëndrim./Tituli.com/
KDNJ: Prishtina dhe Tirana të angazhohen për Luginën
Udhëheqësit luftëtarë shqiptarë lëshojnë paralajmërime
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration