Të jesh politikan publik, në Luginë të Preshevës!
Vështrime

Të jesh politikan publik, në Luginë të Preshevës!

16.Sep.2016 12:02
0
Të jesh politikan publik shqiptar, i qëndrueshëm në Serbi, përkatësisht, në Luginë të Preshevës, nuk është aspak e lehtë, madje as relaksuese.

Shkruar nga: Sevdail Hyseni-Bujanoc;

Përkushtimet politike për një qeverisje të mirë, natyrisht se duhet të kalojnë nëpër dyert e administratës publike, e cila duhet të jetë racionale, legale dhe funksionale.

Një model i tillë i qeverisjes lokale, i mbështetur në profesionalizmin e administratës, për të shtrirë pushtetin sa më afër qytetarëve, tregon qëndrueshmërinë e politikave pragmatike, që edhe në regjimet totalitare do ta kishin zili.

Komuna e Bujanocit, është njëra nga komunat më atraktive, në rajonin e Luginës së Preshevës, falë këtyre reformave, të cilave u prinë kryetari i saj Shaip Kamberi.

Megjithëse, kjo komunë e cila administrohet nga Serbia, vazhdimisht, çalon nga pengesat e natyrës politike dhe ekonomike, të cilat i vijnë nga niveli qendror i qeverisjes.

Njëherë, gjatë një interviste, Shaip Kamberi pati thënë: "Në një atmosferë kur disponimi antishqiptar në Serbi është i theksuar, kur mungon dialogu dhe forca e argumentit shumë pak përfillet, kur qeveria, nuk tregon gatishmëri për t’i zgjidhur problemet e shumta të shqiptarëve, në Luginë të Preshevës, të jesh deputet në një shtet armiqësisht të disponuar ndaj shqiptarëve, sjell rreziqet për premtimet e bëra”.

Edhe Raporti i fundit i Progresit për Serbinë, tregon qartë mosgatishmërinë e Beogradit ndaj pazhvillueshmërisë ekonomike dhe anashkalimit të problemeve të tjera jetësore siç janë: çështja e nivelit të lartë arsimor, nostrifikimi i diplomave, mungesa e teksteve shkollore, moszbatimi në praktikë i dygjuhësisë dhe rregullimi me ligj i simboleve kombëtare, shlyerja nga evidence e gjendjes civile të banorëve të zonave kufitare, kthimi i të të zhvendosurve etj.

Kompetencat

Serbia nga më të rrallët në rajon, që për nga larushia e komuniteteve pakicë i përngjanë lëkurës së leopardit, ajo në vend se të krenohet me këtë begati shumëkombëshe, përkundrazi ka frikë dhe ushtron diskriminimit sistematik ndaj tyre.

Me ato kompetenca me çfarë disponojnë komunat shqiptare aktualisht, në Luginë të Preshevës, më shumë ato u ngjajnë bashkësive lokale të dikurshme, se sa një pushteti të mirëfilltë, i cili do të vendoste për zgjidhjen e problemeve të shumta të qytetarëve shqiptarë.

Në Serbi, akoma nuk ka ndodhur decentralizimi i pushtetit, zbritja e kompetencave nga “lartë – poshtë”, në mënyrë që shumë kërkesa të qytetarëve, të zgjidhen në qendrat komunale e jo ato të barten në nivelin qendror të pushtetit.

Shaip Kamberi, kryetar i Komunës së Bujanocit, si një politikan pragmatik, që reflekton gjendjen reale në Luginë, qoftë nga këndi i qeverisjes lokale, qoftë edhe nga, ai, qendror në cilësinë e ish deputetit republikan, jo rrallë u gjend në fokus të kritikave nga Beogradi.

I pajisur me një përvojë nga sfera e të drejtave të njeriut dhe fusha e gazetarisë, gjatë viteve të 90-ta, asnjëherë nuk pushoi së rrahuri çështjen e shqiptare në Luginë, e cila vazhdon të mbetet më e diskriminuara në hapësirat e etnikumit shqiptar.

Format e diskriminimit sistematik të Beogradit, ndaj pakicës shqiptare në Serbi, nuk kanë pushuar as në ditët e sodit. Ato vazhdojnë me të njëjtin stil, duke krijuar “situatë të pashpresë e cila ndikon në largimin, gati në masë, të popullatës shqiptare”.

Serbia e sotme e Vuçiqit, gati si ajo e mëhershme e pararendësve të tij, nuk është liruar akoma nga sindromi i fobisë ndaj shqiptarëve, të cilët në shtetin e tij, akoma i llogaritë si element turbullues, të rrezikshëm dhe jo të sigurt për integrimin në organet lokale dhe qendrore.

Varfëria ekstreme

Dhënia e disa subvencioneve biznesit lokal, është më tepër një simbolikë e arsyetimit të Serbisë ndaj bashkësisë ndërkombëtare sesa ndonjë stimul i vërtetë ekonomik. As edhe një investitor nuk është sjellë në këtë rajon sepse rruga e investitorëve të huaj kalon nga Beogradi.

Serbia nuk ka treguar gatishmërinë dhe vullnetin politik për zhvillimin ekonomik të Luginës së Preshevës, duke e lënë këtë rajon nga më të prapambeturit në shkallë republike. Gjithashtu, nuk është bërë asgjë serioze për kthimin e popullatës së Karadakut të Preshevës, Malësisë së Bujanocit dhe Medvegjës, që ishte shpërngulur pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova dhe vendosjes së tyre në Zonën Tokësore të Sigurisë. Konsiderohet se rreth 1500 banorë nga Karadaku i Preshevës, 3 mijë nga Malësia e Bujanocit dhe 3 mijë nga Medvegja, kanë braktisur shtëpitë e veta dhe janë zhvendosur në Kosovë.

Në rrethanat kur Serbia, përmes një politike perfide të varfërimit të rajonit, mbylljes së perspektivave ekonomike, apo edhe getoizimit të tij,  po krijon gjendje të pashpresë për shqiptarët, mbetet që edhe Tirana edhe Prishtina edhe me ndihma ekonomike ta ndihmojnë këtë popullatë për të mbijetuar. Përndryshe, ne vetëm se jemi në limitet e mbijetesës në këto komuna.

Kushtetuta e Serbisë garanton të drejtën e pakicave që në komunat në të cilat ato jetojnë, struktura e të punësuarve nëpër institucionet publike t’i përgjigjet strukturës së popullatës. Në praktikë, në Luginë të Preshevës, ekzistojnë institucione publike në të cilat nuk është i punësuar asnjë shqiptar. Aq më tepër, Serbia refuzon me ngulm çfarëdo reciprociteti të të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës me të drejtat e Serbëve në Kosovë. Ajo po tenton të vendosë një reciprocitet virtual me të drejtat e “serbëve në Shqipëri”.

Përkushtimet institucionale

Komuna e Bujanocit, qeverisja e saj lokale, është duke e dhënë shembullin e mirë në rajon, për efikasitet e stabilitet, pavarësisht pengesave politike dhe ekonomike, që i dalin përpara.

Në këtë mision me koncept të qartë politik të zotit Kamberi, po i bashkohen njerëzit e orëve të para të demokracisë në Luginë të Preshevës, pastaj edhe ata që u radhitën më vonë në proceset demokratike, duke mos përjashtuar edhe të rinjtë, të cilët te ky politikan shohin vizionin e qartë për tejkalimin e ngërçit politik e kolapsit ekonomik, dukuri, këto të cilat vijnë nga lartë dhe poshtë, për t’i kthyer mbrapsht proceset demokratike, të cilat e kanë gjetur Luginën përmes një rruge jo edhe aq të shtruara me lule.

Hapat e politikanit progresiv nuk maten me ditë, orë e kilometër. Ata janë hapat e politikanit të mirë, të formuar, hapat e një zyrtari të formuar, i cili kujdeset thellësisht për sigurinë e qytetarëve të komunës së tij. Për të ecur në hap me kohën, lypset angazhim në vazhdimësi, ku vjen në shprehje aftësia pushtetare, kompetencat dhe autoriteti.

Një politikan që ka kaluar nëpër etapa të ndryshme të veprimtarisë, duke zhvilluar dhe afirmuar vlerat e një politike të qëndrueshme, konstruktive dhe afatgjate.

Shaip Kamberi, në një moshë prej 52 vjetësh e me një përvojë 26 vjeçare në politikë, (gjysma e jetës së tij), në rrugën për zhvillimin dhe afirmimin e statusit politik të shqiptarëve, jo vetëm në Bujanoc, është një nga figurat më të respektuar në Luginë të Preshevës. Ai, është një nga kokat më kryesore të Partisë për Veprim Demokratik dhe një nga emrat e respektuar në shoqëri.

Misioni i (pa) mundur

Të veprosh i papërkulur në vazhdimësi, nëpër periudha sa të rëndësishme, po aq delikate për shoqërinë tonë si: Referendumi i 1 dhe 2 marsit 1992, pastaj konfliktet e armatosura 1999-2001, njëri nga negociatorët dhe hartuesit e Platformës politike të këshilltarëve shqiptarë 2006, proceset paqësore dhe koha e platformave politike, duke qenë jo vetëm spektator, por edhe kreator i politikës, nuk është punë e vogël. Të gjitha këto veprimtari me interes shoqëror kanë kaluar nëpër sistemet e një pushteti të Serbisë e jo si në “ kontinentin e vjetër në rajonin e Skandinavisë, ku të gjithë janë nën ligjin, askush mbi të, dhe ku gjyqësori është pushteti më i fuqishëm në shtet”.

Deri sa për dikë politika është arti i së mundurës, mjet për realizimin e qëllimeve të caktuara personale, profesion e privilegj, ai, përkundrazi misionin e tij prej politikani e ndërton mbi veprimtarinë publike e në shërbim të përmirësimit të jetës së qytetarëve, zhvillimit dhe mirëqenies shoqërore, si në rrafshin lokal ashtu dhe në atë rajonal.

Në këtë mision, po i bashkohen njerëzit e orëve të para të demokracisë në Luginë të Preshevës, pastaj edhe ata që u radhitën më vonë në proceset demokratike, duke mos përjashtuar edhe të rinjtë, të cilët te ky politikan shohin vizionin e qartë për tejkalimin e ngërçit politik e kolapsit ekonomik, dukuri, këto të cilat vijnë nga lartë dhe poshtë, për t’i kthyer mbrapsht proceset demokratike, të cilat e kanë gjetur Luginën përmes një rruge jo edhe aq të shtruara me lule.

Autori është gazetar e publicist nga Lugina e Preshevës, opinionet e autorit janë personale dhe nuk paraqesin domosdoshmërish edhe mendimin e Portalit Informativ-TITULLI

copy(/home/titulli/public_html/images/image/vuciq-lideret-shqiptar.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Shqiptarët e Luginës, nuk kthehen dhe po vazhdon shpërngulja e qetë nga vendlindja
Deklarata e Gjuriqit: Paralajmërim i luftës blic për veriun e Kosovës dhe Lugina e diellit!
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration