Studentët e Luginës mirënjohës ndaj ministrit Veliaj për liberalizimin e tregut të punës
Unioni i studentëve nga Lugina e Preshevës (USLP) në Republikën e Shqipërisë shpreh mirënjohjen dhe falenderimet e tij për Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përkatësisht Ministrit për Mirëqenie Sociale dhe Rini, z.Erion Veliaj për vendimin e fundit të miratuar më 7 maj 2014, lidhur me liberalizimin e tregut të punës, për shtetasit e Republikës së Kosovës dhe shtetasit e Republikës së Serbisë të përkatësisë etnike shqiptare.
"Ky vendim krijon mundësi jetike për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës; sidomos përstudentët nga këto hapësirat, për të cilët ishte pothuajse e pamundshme të pajisen me leje të punës, meqë sipas procedurave ligjore të deritanishme, ata i nënshtroheshin ligjit për punësimin e të huajve, që e vështirësonte tejmase sigurimin e lejes së punës, duke i trajtuar dhe konsideruar madje ata, zyrtarisht e ligjërisht, sikur të huaj në shtetin e tyre amë", thuhet në kumtesën e lëshuar nga USLP.
Duke marrë parasysh gjendjen e vështirë politike, sociale dhe kulturore të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe diskriminimin shtetëror ndaj rajonit përkatës; nuk ka dyshim se ky vendim i Këshillit të Ministrave, përveç se e shfuqizon dhe e mënjanon në këtë kontekst, trajtimin e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës dhe të rajoneve të tjera në Serbi, si shtetas të huaj në shtetin e tyre amë, ai është edhe krejtësisht në funksion të mbështetjes konkrete të shtetit shqiptar ndaj nevojave jetike të qytetarëve shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës vlerësonë Unioni i Studentëve të Luginës në Shqipëri.
"Ky vendim i ekzekutivit shqiptar është edhe më inkurajues për studentët nga Lugina e Preshevës në Republikën e Shqipërisë, duke marrë parasysh se ai është premtim i realizuar, që ka buruar nga takimi i zhvilluar më 23 janar 2014 në Tiranë, midis Ministrit për Mirëqenie Sociale dhe Rini, z.Erion Veliaj dhe Unionit Studentor të Luginës së Preshevës, në Republikën e Shqipërisë, ku z.Veliaj ishte zotuar personalisht se ministria të cilën e drejton do të angazhohej për jetësimin e liberalizimit të tregut të punës për qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në Republikën e Shqipërisë", përfundon kumtesa e nënshkruar nga kryetari i USLP-së, Visar Rexhepi./Titulli.com/