Lokale
Shkolla me oborr modern (foto & video)
Faza e katërt dhe e fundit e punimeve për rregullimin e hapësirës së jashtme të shkollës së mesme “Sezai Surroi” filloi sot në prani të udhëheqjes komunale, mysafirëve, profesorëve dhe nxënësve të këtij institucioni arsimor.
Ekskavatorët dhe kamionët e kompanisë Saba Bellça punonin në oborrin e shkollës së mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, deri sa të gjithë shprehnin gëzimin për vazhdimin e projektit të filluar para disa viteve.
Drejtori i kësaj shkolle na fjalimin e tij falënderoi të gjithë kontribuesit e këtij projekti, ndërsa theksoi se me realizimin e kësaj faze të fundit krijohen kushte të nivelit evropian.
“Tash na mbetet neve që të ftojmë të gjithë arsimtarët dhe nxënësit që të kultivojmë një dituri më të madhe dhe të jemi konkurrent në çdo universitet të rajonit” u shpreh Ibrahimi.
http://youtu.be/V1dCe8dHTAQ
Për projektin në fjalë para gazetarëve u prononcua edhe kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi i cili mes tjerash theksoi se me përfundimin e kësaj faze të punimeve krijohet tamam një qendër e vërtetë arsimore, një qendër me kapacitete të tërësishme ashtu siç ishte projektuar dhe realizimi i saj.
Kamberi nënvizoi se këto punime paraqesin fazën e katërt të këtij projekti kapital i filluar viteve të mëhershme. “Projekti ka vlerën 43 milionë dinarë dhe nëse lejojnë kushtet atmosferike do të kryhet brenda 45 ditëve të punës”, tha Kamberi.
“Në krahasim me të kaluarën kur shoh këtë objekt, me këta nxënës dhe këta profesor, është e qartë se komuna jonë po lulëzon, po ecë, nuk po i vjen erë e tankeve dhe topave të cilët kanë qenë të vendosura në këtë pronë”, u shpreh kryetari i kuvendit të komunës së Bujanocit, Jonuz Musliu.
Ai shtoi se me këtë projekt i ofrojmë kushte të mira nxënësve, ndërsa njëherit kërkojmë nga ata që të studiojnë dhe të dalin sa më shumë intelektual nga kjo shkollë, sepse komuna e Bujanocit ka nevojë për ta.
Ky projekt përfshinë rregullimin e hapësirës jashtë objektit të shkollës, oborrit të saj, terreneve sportive, parkut dhe parkingjet për nevojat e kësaj shkolle. Projekti financohet nga Banka Evropiane e Investimeve përmes Ministrisë për plan nacional dhe komunës së Bujanocit./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!