Intervista
Rama në Serbi, në tryezë të bisedimeve edhe Presheva
Kryeministri i Shqipërsië në një intervistë dhënë për mediat në Beograd ka vënë në theks rëndësinë e qëndrimit të tij në kryeqytetin e Serbisë përderisa ka nënvizuar se në tryezë të bisedimeve do të jetë edhe çështja e shqiptarëve të Preshevës.
Zoti Kryeministër Rama, më parë ishte paralajmëruar vizita juaj zyrtare Beogradit, por ajo është shtyrë pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi. A jeni duke pritur përsëritjen e ftesës pas krijimit të Qeverisë së re të Serbisë? A ka sinjale se në çfarë kohe do të mund të realizohet vizita juaj?
Edi Rama: Fillimisht, më lejoni të theksoj se e kam mirëpritur ftesën e ardhur nga Qeveria e Beogradit. Shtyrja e saj për shkaqe të kalendarit politik në Serbi, natyrshëm nuk ka ende një datë dytë përfundimtare, përderisa dhe procesi në Serbi vazhdon. Besoj se e rëndësishme është të nënvizoj në këtë rast prioritetin, që Shqipëria i jep bashkëpunimit të ngushtë me vendet e rajonit e padyshim, me Serbinë, me të cilën jam i mendimit se ka shumë hapësirë bashkëpunimi, koordinimi e bashkëbisedimi krejtësisht të pashfrytëzuar. Besoj se vizita do të realizohet në kohën e duhur, që uroj të jetë një kohë e shpejtë, gjithsesi pas përfundimit me sukses e në të mirën e popullit serb të procesit politik në vendin e tyre.
Thatë se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë kanë përjetuar hapësira të pashfrytëzuara, ndoshta donit të thonit nuk kanë qenë të mira. Si i shpjegoni rrethanat që kanë ndikuar në këtë, sidomos në njëzet vitet e fundit gjatë krizës së Kosovës? A besoni se pas gjithë atyre përvojave të këqija të së kaluarës, mund të ndodhë kthesa që do të sjellë normalizimin e raporteve mes dy vendeve. Ju pyes këtë edhe për arsye se në Serbi sërish në pushtet do të jenë partitë dhe personalitetet që kanë qenë bashkëpunëtorë të regjimit të Milosheviçit. Si e komentoni këtë?
Edi Rama: Unë nuk di se si mund të ecet përpara duke mbajtur kokën pas. Nëse e kaluara do të vendoste të sotmen, atëherë padyshim s’do të ekzistonte e ardhmja. Historia e konflikteve ballkanike është mjaftueshmërisht e njohur, ndoshta dhe tejet e trajtuar sa që ishte kthyer në njollën e përbashkët të “Ballkanit si fuçi baruti”, apo vendit të copëtimeve e grindjeve. Nuk besoj se ka ndonjë nga ne që do të zgjasë në të ardhmen këto njolla, apo t’i lejojë ato të formojnë kënetën e konfliktit si kurthi historik për gjeneratat tona të reja, kur në fakt ne po ecim në rrugën e një destinacioni të qartë e të përbashkët, Bashkimin Europian. Në këtë rrugë unë besoj se mund të ndihmojmë në forcimin e demokracisë në vendet tona, që do të thotë se nuk mund të paragjykojmë zgjedhjen e lirë të popullit serb, zgjedhjet e lira të popujve. Padyshim, vendet tona s’duhej të kishin lënë kaq gjatë kaq shumë hapësira të pashfrytëzuara bashkëpunimi. Por, keqardhja për këtë s’mund veçse të përbëjë një shtysë për të rikuperuar, ndërkohë që janë krijuar të gjitha kushtet për të hapur një faqe të re të marrëdhënieve në mes dy vendeve tona. Një dinamikë e re dhënë marrëdhënieve Shqipëri-Serbi do të përbënte një siguri më shumë e një shans më shumë për kohën e re që ka filluar në rajonin tonë. Synimi ynë për BE dhe në këtë kuadër dhe marrëveshja historike mes Kosovës dhe Serbisë, simbol i erës së re ballkanike, nuk lënë më vend për llogari shumë të vjera. Në këtë kuptim, ne i kemi thënë haptazi vlerësimet tona për Millosheviçin, dhe do t’i themi për këdo cënon paqen, sigurinë, progresin, stabilitetin e rajonit, por ne nuk kemi paragjykime. Ne besojmë në sinqeritetin e orientimit paneuropian të zyrtarëve serbë, dhe kemi dëshirën që të ecim sëbashku në rrugën europiane si një destinacion brenda vetes, që do të thotë demokraci, mirëqënie, siguri në vendet tona dhe në rajon.
A ka qenë e mundshme që kjo kthesë të realizohet më herët? Në Serbi në vitin 2000 erdhën në pushtet forcat demokratike, por nuk ndryshuan raportet me Shqipërinë. Pse është dashur të kalojnë 14 vjet që të kemi vizitën e parë zyrtare Beogradit të një Kryeministri të Shqipërisë?
Edi Rama: E para, besoj se nga 14 vitet e shkuara, pjesë e tranzicionit të shoqërive tona nga sistemi totalitar në atë pluralist, kemi lënë pa bërë e pa arrirë shumë gjëra, si në Shqipëri, ashtu dhe në Serbi e në shumë vende të rajonit. Në këtë kuptim lë shumë për të dëshiruar dhe bashkëpunimi rajonal. E dyta, më duket sikur pjesës më të madhe të politikës serbe, përfshirë këtu dhe forcat që rrëzuan Millosheviçin, për shumë arsye, i është dashur një kohë shtesë për të njohur realitetin e ri të krijuar në Kosovë pas vitit 1999, dhe sidomos pas vitit 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë. Ndoshta mund të ilustroj ç’nënkuptoj me këtë me deklaratën e disa viteve përpara të një miku personal, ish-presidentit z. Boris Tadiç. E kujtoj këtë deklaratë, jo vetëm sepse shprehej me një zhargon prej admiruesi të basketbollit, dhe unë në rini kam qenë basktebollist, por dhe sepse shprehte një hidhërim të pakapërcyer të politikës serbe nga humbja e Kosovës. Z. Tadiç thoshte se Kosova i ngjan minutës së fundit të lojës së basketbollit, kur kundërshtari udhëheq me 20 pikë e për ta fituar lojën ekipi i Serbisë duhet të shënojë shtatë trepikësh, në një kohë të pamjaftueshme me një kundërshtar që s’ka nevojë të shënojë asnjë pikë. Demokratëve në Serbi, dhe të gjithë spektrit politik, ndoshta i është dashur si fillim të pranojnë pastaj dhe të shpjegojnë, që Kosova, në kuptimin që dëshirohej, qe një mision i pamundur, dhe realiteti ishte ndryshe tashmë. Për Serbinë ndoshta ishte një fazë e paanashkalueshme kjo. Përndryshe, dua t’ju kujtoj se z.Tadiç e filloi dialogun me Kosovën, dhe mbi ato premisa e vazhduan zoti z. Daçiç dhe z. Vuçiç.
A është vizita e juaj në Serbi e kushtëzuar nga BE-ja dhe motivi i përparimit të dy shteteve në procesin e integrimeve evropiane? A është ky njëherësh njëri prej kushteve për avancimin më të shpejtë në rrugën drejt Evropës?
Edi Rama: Bashkimi Evropian është vizioni, ideja dhe konteksti në të cilin po ndodhin ndryshimet. Në këtë kuptim paraqitet dhe domosdoshmëria të ndryshojmë radikalisht raportet mes dy vendeve tona. Ky është fakt, siç është fakt se Brukseli ka detyrime dhe kushte që na kërkon t’i plotësojmë. Por, unë besoj se BE nuk do të ishte një aspiratë madhore e popujve tanë nëse këto detyrime e kushte nuk do të ishin diçka që i shohim si nevojë e domosdoshmëri dhe ne vetë. Pra, të ndërmarrësh hapa me BE si synim dhe Brukselin si background, në fund të fundit nuk ka të bëjë me Brukselin, por me vetveten, me dobinë e të mirën e secilit prej vendeve tona. Prandaj intensiteti i marrëdhënieve në rajon, mund të kenë shtysë BE-në, por kanë si rezultat, dhe këtë e dimë, mirëqënien e rajonit. Së fundmi, unë besoj se rajoni ynë është hapësirë përplotësimi të vendeve me njëri–tjetrin e jo konkurence, aq më tepër konflikti. Ndaj padyshim, bashkëpunimi do të na bëjë të përparojmë më shpejt si shoqëri e të arrijmë anëtarësimin më shpejt për secilin prej vendeve tona.
Si ndiheni në rolin e Kryeministrit shqiptar i cili pas gati shtatëdhjetë viteve do të vizitojë Serbinë? Herën e fundit kur një kryeministër shqiptar ka qenë në Bograd, ka qenë vizita e Enver Hoxhës në vitin 1947, dhe atë si mysafir i Josip Broz Titos dhe i federatës të atëhershme jugosllave.
Edi Rama: Ndihem me fat që jam njëri prej Kryeministrave të asaj, që pas marrëveshjes Kosovë-Serbi, mund të quhet koha e re e rajonit. Ndjej mirënjohje për të gjithë punën e sakrificën e njerëzve, pa rëndësi kombësia a nacionaliteti, pa rëndësi profesioni apo krahu politik, që bënë të mundur këtë kohë. E di që ka shumë faktorë që bëjnë ndryshimin, që sot na vendos në një kontekst krejt të ri, dhe unë jam posaçërisht i gëzuar që më jepet shansi, përsa i përket përfaqësimit të Shqipërisë, që të ndryshojmë marrëdhëniet mes vendeve tona në këtë kontekst. Kemi humbur kohë. Por ajo që mendoj tani, nuk është sa vite kanë kaluar, çfarë nuk kemi bërë, por sa vite kemi përpara dhe sa shumë kemi për të bërë.
Do të doja të sjell në vëmendje se 2014 është viti i parë pa konflikte të hapura në historinë e Ballkanit dhe përkimi i këtij viti me 100 vjetorin e Luftës së parë Botërore, që nisi pikërisht në Ballkan, është mjaft domethënës për të pasur idenë e plotë të ndryshimit historik që ka ndodhur me marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë. Kjo paqe është një arritje, por dhe përgjegjësi e përbashkët, për të hapur pa humbur kohë një epokë të re bashkëpunimi rajonal, sepse vetëm e të ndarë nuk i përballojmë dot sfidat e rënda të ekonomisë, papunësisë, pasigurisë energjitike, tensioneve sociale si pasojë e këtyre e shumë sfida të tjera me radhë. Jam i bindur se na duhet më shumë bashkëpunim dhe më shumë Evropë në Ballkan. Kemi folur për këtë dhe me kancelaren Angela Merkel. Ishte shumë mbresëlënës fakti se kancelarja ka një vizion të qartë për nevojën e Ballkanit për Evropën si edhe të Europës për Ballkanin. Nëse ne, të gjithë bashkë në rajon, do të dimë të bashkëpunojmë me zotësi e efikasitet, me siguri do të gjejmë shumë më tepër vëmendje e mbështetje nga Gjermania e nga krejt Evropa padyshim.
Cilat janë prioritetet në zhvillimin e marrëdhënieve mes dy shteteve? Për çka do të bisedoni me zyrtarët serbë? Cilat janë temat kryesore që do t’i shtroni në tryezë?
Fillimisht, si në çdo nismë të këtij lloji, besoj se do të identifikojmë bashkarisht temat dhe fushat me interes të ndërsjelltë apo ato ku kemi probleme, për të reflektuar mbi mënyrat se si mund të adresohen këto të fundit. Përsa i përket zgjatjes së tranzicionit dhe disa aspekteve të zhvillimit, vendet tona janë në situatë të ngjashme. Ndaj dhe besoj nuk do të jenë të pakta temat e fushat e bashkëbisedimit tonë. Një nga temat, që e shoh me interes të veçantë është ajo e trajtimit të rajonit si një treg i përbashkët nga i cili mund të kemi përfitime në shumë fusha, nëse arrijmë të zhvillojmë një treg unik edhe para integrimit në BE. Përsa i përket problemeve që mund të hasim në bashkëbisedime mund të jenë qendrimet në lidhje me Kosovën. Gjej rastin të theksoj se Qeveria shqiptare nuk do të mbajë një qendrim paternalist ndaj shtetit të Kosovës. Për ne Kosova është një shtet i barabartë me shtetet e tjera në rajon. Në bisedimet tona me Beogradin, në rastet kur do të hapet tema e Kosovës ne do të insistonim që Kosova të trajtohet, siç është, subjekt më vete. E në çdo rast nuk ka përse ne të flasim në emër të Kosovës. Natyrshëm, ka shumë gjëra që mund të ndërlidhin bashkëpunimin në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Beograd, por gjithsesi, në këtë trekëndësh ka tre shtete të veçanta e të barabarta. Për më tepër besoj se rajonit tonë do t’i shërbente një përfshirje e sa më shumë vendeve të rajonit në sa më shumë nisma të përbashkëta. Gjithashtu, në rang rajoni dhe midis dy shteteve tona besoj se është e rëndësishme tema e minoriteve. Minoriteti serb në Shqipëri, edhe pse me numra është shumë i vogël, ka tashmë dhe një shkollë në fshatin Hamil të Fierit ku studiojnë rreth 100 studentë me origjinë serbe dhe boshnjake. Nga ana tjetër, në Serbi ka një minoritet më të madh shqiptar, një pjesë e konsiderueshme e të cilit në Luginën e Preshevës ku mijëra nxënës kanë problem në tekste mësimore në një kontekst dhe të papunësisë, problemeve ekonomike, të përfaqësimit etj. Duke pasur parasysh dhe angazhimin e Serbisë për të drejtat dhe sigurinë e Serbëve në Kosovë e kudo, unë besoj se në çdo rast përmes dialogut të hapur mund të zgjidhim më së miri çështjet të lidhura me minoritetet në bazë të standarteve europiane dhe në dobi të zhillimit të të gjithë rajonit.
A ndikohet marrëdhënia me Serbinë nga gjendja politike në Shqipëri, ose, thënë ndryshe, a keni përkrahjen e opinionit të brendshëm për vendosjen e raporteve normale me Serbinë?
Koalicioni qeveritar, “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, ka fituar zgjedhjet e qershorit 2013 me një numër historik votash dhe ka në parlament një maxhorancë shumë të gjerë. Ne jemi votuar pasi kemi shprehur qartë idenë tonë për intensifikimin e bashkëpunimit në rajon dhe Shqipërinë si një vend aktiv në forcimin e këtij bashkëpunimi. Programi ynë qeveritar synon modernizimin dhe zhvillimin e qendrueshëm të vendit dhe ne jemi të bindur se kjo nuk mund të arrihet pa bashkëpunim rajonal. Kohën e re të filluar në rajon duam ta shfrytëzojmë në shërbim të gjeneratave të reja. Nuk besoj se ka ndonjë zë me peshë në opinionion publik shqiptar që të jetë kundër kësaj. Për më tepër jam i mendimit se nuk duhet të hiperbolizohet a krijohet një histori shumë e madhe ndarjeje mes Serbisë dhe Shqipërisë, sepse nuk përputhet me realitetin. Duke lënë mënjanë analizën historike, e para, sepse qoftë dhe të limituara ka pasur gjithnjë shkëmbime në biznes dhe marrëdhënie tregtare me dy vendeve. Dhe e dyta, sepse ka pasur vizita në nivel ministrash për shembull, z. Ilir Meta kryetari i forcës së dytë të koalicionit qeverisës, në fuksionin e Ministrit të Jashtëm ka vizituar Beogradin, kurse z. Mrkiq, homologu i tij i asaj kohe, ka vizituar Tiranën.
Si e shihni vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë? Cili është sipas jush problemi kryesor dhe çka do të veçonit si arritje më të madhe të këtij dialogu?
Shpresoj se me vazhdimin e dialogut do të ketë përparim në lidhje me Marrëveshjen e Brukselit, e cila besoj se duhet të zbatohet në tërësi. Gjithashtu, mendoj se në përfundimin e dialogut mes dy vendeve do të ishte shumë i rëndësishëm nënshkrimi i një deklarate të fqinjësisë së mirë mes dy shteteve, si akt i normalizmit të marrëdhnieve Kosovë – Serbi. Ky akt që do të qe një mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si për shembul OKB, dhe një shtytje kështu për integrimin e Kosovës dhe Serbisë në BE. Padyshim, në këtë pikë përballemi me problemin e mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga Beogradi. Unë mendoj se ky nuk është reagimi i duhur ndaj pavarësisë së Kosovës dhe se krijon shumë humbje kohe, gjithsesi kjo mbetet në vlerësimin e politikës serbe dhe balancës që do të vendosë të mbajë ajo mes mosnjohjes si refuzim e mosnjohjes si hezitim dhe shtyerjes për sa më vonë. Me variantin e dytë, normalizim të plotë të marrëdhënieve me Kosovën pa u deklaruar për pavarësinë, Serbia përveçse ka hapur rrugën e saj drejt BE-së, mendoj se dhe i ka dhënë një shtysë themelore epokës së re në rajon. Gjithsesi, për ta konsoliduar këtë epokë, për të cilën kam folur më herët, duhet njohja e shtetit të Kosovës, gjë që besoj do të përshpejtonte në mënyrë radikale dhe anëtarësimin e plotë të Serbisë në BE.
Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, siç e dini, janë propozuar për Çmimin Nobel për Paqe. A e meritojnë ata këtë çmim?
E kam përkrahur publikisht propozimin sapo ai është paraqitur. Jam i bindur se ky do të ishte një çmim shumë merituar për kurajën dhe largëpamësinë që kanë treguar të dy kryeministrat në të thyerjen e miteve dhe tabuve politikë, por edhe kulturorë mes popujve dhe për kontributin në shndërrim e imazhit të Ballkanit nga një vend konfliktesh në një vend dorështrëngimesh, që padyshim s’janë thjesht imazh, por një realitet që po konsolidohet dita ditës në rajon.
A do të ftohet së shpejti ndonjë zyrtar serb për vizitë në Shqipëri?
Patjetër. Kemi shumë hapësira bashkëbisedimi e bashkëveprimi për të shfrytëzuar, shumë kohë për të rikuperuar. Dëshira jonë është që takimet tona të shpeshtohen dhe të pasurohen në nivele dhe në fusha të ndryshme.copy(/home/titulli/public_html/images/image/t/uploads/2013/11/rama.png): failed to open stream: No such file or directory
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!