Musliu: Klubet e natës shkaktarë të dhunës mes të rinjve, duhet të mbyllen
“Këto ndoshta edhe vetë shteti po i organizon me qëllimin kryesor që shqiptarët të anojnë krejt në diçka tjetër, të kenë klube të natës, të ketë prostitucion, drogë”, u shpreh për Titullin, Jonuz Musliu, kryetar i Kuvendit Komunal në Bujanoc.
Në mbledhjen e Këshillit Komunal për Siguri të mbajtur sot në Bujanoc edhe pse nuk ishte në rend dite, kryetari i Kuvendit Komunal Jonuz Musliu, njëherit drejtues i seancës së Këshillit hapi temën e incidenteve të fundit mes të rinjve shqiptar, që sipas kryetarit, gjeneza është tek klubet e natës që veprojnë në këtë komunë.
Sipas tij këto klube janë bërë praktikë dhe njëherit janë shqetësim si për te njashtu edhe për qytetarët e komunës së Bujanocit.
“Pse është bërë destinacion komuna e Bujanocit...vijnë prej të gjitha viseve të Serbisë. Këto ndoshta edhe vetë shteti po i organizon me qëllimin kryesor që shqiptarët të anojnë krejt në diçka tjetër, të kenë klube të natës, të ketë prostitucion, drogë”, u shpreh Musliu për mediumin tonë.
Ai tha se kjo çështje nuk do të mbetet vetëm me diskutimet në Këshillin për Siguri, por një pikë rreth kësaj problematike do të hapet edhe në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal.
“Në mbledhjen e sotme të Këshillit Komunal për Siguri ka marrë pjesë edhe kryeshefi i policisë në Bujanoc, i është bërë me dije se çka po ndodhë si dhe rasti i fundit me plagosjen dhe rrahjet që i patëm në Bujanoc. Të gjitha këto burimin e kanë tek baret e natës. Këshilli Komunal për Siguri vetëm se e ka shqyrtuar, mirëpo një pikë të rendit të ditës rreth këtyre klubeve të natës do ta kemi edhe në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit Komunal”.
Në pyetjen se a ekziston mundësia e mbylljeve të këtyre klubeve, Musliu tha se komuna e Bujanocit nuk jep leje për veprimtari të tilla.
“Komuna si komunë nuk jep leje, ato lëshohen nga agjensioni (APR). Puna jonë është që si Kuvend me marrë vendim që të mbyllen të gjitha këto klubet e natës”, theksoi Musliu.
Sipas kryetarit të Kuvendit Komunal në bazë të informacioneve jozyrtare, në komunë të Bujanocit veprojnë rreth dhjetë striptizë bare, ndërsa vetëm një është i regjistruar që kryen këtë veprimtari.
Vlen theksuar se në seancën e dytë për këtë vit të Këshillit Komunal për Siguri është shqyrtuar edhe situata e sigurisë si dhe masat që mund të ndërmerren për të parandaluar përhapjen e zjarreve në komunë të Bujanocit gjatë stinës së Verës./Titulli.com/