Bashkatdhetarët nga Turqia me projekte konkrete për Bujanocin
Vizita e vitit të kaluar e afaristëve nga Turqia, me prejardhje nga Tërnoci i madh, e cila u realizua në komunë të Bujanocit, ka nisur ti jap edhe rezultatet e para.
Sipas njoftimit nga kabineti i kryetarit të komunës së Bujanocit, brenda pak ditëve do të nisë renovimi i objektit qendror në shkollën fillore “Muharrem Kadriu” në Tërnoc, donacion ky i z. Bajram Kumova, drejtues i ndërmarrjes me renome “Kumovali Inshaat”.
“Në këtë drejtim, ndërmarrja ‘Dekori’ nga Tërnoci e cila do t’i realizoj punimet vetëm se ka filluar përgatitjet teknike për fasadimin e objektit shkollor, i cili gjithsesi si tërësisht i gatshëm do t’i pres shkollarët me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, më 1 shtator”, thuhet matej në njoftim, transmeton Titulli.
“Grupi i afaristëve tanë që jetojnë dhe veprojnë në Turqi nuk do të ndalet me kaq. Kontributi tjetër në arsimin e mëmëdheut të tyre do të jetë ndërtimi i sallës së sporteve në objektin e sapo ndërtuar po në shkollën “Muharrem Kadriu” në lagjen e Strukarve”.
Sipas zyrës së kryetarit të komunës së Bujanocit, Nagip Arifit, donacionet do të vazhdojnë edhe me renovimin e godinës së komunës së Bujanocit e cila do të marrë krejtësisht pamje tjetër.
Vlen theksuar se afaristët nga Turqia që vijnë nga Tërnoci i madh tani më vetëm se i kanë siguruar dy vetura për transportin e kufomave, njërën për komunën e Bujanocit dhe një tjetër për atë të Preshevës, veturat gjenden në procedurën e doganimit.
Miqësia midis një grupi afaristësh me prejardhje nga Tërnoci që jetojnë dhe punojnë në Turqi dhe komunës së Bujanocit, ishte thelluar vitin e kaluar, me rastin e një takimi të organizuar nga kryetari Nagip Arifi.
Atë kohë ata ishin informuar gjerësisht për gjendjen ekonomike dhe infrastrukturore të vendlindjes së tyre dhe rreth mundësive të investimeve në sfera të ndryshme.
Me kalimin e kohës kontaktet kishin vazhduar dhe së fundmi afaristët shprehën gatishmërinë për të investuar në lëmitë e sipërpërmendura.
Komuna e Bujanocit gjithnjë ishte shprehur falënderuese ndaj këtij vullneti të mirësisë së jashtëzakonshme, por dhe e gatshme që raportet në relacionin Bujanoc-bashkatdhetarë-dhe shteti turk ti vazhdoj dhe ti thelloj në të gjitha lëmitë./Titulli.com/