Ministri i Shqipërisë Hasani, diskuton për Luginën e Preshevës me homologun Bislimi në Kosovë
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani ka dhen një mesazh të qartë gjatë vizitës në Kosovë, ai gjatë takimit me zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka folur edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Postimi i plotë në Facebook nga Besnik Bislimi:
Kënaqësi të mirëpres Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, për të thelluar angazhimin e përkushtimin tonë për bashkëpunim sa më të ngushtë.
Bashkëpunimi ynë ndërqeveritar, ka njohur zbatim të plotë dhe efektiv të pothuajse të gjitha marrëveshjeve të arritura gjatë kësaj qeverisjeje. Marrëveshjet tashmë të zbatuara kanë kontribuar pozitivisht në arsim, kulturë, shëndetësi, infrastrukturë e bashkëpunim ndërkufitar të frytshëm mes shumë të tjerash.
Më tej, diskutuam dhe rreth sfidave të përbashkëta ku mund të bëjmë akoma më shumë, si integrimi evropian, mirëpo edhe në fushën e sigurisë dhe të bashkërendimit për ruajtjen e të drejtave të shqiptarëve në rajon, e në veçanti në Luginën e Preshevës, patur parasysh diskriminimin me të cilin përballen shqiptarët.
Qëndrojmë me dëshirë të mirë e energji të plotë, për ta rritur bashkëpunimin e afruar shtetet tona sa më afër me njëri tjetrin. Vlerësova rëndësinë e mbështetjes së Shqipërisë ndaj Kosovës edhe në sfera të ndryshme, veçanërisht anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.
Duke e falenderuar për bisedën e takimin vëllazëror, shpreha gatishmërinë për takime të ardhshme, sinergji, bashkëpunim e ndërveprim më të ngushtë mes shteteve tona.