Lokale
Lirohen pesë shqiptarët e komunës së Bujanocit (video)
Në orën 15h të ditës së sotme janë liruar pesë nga tetë shqiptarët e arrestuar në aksionin e xhandarmërisë më 4 maj të këtij viti.
Të arrestuarit u liruan nga burgu i qarkut në Beograd dhe janë rrugës për në shtëpitë e tyre në komunën e Bujanocit, njoftoi për Titullin, familja që kishte dalë në pritje të njërit prej të arrestuarve.
Të liruarit janë: Elhami Salihi, Sherif Abdyli, Mustaf Limani, Nadir Sefedini dhe Sevdai Emurllahi.
Këta të liruar, ish ushtarë të UÇPMB-së, u arrestuan nën dyshimin për krime lufte ndaj civilëve në konfliktin e armatosur në Luginë gjatë vitit 2001.
Vlen theksuar se edhe më tej kanë mbetur në burgun e Vranjës edhe tre të arrestuarit e këtij aksioni të xhandarmërisë.
Siç patë thënë ministri Daçiq, dy prej tyre janë arrestuar se kanë rezistuar gjatë bastisjeve, kurse i treti për posedim armësh.
Duke u bazuar në burimin tonë që si gjithherë është i saktë, thotë se të arrestuarit shqiptarë janë liruar në orën fiks 15h, e jo si disa portale në Luginë të cilat lirimin e tyre e kanë raportuar disa orë para se kjo të ndodhte, në kohën kur ata ende ishin në burg.
Qysh në ditën e arrestimit patën reaguar drejtues institucionesh nga komuna e Bujanocit, se ky arrestim është bërë me prapavijë politike dhe me qëllim të frikësimit të popullatës shqiptare të këtij rajoni.
Reagime patën ardhur edhe nga krerët e shteteve fqinje si Shqipëria dhe Kosova, ndërsa nuk patën munguar as reagimet e ambasadave të akredituara në Beograd, përfshirë këtu edhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE)./Titulli.com/
http://youtu.be/UzUi9Bnm-iU
http://youtu.be/TG20Kt-tpvw
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!