Intervista
Limani: Talentët e futbollit duhet zbuluar
Mensur Limani nga Tërnoci i cili mbron ngjyrat e skuadrës së Azalit nga Azerbaixhani, gjatë një interviste të dhënë portalit Titulli, ftoi gjithë të rinjtë nga Lugina të angazhohen më shumë për të arritur suksese në karrierën e tyre.
27 vjeçari i cili për momentin gjendet në vendlindje, theksoi se klubet nga rajonin jonë e sidomos Klubi i Futbollit Tërnoci ka dëshmuar se ky vend i vogël ka talent të shumtë të cilët vetëm se duhet të zbulohen.
Mensur Limani karrierën si futbollistë e filloi pikërisht në këtë klub, kurse tani si futbollist profesionist mbron ngjyrat e klubit Azal nga kryeqyteti Baku në Azerbaixhan. Skuadra e re e Limanit luanë në ligën më të lartë të këtij shteti, Azerbaijan Premier League./
Mensur Limani, ju jeni një futbollist profesionist, që sa vite merreni me futboll dhe cili ka qenë klubi i parë që keni filluar të luani ?
Me futboll merrem qe nga mosha 10 vjeçare, qe i bie 17 vite. Si fëmijë kamë pas dëshirë që të bëhem futbollistë i shkëlqyeshëm. Pasi kisha interesim, mësimet i fillova në shkollën e futbollit të K.F.Tërnocit ku edhe njëherit kjo u bë skuadra ime parë debutuese në futboll.
Për sa klube keni luajtur deri me sot, dhe cilën do ta veçonit ?
Deri me tani kamë qene pjesë e shumë ekipeve. Karrierën e fillova në K.F. Tërnoc, më pas vazhdova në Kosovë në Dritën e Gjilanit, K.F. Prishtinë, Hajdukun e Splitit në Kroaci. Përsëri u ktheva në Kosovë në K.F.Drenica, ndërsa pas përfundimit të kontratës isha pjesë edhe e Klubit Futbollistik Bashkimi, si dhe e Milanos së Maqedonisë. Përveç klubeve të lartpërmendura mbrojta edhe ngjyrat e kombëtares së Kosovës. Momentalisht jam lojtarë i klubit Azal nga kryeqyteti i Azarbaixhanit, Baku. Për mua është shumë e vështirë që të veçojë ndonjërin nga klubet që kamë qenë pjesë, pasi tek të gjithë kam kalu shumë mirë.
Tani jeni me pushime, kur do të ktheni në Baku për të vazhduar kampionatin me Azalin ?
Fillimi i muajit Mars do të koha kur do të kthehem tek Azali. Mirëpo, duhet theksuar se ky kampionat është i përfunduar për mua pasi që jam i lënduar. Më duhen edhe 4 muaj të tjerë që të shërohem e më pas të dalë në fushë si pjesë e skuadrës bazë të Azalit.
Edhe sa kohë do të mbroni ngjyrat e Azalit ?
Kontratën që e kamë nënshkruar me Azalin përfundon në dhjetor të këtij viti. Duhet thënë se Klubi i Futbollit Azal është një klub fantastikë me kushte shumë të mira për zhvillimin e lojës.
Kur të përfundojë kontrata me Azalin ku do të kishit dëshirë të vazhdoni karrierën ?
Si shumica e lojtarëve që kanë dëshirë që një ditë të jenë pjesë e një skuadre nga Evropa edhe mua nëse do të më jepej mundësia do të zgjidhja ndonjë klub nga kontinenti i vjetër. Mirëpo, edhe vazhdimi i të qenit pjesë e ndonjë skuadre të Azerbaixhanit do të ishte mirë për mua.
Cilën ndeshje keni luajtur dhe ka qenë e veçantë për ju ?
Ka shumë ndeshje ku jam ndjerë mirë në lojë dhe kam ndihmuar skuadrat e ndryshme, qoftë me gola apo asistime. Prej të gjithave do të kisha veçuar ndeshjen shumë të rëndësishme për kualifikime në UEFA Cup që u zhvillua vitin e kaluar. Për kundërshtarë në këtë ndeshje kishim klubin e Minsk nga Bjellorusia.
Cili mbetet mësuesi (trajneri) më i dashur për ju ?
Kam shumë kujtime të mira dhe mësime që sot i praktikojë në lojë, e të cilat mi ka dhënë me një pasion të madh trajneri shumë i respektuar për mua, tani i ndjerë Rexhep Adili. Ai ishte trajneri im i parë. Ndërsa si mësues do të veçoja Sadat Pajazitin dhe Hysni Maxhunin.
Përveç klubeve që keni marrë pjesë, cilën skuadër dhe lojtarë më famë botërore e pëlqeni ?
Futbolli përbëhet prej shumë lojtarëve dhe klubeve me renome botërore. Edhe unë si shumë të rinj pëlqejë skuadra të ndryshme, gjithmonë duke u bazuar në lojën që e bëjnë në fushë, por edhe sukseset që kanë arritur. Prej të gjitha këtyre skuadrave, më afër zemrës e kamë Real Madridin, ndërsa lojtarë i paharrueshëm për mua mbetet Zinedin Zidan.
Duke marrë parasysh se jeni nga Lugina, çka do ti thoshit të rinjve të këtij rajoni që kanë pasion futbollin ?
Besojë se me transferimet e fundit që po kryhen nga Lugina, sidomos nga K.F.Tërnoci, në skuadra të ndryshme të rajonit tone, por edhe më gjerë në Evropë, të rinjtë kanë arritur të kuptojnë se edhe prej vendit tonë mund të shkohet në shumë klube Evropiane. Natyrisht për të arritur në këtë pikë duhet pasur vullnet vetë futbollistët, ndërsa trajnerët janë duke e bërë një punë shumë të madhe sa i përket aftësimit të tyre.
Ju drejtohem futbollistëve të rinj që të punojnë sa më shumë për të arritur suksese, ndërsa gjatë gjithë kësaj kohe duhet të jen falënderues te Zoti që ia ka dhënë këtë mundësi të dallohen nga të tjerët./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!