Konferencë Shkencore Ndërkombëtare Për Institucionin E Vakëfit Në Hapësirat Ballkanike
Në Tiranë, është organizuar konferencë shkencore ndërkombëtare nga Fondacioni "Alsar", në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe Universitetin Selçuk.Në këtë konferencë me karakter ndërkombëtar me temë “Institucioni i Vakëfit në hapësirën ballkanike”, merrnin pjesë studiues nga Turqia e disa vende të tjera të Ballkanit si Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina e nga Lugina e Preshevës me përfaqësuesin aktiv Myftiun, Nexhmedin ef. Saqipi dhe bashkëpunëtorët e tij.
Në ceremonialin e hapjes së konferencës shkencore të pranishëm ishin drejtori i Përgjithshëm i Vakëfeve të Turqisë, Dr. Adnan Ertem, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, drejtues të Fondacionit “Alsar” etj.
Duke hapur punimet e konferencës shkencore, i pari i Fondacionit “Alsar”, Mehdi Gurra, tha mes tjerash: “Historia e Institucionit te Vakëfit në Shqipëri mund të ndahet në dy periudha: Vakëfet gjatë Periudhës Osmane, numri i të cilave nuk ka qenë i pakët dhe vakëfet pas shpalljes së pavarësisë. Mendoj se me të vërtetë, gjendja aktuale e vakëfeve në Ballkan, ka mbetur në mëshirë të fatit. Me organizimin e kësaj konference mendojmë që për rastin e Shqipërisë të vëmë në lëvizje sadopak, organet qeveritare që të përmbushin detyrën e tyre kushtetuese për kthimin fizik ku është e mundur ose kompensimin e kësaj trashëgimie që i është dedikuar adhurimit për Krijuesin dhe ndihmës për njerëzit në nevojë”.
Në vazhdim ambasadori turk në Tiranë Yörük, e vlerësuar lartë rëndësinë e kësaj konference. “Të gjithë jemi dakord që në thelbin e konceptit vakëf ndodhet mirësia dhe dhembshuria, bërja mirë për të tjerët. Historiku i konceptit të vakëfit është një histori e gjatë e mbështetur në shekujt e kaluar. Duhet theksuar se institucioni i vakëfit arriti nivelin e tij më të lartë në traditën e shteteve turko-islame. Vakëfet kanë luajtur një rol të rëndësishëm edhe në Ballkan dhe ende vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm si elementë të paqes dhe qetësisë sociale. Ne si Turqi jemi të vendosur gjithnjë e më tepër të shtojmë veprimtaritë tona për të mirën e Shqipërisë, për këtë vend mik dhe vëlla”, theksoi ambasadori Yörük.
Ndërkaq, drejtori i Përgjithshëm i Vakëfeve të Turqisë, Dr. Adnan Ertem, nuk la pa përmendur se vakëfet janë institucione të njerëzimit. “Nëse jemi duke folur për vakëfet edhe shtetet e tjera sipas legjislacionit ndërkombëtar duhet të kthejnë këto prona. Këta janë vlera të njerëzimit. Studiuesit që janë këtu në këtë konferencë janë mbështetjeje për institucionet e vakëfit”, u shpreh me plot bindje Dr. Adnan Ertem.
Me fjalë përshëndetëse gjatë kësaj konferencë shkencore u paraqitën, duke i përshëndetur punimet e saj edhe drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Hysen Matoshi, si dhe rektori i Universitetit Selçuk, Mustafa Åžahin.
Portali Informativ “Jetapress”, shkëput disa përshtypje nga Myftiu i Luginës së Preshevës, Nexhmedin ef. Saqipi, pjesëmarrës i konferencës shkencore në Tiranë, duke mësuar nga, ai, se roli dhe rëndësia e temës së Vakëfit në këtë eveniment të lartë studimor është shumëdimensionale.
“Hapësirat ballkanike kanë një thesar të pasur të Vakëfeve, të cilat jo njësoj e kanë të zgjidhur fatin e tyre. Bashkësia Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë BIPBM, është në rrugë të mbarë për inicimin e kësaj problematike jo vetëm në Luginë, por edhe në Serbi. Kjo konferencë është një udhërrëfyes për të gjithë ne se sit ë veprojmë në të ardhmen për ruajtje, zhvillimin dhe afirmimin e kësaj trashëgimie kulturore e cila nuk guxon të mbetet pa përkujdesje institucionale”, theksoi Myftiu Saqipi./jetapress/