Lokale
Kërkohet mobilizim i shqiptarëve në Medvegjë për zgjedhjet e 24 qershorit
Shoqatat shqiptare të Medvegjës dhe personalitete të kësaj treve në Serbinë Jugore kanë apeluar që shqiptarët të kthehen dhe masivisht të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhjet lokale të 24 qershorit.
Zgjedhjet lokale në Medvegjë, të caktuara më 6 maj, u shtyen për shkak të parregullsive me listat dhe se ato u caktuan për tu mbajtur në fund të këtij muaji.
Mesazhin për tu mobilizuar për këto zgjedhje e kanë dhënë edhe akademiku i mirënjohur Idriz Ajeti, që është me origjinë nga Medvegja si dhe shumë aktivistëve të devotshëm shqiptarë si Ramadan Xhema e të tjerë.
Në thirrjen e tyre kërkohet një koalicion të përbashkët të faktorit politik shqiptar në Medvegjë, dhe ky koalicion të ndikojë që liderët politik të atij rajoni të bëjnë përpjekje për marrëveshjen, me qëllim të fitores së më shumë mandateve dhe ndikimit në Asamblenë e ardhshme të kësaj komune të varfër në jugun e Serbisë.
“Gjatë zgjedhjeve kërkojmë që të mobilizohemi të gjithë së bashku nëse dëshirojmë që të rikthejmë dinjitetin e nëpërkëmbët shqiptarë në këtë komunë. Por , kjo duhet një angazhim konkret”, theksohet në një mesazh drejtuar mediave, transmeton INA, por kërkohet edhe një mobilizim për monitorimin e zgjedhjeve nga OSBE, SHBA dhe Bashkimi Evropian.
Apeli i drejtohet edhe ambasadës së Shqipërisë në Beograd, e cila gjithashtu duhet të jetë e pranishme në zgjedhjet e 24 qershorit në këto vendbanime, për të ndjekur situatën nga afër. Ndërsa, angazhim më i përgjegjshëm kërkohet nga deputeti dhe kryetari i PVD-së, Riza Halimi, kryetarët e komunave Preshevë dhe Bujanoc, si dhe liderët e partive LPD, UDSH dhe partitë e tjera, të cilat duhet të organizojnë votimet dhe transportin e votuesve të Medvegjës nga Kosova në vendbanimet e tyre.
Gjithashtu kërkohet edhe shqiptarët e diasporës, sidomos ata në Zvicër dhe Gjermani të kthehen në vendlindje për të dhënë votën e tyre, sepse është një akt kombëtar, se sa manifestimet që po bëhen jashtë në diasporë./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!