
Kamberi kritikon propozimin që Demo Berisha të jetë pjesë e Qeverisë së Serbisë
Deputeti shqiptar në kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se propozimi i Demo Berishës për postin e ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave është një goditje e rëndë për çdo shqiptar që ka vuajtur, rezistuar dhe sakrifikuar për të drejtat e veta në Serbi.
Sipas tij, ky emërim është jo vetëm politikisht i papranueshëm, por edhe moralisht i turpshëm, sepse Demo Berisha nuk është një përfaqësues i të drejtave të njeriut, por një simbol i mohimit të identitetit kombëtar dhe politik të shqiptarëve të Kosovës dhe të Luginës së Preshevës.
“Siç dëshmojnë pamjet, deklaratat dhe intervistat publike, Demo Berisha ishte një oficer i ushtrisë serbe, pjesë e strukturave që kanë qenë të përfshira në krime të luftës në Kosovë. Edhe pse thotë se është nga Peja, ai publikisht deklaron se atdheu i tij është Serbia, se Kosova është ‘Kosova e Metohisë’ dhe mohon ekzistencën e Republikës së Kosovës. Jo vetëm kaq – ai është themelues i një organizate me emër serb, ‘Matica Albanaca Srbije’, ku mbrohet trashëgimia e bashkëpunëtorëve të Serbisë në periudhat më të errëta të historisë sonë, madje edhe Esat Pashë Toptani, i njohur për tradhti ndaj kombit shqiptar. Demo Berisha vetëm mund të jetë Faik Jašari 2.0, i cili ishte pjesëmarrës në delegacionin e Serbisë në Rambuje. Faik Jašari, edhe pse kishte zgjedhur të mbetet pjesë e institucioneve të Serbisë para vitit 1999, pas luftës u detyrua të largohej nga Kosova dhe për 20 vjet nuk është kthyer më. Ai është simbol i një të kaluare që ka përfunduar. Ai mbetet jashtë institucioneve, jashtë Kosovës, si një figurë e harresës dhe disfatës, figure kuislingë”, ka shkruar ai në Facebook.
Kamberi ka shkruar se Demo Berisha, i cili ndan të njëjtën ideologji me Jasharin – që Kosova është Serbi dhe shqiptarët duhet të nënshtrohen nën këtë realitet, po promovon këtë frymë si “shqiptari model” për Serbinë.
“Ai shfaqet në intervista duke mohuar NATO-n, duke përkrahur narrativën serbe për luftën dhe duke u paraqitur si përfaqësues i shqiptarëve në Serbi. Ai është përdorur dhe po përdoret si një mjet propagandistik për të legjitimuar narrativën se shqiptarët janë të integruar dhe të kënaqur në Serbi – për sa kohë që ata mohojnë Kosovën dhe i binden Beogradit. Demo Berisha nuk përfaqëson shqiptarët, por një version të të instrumentalizuar për interesa të politikës serbe, sikurse disa tjerë në periudhën e Millosheviqit. Propozimi i tij si ministër nuk është për të drejtat e njeriut, por për vazhdimin e një politike që do të shuajë zërin e shqiptarëve të vërtetë në Serbi, sikurse përfaqëson edhe një fyerje për të gjitha pakicat tjera në Serbi, që përbëjnë 20 për qind të popullatës së këtij shteti. Ky propozim është i rrezikshëm sepse legalizon mohimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve, dhe institucioni që duhet të mbrojë të drejtat e tyre do të shndërrohet në një parodi të vetvetes. Prandaj, ky emërim nuk duhet të kalojë pa reagim – as nga shqiptarët e Luginës, as nga institucionet në Prishtinë, as nga Tirana zyrtare dhe as nga faktori ndërkombëtar”, ka shkruar ai, duke shtuar se heshtja ndaj këtij absurdi është bashkëfajësi.
copy(/home/titulli/public_html/images/image/amberi-pvd.jpg): failed to open stream: No such file or directory