Kamberi: Jam kërcënuar për shkak të aktivitetit politik
Përfaqësuesi shqiptar në Parlamentin e Serbisë, deputeti Shaip Kamberi, ka thënë se është kërcënuar për shkak të aktivitetit të tij politik si shqiptar.
“Përmes rrjetit social ‘Facebook’, një person me emër serb më kërcënon në gjuhën serbe dhe më thotë se do të më përcjellë kudo që shkoj”, tha ai për RTK.
Sipas tij kërcënimi lidhet me albanofobinë e cila është çdo ditë në rritje në Serbi.
“Edhe shtypi pro qeveritar edhe deklaratat e zyrtarëve në Serbi kanë nxitur opinionin serb kundër shqiptarëve për një klimë antishqiptare. Këto janë produkt i asaj politike që është udhëhequr kundër shqiptarëve dhe për çështjen e Kosovës”, tha ai.
Kamberi bëri me dije se ka njoftuar kryetarin e Parlamentit për këtë kërcënim. Ai bëri me dije se kërcënimi erdhi një ditë pasi që edhe një deputete serbe akuzoi atë, për shkak të pjesëmarrjes së tij në aktivitetin për nder të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, që u organizua në Beograd.
Postimi i plotë në Fcebok nga Shaip Kamberi:
Për muajë me radhë, Serbia po mundohet për të ndërtuar një realitet virtual të gjoja rrezikimit të jetës së Serbëve në Kosovë.
Ndërkohë, sa është e rrezikuar liria dhe jeta e shqiptarëve në Serbi flasin rastet e shumta të diskriminimit.
Dënimi i para disa ditëve i kryetarit të Këshillit Kombëtar, Ragmi Mustafi, për përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar me 28 nëntor të vitit të kaluar, paraqet vetëm një nga rastet e këtilla .
Ndërkohë, sot, përmes rrjetit social Facebook, nga një person i panjohur kam pranuar kërcënime të drejtpërdrejat për jetën time.
„Mjaft me rrëmbime, ndërsa sa të përket ty personalisht, ruaje gjithmonë shpinën kur të shkosh dikund. Nuk do të kuptosh asnjëherë kur do të vij për kokën tënde“ është teksti i mesazhit që kam marrë, përmes mesenger, nga përsoni Danijell Millkoviq.
Kjo është atmosfera në të cilën punojnë, veprojnë dhe jetojnë shqiptarët, në Serbinë autoritare të Aleksandar Vuçiqit.
Kjo klimë antishqiptare, për vite me radhë po stimulohet nga mediat proqeveriatare dhe deklaratat e shpeshta fyese të qeveritarëve serb.
Kjo atmosferë diskriminuese e kërcënuese është arsyeja kryesore e kërkesës tonë për zgjidhje simetrike të të drejtave të komuniteteve.
Puna jonë vazhdon, ajo nuk do të ndalet, as për shkak të kërcënimeve apstrakte e as atyre konkrete që mund të vijnë.
Të vërtetën do ta themi, pavarësisht se të tjerëve nuk i pëlqen.