Xhemaledin Salihu nga Presheva nderohet me çmimin kombëtar ,,Ali Vishko" në Tetovë
Lokale

Xhemaledin Salihu nga Presheva nderohet me çmimin kombëtar ,,Ali Vishko" në Tetovë

11.Jun.2019 17:31
0

Shoqata për Kulturë dhe Art “Tradita” me seli në Tetovë në çdo përvjetor të Lidhjes së Prizrenit ndanë çmimin kombëtar ,,Ali Vishko”, i cili u jepet personaliteteve për vepër jetësore, kontribut të shquar dhe të arritura me rëndësi të veçantë në lëmin e shkencës, të arsimit dhe të kulturës shqiptare.

Kjo shoqatë në manifestimin e mbajtur  në Tetovë më 10 qershor 2019 ka vendosur  që laureat i sivjetmë i çmimit “Ali Vishko” të jetë veprimtari dhe atdhetari nga Presheva Xhemaledin Salihu dhe çmimi iu ndan nga kryetari i  shoqatës, Selam Sulejmani.

Biografi e shkurtër e  lexuar para publikut për Xhemaledin Salihun dhe shoqatën që ai drejton: 

Në vitin 2010 u themelua në Preshevë Shoqata për trashëgimi dhe krijimtari kulturore. Që atëherë, laureati ynë vazhdimisht është angazhuar në hulumtimin e vlerave shpirtërore dhe materiale të Luginës së Preshevës. Është autor i shumë veprave dhe ka marrë pjesë në disa konferenca shkencore të mbajtura në Preshevë, Prishtinë, Tiranë dhe Tetovë.

Gjurmimi, ruajtja dhe promovimi i vlerave të trashëgimisë kulturore të Luginës së Preshevës, kanë qenë pjesë e pandarë e jetës së tij. Me veprime permanente për të ruajtur dhe për të afirmuar trashëgiminë kulturore të Luginës, i dhuroi letërsisë dhe kulturës shqiptare një numër të madh veprash dhe studimesh shkencore.

Xhemaledin Saliu lindi në Preshevë, më 14 gusht të vitit 1947. Arsimimin fillor dhe gjimnazin i kreu në vendlindje. Ndoqi studimet në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në degën e Pedagogjisë. Pasi i kreu studimet, në vitin shkollor 1971-72, punoi si profesor në Tërnoc të Bujanocit, në paralelet që ishin pjesë e gjimnazit të Preshevës. Në vitin shkollor 1972-73, punon si profesor në gjimnazin e Preshevës për lëndën e psikologjisë dhe të sociologjisë. Në periudhën e viteve 1974 -1983 ka qenë drejtor i Shtëpisë së kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë. Gjatë punës 9-vjeçare si drejtor i Shtëpisë së kulturës dha një ndihmesë të madhe për zhvillimin e veprimtarisë kulturore dhe artistike shqiptare në qytetin e tij të lindjes. 
Ka qenë organizues i një numri të madh të manifestimeve kulturore, siç janë:
 Garat komunale të fshatrave, 
 Garat komunale ”Filloristi këndon”, 
 Garat komunale ”Lexuesi më i mirë”, 
 Manifestimi kulturor “Kosovarja këndon”, 
 Festivali i komedisë, 
 Festivali i recituesve, 
 Takimet e Shoqatave kulturore artistike shqiptare në Preshevë, 
 Festivali i Shoqatave kulturore artistike shqiptare - të trojeve kombëtare etj.

Në vitin 1984 caktohet shef i Bibliotekës së qytetit “Mehmet Jusufi”, në Preshevë. Në vitin 2010, biblioteka e Preshevës dhe e Bujanocit e delegon anëtar të Kryesisë së Shoqatës së bibliotekistëve të Kosovës. 

Gjatë veprimtarisë disavjeçare në lëmin e veprimtarisë bibliotekare dha një ndihmesë të çmueshme në përparimin praktik të kësaj veprimtarie, duke botuar edhe punime nga kjo fushë. Ka marrë pjesë me kumtesa në Javët e veprimtarisë bibliotekare të Kosovës si dhe në Seminarin ndërkombëtar “Biblioteka sot”, të organizuar nga Shoqata e bibliotekistëve të Kosovës. Xhemaledin Salihu është anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve “Feniks”, me seli në Preshevë.

Laureati i sivjetmë është organizues i nëntë konferencave shkencore të mbajtura në Luginë dhe në Prishtinë, si:

1. Çështja e valles shqiptare në Preshevë me rrethinë;
2. Dasma shqiptare në Preshevë me rrethinë;
3. Lugina e Preshevës në lëvizjen kombëtare gjatë historisë;
4. Unifikimi i plan-programeve dhe i teksteve mësimore për shkollat shqipe;
5. Presheva, Bujanoci, Medvegja dje, sot dhe nesër - bashkë me Institutin Albanologjik të Prishtinës;
6. Shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe të viseve të tjera etnike në ish-jugosllavi, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore;
7. Çështja e Luginës së Preshevës në dimensionin rajonal dhe ndërkombëtar, të drejtat e njeriut, siguria dhe marrëdhëniet shqiptaro-serbe (1 korrik 2017);
8. Konferencë shkencore për jetën dhe për veprimtarinë e albanologut Idriz Ajeti (7 nëntor 2017);
9. Konferenca shkencore: Trashëgimia kulturore jomateriale shpirtërore e Luginës së Preshevës dhe viseve tjera shqiptare (6 e 7 korrik 2018).

Lidhur me konferencat e sipërthëna, Shoqata për trashëgimi dhe krijimtari kulturore me seli në Preshevë ka botuar tre libra shkencorë. 
Xhemaledin Saliu është autor i 12 veprave shkencore, siç janë:

- Kultura shqiptare në Preshevë 1945-1995, Preshevë1999;
- Çështja e valles popullore shqiptare në Preshevë dhe rrethinë, Preshevë 2011; 
- Dasma shqiptare në Preshevë dhe rrethinë, dikur dhe sot, Preshevë 2011; 
- Lugina e Preshevës në Lëvizjen shqiptare gjatë historisë, Preshevë 2012; 
- Bujanoci - burim i trashëgimisë sonë kulturore dhe natyrore, Gjilan 2014; 
- Rainca - vendbanim i vjetër dardano-shqiptar në rajonin e Preshevës, libër monografik, bashkautor me Vehbi Fazliu, Gjilan 2015; 
- Presheva, Bujanoci dhe Medvegja dje, sot dhe nesër, Prishtinë 2015.
- Shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe të trojeve etnike në ish-Jugosllavi, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, Gjilan 2016;
- Presheva, pjesë e pandarë e lëvizjes kombëtare nëpër shekuj, Preshevë 2017.

Gjatë vitit 2018, Shoqata për trashëgimi dhe krijimtari kulturore ka organizuar disa debate:

- Diversiteti fetar dhe ndikimi i kulturave të huaja ndër shqiptarë;
- Faktorët e zhvillimit ekonomik të komunës së Preshevës;
- Roli dhe rëndësia e shoqërisë civile në komunën e Preshevës;

Po atë vit, kjo shoqatë organizoi konferencën shkencore Trashëgimia kulturore jomateriale shpirtërore e Luginës së Preshevës dhe e viseve të tjera shqiptare. Me një program të këngëve dhe të valleve burimore të Luginës së Preshevës, shoqata e sipërthënë ka marrë pjesë edhe në Festën e plisit të bardhë të mbajtur në Tiranë. 
Puna e këtij veprimtari të palodhshëm nuk mbaron me kaq. Ai organizon në Bujanoc Ekspozitën e artit dhe të fotografive të trashëgimisë kulturore. Një vit më vonë, pra më 2012, ka organizuar në Medvegjë konferencën shkencore Veshja shqiptare e Medvegjës dhe e viseve të tjera, ku kanë marrë pjesë studiues nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia si dhe nga Lugina.
Në konferenca të caktuara të mbajtura në Tiranë, në Prishtinë dhe në vise të tjera shqiptare, Xhemaledin Saliu ka marrë pjesë edhe në kumtesa. Angazhimi i tij nuk ka vetëm përmasë kulturore, por ka edhe dimension kombëtar, politik dhe historik.

Në simpoziumin e mbajtur në Tiranë më 15-16 prill 1993, ka dalë me punimin "Kërkesat e shqiptarëve të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës për të drejta kombëtare". Kumtesa e sipërthënë, bashkë me të tjerat, janë përmbledhur në librin "Çështja e Kosovës - një problem historik dhe aktual”, të botuar në shqip dhe në anglisht. 

Ka marrë pjesë me kumtesë edhe në Konferencën e parë mbarëkombëtare, të mbajtur në Tiranë në vitin 2011. Për të mos e zgjatur më shumë, duhet përfunduar se ky intelektual nga Presheva, me kumtesa rëndësie parësore është paraqitur në shumë simpoziume dhe konferenca shkencore. 

Xhemaledin Saliu është nderuar me mirënjohje nga shumë shoqata dhe klube letrare, por edhe nga institucione të tjera kulturore dhe shkencore në Tiranë, në Prishtinë dhe në mbarë trojet shqiptare. Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, për veprimtarinë e tij të palodhshme, për guximin intelektual dhe për formimin atdhetar, Shoqata “Bytyçi” e Tiranës, e nderoi dhe e dekoroi me Titullin e lartë patriotik “Aristidh Kola”.

Profesor Xhemaledin Saliu jeton dhe punon në Preshevë.

Në emër të Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”
Xhelal Zejneli

Tetovë, më 10.06.2019

 

FJALA PËRSHEDETËSE NË MANIFESTIMIN “LIDHJA NA BASHKON” NË TETOVË

I nderuari Z. Selam Sylejmani, kryetar i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita” në Tetovë
Të nderuara Zonja dhe Zotërinjë, 
Të nderuarë Miqë, Shokë dhe Pjesëmarrës në Manifestimit kulturor “Lidhja na Bashkon”,

Ndjehem shumë i nderuar dhe i privilegjuar që ndodhem në Tetovën Atdhetare, qendër me rëndësi shkencore, arsimore e kulturore, për të vetmen arsye, me shumë rëndësi kombëtare, nderimin tim nga Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, me Çmimin Kombëtar “Ali Vishko”, që mban emrin e një veprimtari të shquar të arsimit dhe shkencës, në 141 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Njëkohësisht ndjehem krenar , sepse këtë çmim kombëtar, me kaq vlerë kulturore e kombëtare , e konsideroj, jo vetëm meritë të punës time shumëvjeçare, arsimore e kulturore, por edhe meritë e andazhimit dhe punës së Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore të Luginës së Preshevës, të cilën e drejtoj qe 2 mandate.
Më lejoni që me këtë rast, të kësaj ngjarjeje me rëndësi kulturore, të them se kultura shqiptare e Shqiptarët, po shkojnë drejt bashkimit shpirtëror e kombëtar.
Ndarja e Çmimit Kombëtar, më obligon edhe më shumë dhe më bënë më përgjegjës në angazhimin tim, që sëbashku me Ju, në kultivimin e kulturës së mirëfilltë kombëtare, në rizgjimin e dashurisë së të rinjve ndaj kulturës shqiptare dhe në mbrojtjen e ruajtjen e kulturës dhe identitetit kombëtar, sepse kultura dhe identiteti kombëtar, kohëve të fundit po na rrezikohet nga ndikimet e huaja kulturore dhe identitare.
I nderuari kryetar i Shoqatës, Z.Selam Sylejmani, të nderuarë anëtarë të Komisionit , e nderuara Tetovë, Ju faleminderit nga zemra, për nderimin tim me Çmimin Kombëtar “Ali Vishko” dhe Ju premtoj se edhe në të ardhmenë me punë dhe veprimtari, do ta arsyetoj nderimin dhe besimin Tuaj.
JU FALEMINDERIT,

Tetovë, më 10 qershor 2019 Xhemaledin SALIHU

 

copy(/home/titulli/public_html/images/image/alihu-vishko.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Komuna e Bujanocit shpall vendimin për financimin e sportit me 9.5 milionë dinarë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration