Vuçiq: 60 për qind e qytetarëve votuan për ndryshime kushtetuese
Qytetarët e Serbisë kanë pranuar propozimin për ndryshimin e Kushtetutës në fushën e drejtësisë, sipas rezultateve preliminare të referendumit të mbajtur më 16 janar.
Siç ka njoftuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në bazë të 97,02 për qind të vendvotimeve të numëruara, për kanë votuar 60,40 për qind, ndërsa kundër 39,52 për qind.
Sipas të dhënave të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (KRZ), deri në orën 18:00, në referendum dolën 25.25 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Qendrat e votimit janë mbyllur në orën 20:00.
Të drejtë vote në referendum kishin mbi 6 milionë e 510 mojë votues, sipas Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (KRZ).
Ndryshimet kanë të bëjnë me mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve në mënyrë që të zvogëlohet ndikimi politik në këtë proces, ka thënë Qeveria e Serbisë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më herët të dielën para gazetarëve se ndryshimet në Kushtetutë janë të rëndësishme për investitorët e huaj për të cilët sundimi i ligjit është një nga faktorët kryesorë kur vendosin për investime në Serbi.
Vuçiq dënoi vendimin e autoriteteve të Kosovës për të mos lejuar votimin në territorin e Kosovës.
“Do të ketë pasoja të gjera, por ata nuk duhet të dinë gjithçka dhe të dëgjojnë gjithçka”, u tha Vuçiq gazetarëve.
Rikujtojmë se deputetët e Kuvendit të Kosovës të shtunën (15 janar) kanë miratuar një rezolutë që shpreh kundërshtimin që në Kosovë të mbahen votime për referendumin e lartcekur të shtetit të Serbisë për ndryshime kushtetuese.
Kuvendi miratoi rezolutën gjatë një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga kryeministri, Albin Kurti.
Sipas rezolutës, mbajtja e referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës, "cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare".
Ky vendim nxiti protesta te serbët lokalë në Kosovë të cilët udhëtuan nëpër qytete të Serbisë për të pasur mundësi të votojnë në këtë referendum.
Çfarë ndryshohet në Kushtetutë?
Pyetja e referendumit ishte: “A jeni për konfirmimin e Ligjit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.
Është propozuar që Kushtetuta të ndryshohet në seksionet Gjykatat dhe Prokuroria Publike, si dhe në disa nene të tjera që rregullojnë gjyqësorin.
“Argumenti bazë për ndryshimin e Kushtetutës në fushën e drejtësisë është fakti se Kushtetuta aktuale i lë shumë hapësirë ndikimit të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv në zgjedhjen e titullarëve të funksioneve gjyqësore”, thuhet në shpjegimin brenda propozimit të miratuar nga Qeveria e Serbisë.
Brenda këtij propozimi të miratuar vlerësohet se ky ndikim “mund të çojë në politizim të padëshiruar të gjyqësorit”.
Më 30 nëntor 2021, ministrja e Drejtësisë e Qeverisë së Serbisë, Maja Popoviq, sqaroi se politika përjashtohet nga zgjedhja e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Sipas ndryshimeve në Kushtetutë, këtë do ta vendosin dy organe të pavarura, të cilat duhet të konstituohen pas referendumit.
Gjyqtarët do të zgjidhen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, ndërkaq prokurorët nga Këshilli i Lartë i Prokurorëve.
Këshilli i Lartë Gjyqësor është një organ i pavarur, autonom, i cili tashmë ekziston, por me ndryshimet në Kushtetutë, anëtarët e tij do të rizgjidhen sipas një procedure të re.
Sipas njoftimeve të ministres Popoviq, Këshilli i Lartë Gjyqësor do të përbëhet nga gjashtë gjyqtarë të zgjedhur nga kolegët e tyre, katër anëtarë nga radhët e juristëve të shquar të zgjedhur me shumicën e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit, si dhe nga kryetari i Gjykatës së Lartë, sipas pozitës.
Sipas Kushtetutës aktuale, të miratuar në vitin 2006, gjyqtarët janë zgjedhur nga deputetët në Kuvendin e Serbisë për të ashtuquajturin mandat provues trevjeçar, në mënyrë që më pas, Këshilli i Lartë Gjyqësor i zgjidhte për një mandat të përhershëm.
Kur bëhet fjalë për zgjedhjen e prokurorëve, ata do të zgjidhen nga Këshilli i Lartë i Prokurorëve, si një organ i pavarur që siguron dhe garanton pavarësinë e asaj dege të drejtësisë.
Këshilli i Lartë i Prokurorëve do të zëvendësojë Këshillin ekzistues të Prokurorëve të Shtetit.
Siç ka paralajmëruar ministrja Popoviq, nëse miratohen ndryshimet, pesë anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorëve do të zgjidhen nga prokurorët, katër do të zgjidhen nga Kuvendi me propozimin e komisionit kompetent dhe me shumicë prej dy të tretave, ndërkaq prokurori i Lartë Publik dhe ministri i Drejtësisë, janë anëtarë sipas pozitës.
Prokurorët deri më tani i janë propozuar Kuvendit nga Qeveria, e cila është pjesë e pushtetit ekzekutiv.
Procedura për zgjedhjen e zëvendësprokurorëve ishte e tillë që ata zgjidheshin në Parlament për një mandat të parë (për tre vjet), pas së cilës Këshilli i Prokurorëve të Shtetit i zgjidhte me mandat të përhershëm.
Kjo, praktikisht, do të thotë se deputetët e Kuvendit, të cilët janë edhe anëtarë të partive politike, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë i zgjidhnin anëtarët e dy organeve gjyqësore, ndonëse Kushtetuta e Serbisë, në Nenin 4, parasheh ndarjen e pushtetit në legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, kur rrjedhimisht “pushteti gjyqësor është i pavarur”.
Ministrja Popoviq ka deklaruar disa herë se ndryshimi i Kushtetutës në fushën e drejtësisë, do të jetë kusht për reformimin e mëtejmë të sistemit juridik, si dhe reforma më e rëndësishme në fushën e sundimit të ligjit./rel/
copy(/home/titulli/public_html/images/image/erbi-referendumi.jpg): failed to open stream: No such file or directory