Vlerësimi i OSBE-së 2015: Janë rreth 70 mijë banorë shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë
Lokale

Vlerësimi i OSBE-së 2015: Janë rreth 70 mijë banorë shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë

05.Apr.2022 08:22
0

Teuta Fazliu, një pjesë të madhe të jetës së saj e ka kaluar në qytetin e saj të vendlindjes, Bujanoc të Serbisë. Viteve të fundit është shpërngulur në Kosovë, por atje ende jeton familja e saj, në pronën familjare. Megjithatë, Teutës, autoritet serbe në vitin 2020 ia pasivizuan adresën.

Kjo ia pamundësoi asaj të votonte në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale që u zhvilluan të dielën, më 3 prill në Serbi.

“Unë në mëngjes dje [e diel 3 prill] kam hyrë në listën e votuesve të shtetit për të parë se a ekzistoj ende në listën e votuesve. Nuk isha dhe nuk mora fare rrugë për Bujanoc pasi isha me fëmijë të vogël, që do të thotë nuk e gëzova të drejtën e votës”, thotë Fazliu.

Ajo thotë se vazhdimisht shkon në qytetin e lindjes, Bujanoc, por ky fakt, sipas saj, nuk iu ka mjaftuar autoriteteve serbe që të mos ia pasivizonin adresën.

Nga Këshilli Kombëtar Shqiptar, institucion i vetëqeverisjes i komunitetit shqiptar në Serbi, kanë thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se deri në fund të vitit të kaluar në këtë institucion ishin paraqitur rreth 6,000 qytetarë të komunave Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, të cilëve iu ishin pasivizuar adresat.

 

Bujanoci, së bashku me Preshevën dhe Medvegjën përbëjnë atë që njihet si Luginë e Preshevës - e banuar me shqiptarë - në jug të Serbisë.

Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi më 2021 tha se Serbia, në mënyrë që të ulë sa më shumë që të mundet numrin e shqiptarëve që jetojnë në jug të shtetit, po kryen një proces të quajtur “pasivizimi i banorëve shqiptarë” që jetojnë jashtë Serbisë, qoftë në Evropën Perëndimore apo në Kosovë.

“Kjo masë, në thelb, është një formë e spastrimit etnik përmes mjeteve administrative”, thuhet në raportin e Komitetit të Helsinkit.

“Kur adresa e përhershme e banimit ‘pasivizohet’ dhe hiqet nga libri amzë në Serbi, ai person praktikisht pushon së ekzistuari. Ata nuk mund të rinovojnë letërnjoftimin ose pasaportën e skaduar, të regjistrojnë makinën, të kenë qasje në kujdesin shëndetësor ose shërbime sociale, të blejnë ose shesin prona, ose të votojnë në zgjedhjet lokale ose të përgjithshme”, thuhet në këtë raport.

Beogradi zyrtar, në përgjithësi, nuk e ka komentuar çështjen e pasivizimit të adresave. Por, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në muajin shkurt 2021, ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Marija Obradoviq, ka folur për pasivizimin e së drejtës së votës, duke thënë se kjo ndodh kur nga inspektimet në terren të zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, konstatohet se vendbanimi i personave nuk është në adresën që e kanë paraqitur.

 

Për Teuta Fazliun, pasivizimi i adresës së saj në Serbi dhe largimi nga lista e votueseve është shkelje e të drejtave të njeriut.

“... Ka filluar një spastrim etnik në Luginë të Preshevës, Bujanoc dhe Medvegjë, pra një spastrim etnik i modernizuar administrativ”, thotë Fazliu.

Alarmi për ndërkombëtarët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shprehu shqetësimin për mospjesëmarrjen e mijëra shqiptarëve të Luginës së Preshevës në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë.

Të hënën, më 4 prill, duke folur në një konferencë për media me rastin e njëvjetorit të marrjes së detyrës së presidentes, Osmani, tha se Serbia vazhdon të mos ndërrojë mentalitetin e saj të viteve ‘90.

“Serbia ua ka ndaluar shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, diku rreth 6 mijë prej tyre sipas raportimeve, që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës dhe sipas Komitetit të Helsinkit nëpërmjet kësaj ata po kryejnë spastrim etnik nëpërmjet mjeteve administrative”, tha Osmani.

 

Edhe politikanët shqiptarë në Luginë të Preshevës, prej vitesh kanë ngritur shqetësimin se Serbia ka nisur pasivizimin e adresave të shqiptarëve që jetojnë në tri komunat jugore, me qëllim, siç thanë, të ndryshimit të strukturës etnike të këtyre komunave.

Arbër Pajaziti, kryesues i partisë Alternativa për Ndryshim në Bujanoc, thotë se në këtë qytet vetëm gjatë vitit 2021, janë pasivizuar adresat e mbi 700 shqiptarëve.

“Qëllimi kryesor i pasivizimit të adresave është ndryshimi demografik në komunën e Bujanocit dhe Preshevës, sepse në Medvegjë vetëm se e kanë kryer punën ata. Qëllimi kryesor është ulja e numrit të shqiptarëve, pra spastrimi etnik përmes ligjit”, thotë Pajaziti.

LEXONI EDHE KËTË:

Mustafi: Keqpërdorimi i ligjit në Serbi për përndjekjen politike të shqiptarëve

Serbia “të ndalë fshirjen e adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës”

Belgzim Kamberi nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut në Preshevë thotë se autoritetet serbe po vazhdojnë të kryejnë pasivizim selektiv të adresave.

“Ajo që është e qartë është se edhe këto zgjedhje treguan se pasivizimi ka qenë kryesisht etnik dhe selektiv, pra i ka goditur veçanërisht shqiptarët, qoftë në Medvegjë qoftë në Bujanoc, por në përgjithësi ka ndikuar në tkurrjen e trupit votues të shqiptarëve”, tha Kamberi.

A ka ndikuar pasivizimi i adresave te dalja e votuesve?

Partitë shqiptare kanë garuar në zgjedhjet parlamentare të Serbisë me dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar dhe Alternativa Demokratike Shqiptare - me gjithsej 20 kandidatë. Sipas rezultateve preliminare, një mandat në Parlamentin e Serbisë ka fituar vetëm partia Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar i Shaip Kamberit.

Për shkak të dallimeve politike, ato thonë se nuk kanë arritur të merren vesh për një listë të përbashkët, ashtu sikurse në zgjedhjet e vitit 2020, kur shqiptarët e Luginës janë bashkuar për herë të parë dhe kanë fituar tri ulëse në Kuvendin e Serbisë.

 

Arbër Pajaziti, kryesues i partisë Alternativa për Ndryshim në Bujanoc thotë se pasivizimi i adresave nuk ka pasur ndikim të madh në daljen e shqiptarëve në votim, pasi sipas tij edhe ashtu interesimi ka qenë shumë i ulët.

Pjesëmarrja e shqiptarëve me dy lista, si dhe largimi i të rinjve nga ky rajon, sipas tij, i ka bërë zgjedhjet joatraktive për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Këto dy parti kanë marrë në total afro 13 mijë vota.

Në Serbi nuk dihet saktë se sa shqiptarë jetojnë, pasi ata patën bojkotuar regjistrimin e popullsisë të bërë më 2011.

Në bazë të një vlerësimi të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), të bërë në vitin 2015, u tha se janë rreth 70 mijë banorë shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Rreth 20,000 shqiptarë raportohet se kanë migruar në Kosovë për arsye të ndryshme./REL/

copy(/home/titulli/public_html/images/image/resheva-arki.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Salihi: Nuk fituam rezultatin që kemi synuar, s'kemi luksin të ndahemi
Presidentja e Kosovës Osmani: Mijëra shqiptarëve iu mohua e drejta e votës në Serbi
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration